.

.

BallinaPertejA e dëmton turizmin kryerja e punëve publike gjatë verës?

A e dëmton turizmin kryerja e punëve publike gjatë verës?

MERXHAN DACI & INVA HASANALIAJ

Në Shqipëri është kthyer thuajse në traditë kryerja e punëve publike gjatë verës edhe në zona ku mund të cënohet sezoni turistik. Edhe këtë vit të vështirë për turizmin, nga kriza e pandemisë, punimet për shëtitore apo rrugë në zonat turistike janë duke ndikuar negativisht, raportojnë disa biznese, të cilat ankohen deri edhe për ndërprerje të energjisë elektrike.

 

Shëngjini

Prej disa ditësh në zonën bregdetare të Shëngjinit po punohet për ndërtimin e pjesës së mbetur të shëtitores.

Këto punime po bëhen teksa turistët, kryesisht nga Kosova kanë filluar të shkojnë atje për të kaluar pushimet.

Situata ka qenë problematike për bizneset e zones të cilat raportojnë shkëputje të herëpas’hershme të energjisë elektrike.

Kreu i Bashkisë Lezhë Pjerin Ndreu tha për Euronews Albania, para disa ditësh se energjia është shkëputur gjatë ditëve të javës kur nuk ka pasur fluks, për shkak të spostimit të disa shtyllave të energjisë, por edhe investimeve që po kryhen.

Ndreu shtoi se kanë qenë të detyruar t’i kryejnë këto punime për shkak të situatës së pandemisë COVID-19.

Vlora

Edhe në Vlorë po zhvillohen punime edhe në kohën e sezonit turistik, megjithatë kryetari i Bashkisë Vlorë Dritan Leli ka garantuar se në fundjavë nuk do të ketë punime që  mund të ndikojë në mbarëvajtjen e turizmit.

Kemi diskutuar që gjatë fundjavave të mos ketë punime në kantier, që të mos ketë zhurma për pushuesit që vijnë gjatë fundjavave”, tha Leli.

 

Punët publike të kryera këto kohë në Vlorë kanë qenë kryesisht shtrime apo rikonstruktime rrugësh, por edhe ndërhyrje në ujësjellës.

Saranda

Punimet në shëtitoren e qytetit bregdetar të Sarandës do të vazhdojnë edhe gjatë këtij sezoni turistik, ndryshe nga çfarë ka deklaruar më herët kryebashkiaku Adrian Gurma.

Në muajin mars të këtij viti, në një intervistë për “Faktoje”, Gurma është shprehur se punimet do të vazhdojnë me ritme të larta, për t’u mbyllur përkohësisht në muajt e verës.

“Jemi të bindur që me fillimin e sezonit turistik, volumi më i madhi punimeve do të jetë kryer, megjithatë ne kemi menduar që në pikun e sezonit nuk do të kryhen punime për të rifilluar në një moment të dytë”-tha ai.

Mbyllja e shëtitores në Sarandë pritet të ketë ndikim negativ në turizmin lokal dhe në ekonominë e bizneseve që operojnë në këtë zonë, të cilat e kanë marrë tashmë goditjen edhe nga pasojat e pandemisë nga COVID-19.

Të njëjtin shqetësim ngriti edhe Arben Çipa, operator turistik.

Ndërkaq, në 1 qershor të këtij viti, banorë të Sarandës u ngritën në protestë duke kërkuar ndalimin e punimeve të buleveardin pasi sipas tyre po dëmtonte turizmin.

Punimet në shëtitoren e Sarandës nisën në muajin tetor 2019 dhe kanë afat 12 muaj.

Durrësi

Sezoni veror si në nisje ashtu edhe në përfundim do ta gjejë shëtitoren “Taulantia”  në Durrës, një kantier ndërtimi. Punimet e nisura në këtë pjesë kanë penguar  qytetarët dhe pushuesit të shëtisin në zonën më të frekuentuar të qytetit. Projekti i cili kushton 284 milionë lek e ka afatin e punimeve 18 muaj.

Në datën 1 maj 2020  bashkia Durrës deklaroi se po vijon punën intensivisht për të përfunduar  sa më shpejt.

Nga një situatë  e tillë  rikonstruksioni, një tjetër palë e dëmtuar është biznesi në këtë zonë, i cili përveç vështirësive nga tërmeti dhe pandemia, duhet të mbajë gjallë aktivitetin i rrethuar nga inertet. Fare pak metra larg shëtitores, kjo ishte pamja e trotuarit përgjatë bareve dhe restoranteve pranë shëtitores.

‘Historia’ përsëritet

Punimet paralele për bulevardin “Dyrrah” dhe shëtitoren “Taulantia” në Durrës u bënë po ashtu problem edhe gjatë verës së vitit 2019.

Po kjo shëtitore iu nënshtrua rikonstruksionit rrënjësor edhe ne vitin 2010, me një projekt që kushtoi  49, 866, 343 lekë dhe që u cilësua si një nga investimet më të rëndësishme.

 

Në pikun e sezonit turistik 2017, në Bashkinë e Pogradecit rruga kryesore nga qafa e Plloçës e deri në qytet u kthye në makth për drejtuesit e automjeteve. Ata ankoheshin se punimet kryheshin në kohë të papërshtatshme dhe dëmtonin automjetet, por më e keqja largonin turistët e shumtë që pushonin pranë liqenit.

Reshjet e shiut që ranë në vitin 2017 dëmtuan në disa segmente edhe rrugën Vlorë-Orikum. Në këtë aks rrugor, i vetmi që të çon në Rivierën e Jugut, puna për riparimin nisi në muajin qershor, pas çeljes së sezonit turistik.

Kryerja e punimeve në zonën muzeale të Gjirokastrës ishte një tjetër problem. Punimet vazhduan edhe gjatë sezonit turistik 2018.

Asokohe, Porta Vendore pyeti përfaqësues të turizmit në bashki të cilët u shprehën se ai ishte viti i dytë që Gjirokastra përballej me vështirësi teknike gjatë sezonit veror dhe një vit më parë ishin restaurimet e fasadave që ndikuan në turizëm.

Ndonëse Gjirokastra shënoi një rritje prej 20% të numrit të vizitorëve, kemi bindjen se kjo shifër mund të ishte edhe më e lartë, nëse turizmi nuk do të zhvillohej mes pluhurit dhe skelave”- tha ndër të tjera një prej përfaqësuesve të Bashkisë Gjirokastër.

Një tjetër rast ishte edhe projekti për rehabilitimin e lumit Zezë në korrik të 2019-s I cili përfshinte prishjen e një ure që si pasojë krijoi trafik i rënduar automjetesh prej së paku 5 kilometrash.

Megjithatë, krahas kritikave nga ana e palëve të dëmtuara në rastet kur punët publike vijojnë edhe gjatë sezonit, ka edhe mendime ndryshe. Kur “Faktoje” pyeti  eksperten e turizmit Brunilda Liçaj se si e sheh kryerjen e tyre gjatë sezonit, ajo tha:

“Disa punë publike duhen bërë më mirë në qershor e korrik sesa të lihen për në gusht, kur Shqipëria regjistron fluksin më të madh të turistëve përgjatë gjithë vitit.”

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img