Pak ditë pas nisjes së agresionit rus në Ukrainë, Konsullata e Nderit të Shqipërisë në Khrakov u shkatërrua si pasojë e bombardimeve ruse. Ky ishte sulmi i parë ndaj një misioni diplomatik në Ukrainë. Dy vite pas ngjarjes, Tirana zyrtare kërkon të sigurojë prova ligjore. Ministria e Punëve të Jashtme lajmëron hapa të tjerë ndaj Rusisë nëse sulmi rus ndaj konsullatës shqiptare në Ukrainë ligjërohet.

Esmeralda Topi

Mbrëmja e 6 marsit të vitit 2022, i gjeti të strukur në një bodrum disa punonjës të Konsullatës së Nderit të Shqipërisë në Kharkiv. Rreth orës 22:15 ata u tronditën nga një shpërthim i fuqishëm mbi strehëzën e përshtatur për raste emergjente që pas nisjes së luftës në Ukrainë.

“Pikëllohem kur kujtoj ditën e bombardimit. Unë nuk isha në zyrë në ato çaste, por ishte stafi ynë i përkushtuar. Për fat por edhe si masë paraprake, ata ishin në bodrum.”, kujton Shahin Omarov, Konsull i Nderit të Shqipërisë në Ukrainë.

Për shkak të bombardimeve zyra e Konsullatës në Kharkiv, e cila ndodhej në katin e parë të një ndërtese disakatëshe,u shkatërrua.

“Megjithatë, shoku që na kalpoi kur pamë konsullatën tonë të rrënuar ishte si një kujtesë e zymtë e realitetit brutal me të cilin po përballemi.”, vijon më tej Omarov.

Edhe pse agresioni rus në Ukrainë ishte në ditët e para, sulmi ndaj një misioni diplomatik në Kharkiv shkonte përtej çdo imagjinate. 

“Megjithë konfliktin e vazhdueshëm, një sulm i shënjestruar ndaj një misioni diplomatik ishte përtej asaj që mund të kishim parashikuar.”, argumenton Konsulli i Shqipërisë në Ukrainë.

Sigurimi i provave

Konsullata e Nderit të Shqipërisë, është e vetmja përfaqësi diplomatike në Kharkiv. Dy vite pas ngjarjes, Tirana zyrtare vijon përpjekjet për të dokumentuar me prova ligjore shkatërrimin e Konsullatës Shqiptare në Ukrainë si pasojë e sulmit rus.  Më 4 prill, Prokuroria e Përgjithshme e Republikës së Shqipërisë i ka dërguar një kërkesë për informacion, Prokurorisë së Përgjithshme të Ukrainës.

“Kërkojmë informacion mbi ecurinë e procedimit datë 9.11.2022 të rregjistruar në zyrën e Prokurorisë Publike të Rajonit Kharkiv, lidhur me ngjarjen e datës 6 Mars 2022 ku Konsullata e Nderit e Republikës së Shqipërisë njëkohësisht banesa e Konsullit të Nderit Z. Shahkin Omarov, ka qenë objekt i sulmeve të forcave ruse me pasojë shkatërrimin e tyre”. – shkruhet në letrën drejtuar Prokurorisë së Përgjithshme në Ukrainë.

“Sa më sipër ka ardhur në vijim të kërkesës së Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme drejtuar Prokurorisë së Përgjithshmë mbi ngjarjen e lartpërmendur.”, argumentoi për Faktoje, Prokuroria e Përgjithshme, teksa thekson se nuk ka ende përgjigje zyrtare nga autorietet ukrainase.

Qeveria shqiptare kërkon të përditësohet me hetimin që ka nisur Prokuroria e Ukrainës. Kërkesën Ministria e Punëvë të Jashtme e mbështet mbi këtë argument:

“Interesimi i MEPJ lidhet me faktin se ambientet e Konsullatës së Nderit të Republikës së Shqipërisë në Kharkiv, si institucion konsullor, kanë një marrëdhënie të drejtpërdrejtë me Republikën e Shqipërisë, në përputhje me normat ndërkombëtare që rregullojnë marrëdhëniet diplomatike dhe konsullore ndërmjet shteteve.”, thotë MEPJ për Faktoje.

Ministria e Jashtme, shton gjithashtu se do të merren hapa të tjerë ndaj Rusisë nëse sulmi rus ndaj konsullatës shqiptare në Ukrainë ligjërohet me prova.

“Në përfundim të procedurave dhe në varësi të përfundimeve të dala, MEPJ do ndërmarrë hapa të tjerë, në përputhje me praktikat dhe dokumentet ndërkombëtare që parashikojnë raste të tilla.”- shprehet Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, teksa hetimet ende vijojnë.

Por çfarë mund dhe duhet të bëjë Shqipëria në këtë rast?

“Duke marrë parasysh këtë mbështetje të fortë dhe qëndrim proaktiv, Shqipëria duhet vërtet të konsiderojë veprime reciproke për të adresuar shpalljen e Shqipërisë nga Rusia si një vend jo-miqësor.”, sugjeron Shahin Omarov, Konsulli i nderit të Shqipërisë në Ukrainë.

Më 5 mars të vitit 2022 Rusia e futi Shqipërinë në listën e vendeve jo miqësore, pas qëndrimeve që qeveria shqiptare mbajti kundrejt luftës në Ukrainë. Një ditë më pas, Konsullata e Nderit të Shqipërisë në Ukrainë, e vetmja seli diplomatike shqiptare, u bombardua nga rusët.

“Sulmi ndaj konsullatës shqiptare është një shkelje e dukshme dhe flagrante e normave ndërkombëtare. Është i vetmi mision diplomatik i shënjestruar dhe shkatërruar drejtpërdrejt që nga fillimi i luftës në Ukrainë.”, përfundon Omarov.

Reagimet mes Tiranës dhe Moskës

Ngjarja u denoncua fillimisht nga Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme.

“Shqipëria e dënon me forcë agresionin rus që solli shkatërrimin e Konsullatës së Nderit të Shqipërisë në Kharkiv. Autorët do të mbajnë përgjegjësi”, shkruhej në njoftimin e Ministrisë shqiptare.

Reagimi i Moskës erdhi 10 ditë pas denoncimit të palës shqiptare.

 “Ne i hedhim poshtë me forcë akuzat dhe kërkojmë që publiku të informohet saktë”, shkruante ndër të tjera në reagim, Ministria e Jashtme ruse.

Tirana zyrtare u përgjigj menjëherë, duke folur për “lajme të rreme” nga pala ruse. Reagimi shoqërohej edhe me pamje të Konsullatës pas bombardimit.

“Pamjet e shembjes flasin vetë. Ky shkatërrim i ambienteve si dhe i dokumenteve në arkiva është një shkelje flagrante e nenit 61, kreu III i Konventës së Vjenës për Marrëdhëniet Konsullore. Dezinformimi dhe lajmet e rreme për këtë sulm janë të papranueshme!”, Ministria e Jashtme shqiptare.

Përfundim

Sulmi i forcave ruse ndaj Konsullatës Shqiptare në Kharkiv shënjon shkatërrimin e parë të drejtpërdrejtë të një misioni diplomatik që nga fillimi i konfliktit në Ukrainë. Kjo është një shkelje e rëndë e normave ndërkombëtare. Shqipëria vazhdon të kërkojë prova ligjore dhe mbështetje ndërkombëtare për të adresuar sulmin në mes të tensioneve të vazhdueshme diplomatike me Rusinë.

Redaktoi: Viola Keta & Aimona Vogli