JETMIRA DELIA
Institucionet e arsimit parauniversitar, në kushtet e pandemisë po kthehen në vatra të përhapjes së virusit Covid-19. Në Shqipëri hapja e shkollave u shoqërua vetëm nga një protokoll masash për respektimin e higjienës dhe distancimit social, gjë që rezultoi e pamjaftueshme për të frenuar përhapjen e virusit. Sipas ekspertëve, strategjia e ndjekur nga vende të Europës për depistimin e mësuesve qëkur nisi viti shkollor, duhet të aplikohej edhe në Shqipëri, ku deri më sot flitet për 10 mësues që kanë vdekur si pasojë e Covid-it.
Për të parandaluar përhapjen e Covid-19 në shkolla, ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu dhe ajo e Arsimit Evis Kushi kanë bërë thirrje që të gjithë të respektojnë masat, të ruajnë distancat dhe të shtojnë kujdesin për higjienën. Kur vjen fjala për testimin e mësuesve apo edukatorëve, ky i fundit nuk u konsiderua si masa e duhur parandaluese.
Në mes të shtatorit, pak ditë pasi kishte nisur viti i ri shkollor, ne iu drejtuam me disa pyetje Ministrisë së Arsimit dhe asaj të Shëndetësisë, lidhur me këtë çështje, por nuk morëm përgjigje.
Kërkesë për informacion drejtuar Ministrisë së Shëndetësisë
Epidemiologia Eugena Tomini, përpara nisjes së vitit të ri shkollor në një intervistë për “Euronews” tha:
“Nuk kemi ndjekur një strategji të depistimit masiv, kemi ndjekur një strategji të gjurmimit të kontakteve. Nëse do të testoheshin të gjithë mësuesit, 48 orë më pas një pjesë e tyre mund të shfaqnin shenja. Testimi është për efekt studimi dhe jo vijueshmërie. Nuk është element vlerësimi dhe i kapjes në kohë të rastit.”
Kur kanë kaluar më shumë se 2 muaj nga nisja e shkollës, efektet e pandemisë kanë rezultuar me pasoja fatale për disa mësues.
Ne pyetëm në zyrën e shtypit në ministrinë e Arsimit se sa është numri i viktimave nga Covid-19 nga radhët e mësuesve dhe sipas saj bëhet fjalë për 7 mësues.
“Sa i përket numrit të mësuesve që janë prekur nga Covid-19, kjo shifër nuk mund të jepet, për shkak të dinamikës. Ata që preken zëvendësohen dhe më pas ata që shërohen rikthehen në shkolla, ndaj nuk mund te ketë një shifër.” – thanë burimet pranë MASR për “Faktoje”.
Numri i rasteve pozitivë me Covid dhe ai i viktimave për shkak të këtij virusi, në radhët e mësuesve, kontestohet nga opozita. Partia Demokratike thotë se numri i mësuesve që kanë humbur jetën është më i lartë. Sipas Ndriçim Mehmetit, ekspert për çështje të arsimit janë të paktën 10 mësues që kanë humbur betejën me Covid-19.
“10 mësues kanë mbetur viktimë e koronavirusit, 2 në Elbasan, 2 në Fier, 2 në Lushnje, 1 në Gramsh, 1 në Prrenjas, 1 në Roskovec dhe 1 në Pogradec. Janë mbi 600 mësues të prekur dhe mbi 1230 nxënës, nga të dhënat qe na vijnë në mënyre operative nga mësuesit në gjithë vendin. Ndërkaq në Tiranë, nuk ka më dezinfektantë në shumë shkolla” – shprehet Mehmeti për “Faktoje”.
Postim i ministres Kushi në Facebook
Në mesazhet e shpeshta të ministres Evis Kushi për mësuesit, që humbën betejën me Covid-19, bëhet thirrje për të treguar rigorozitet në zbatimin e çdo mase që e parandalon këtë virus.
Postim i ministres Kushi në Facebook
Eksperti Ndriçim Mehmeti sugjeron, se ndryshe nga ajo që thonë autoritetet e ISHP, testimi në masë i mësuesve është një strategji e domosdoshme:
“Mund të zbatohej në ato që cilësohen ‘zonat e kuqe’ dhe si fillim në grupmoshën 40-65 vjeç” – thotë ai për “Faktoje”.
Ndryshe nga Shqipëria, në Itali u ndoq strategjia e depistimit të mësuesve ende pa nisur viti shkollor.
Albert Troci, është mjek kirurg që punon prej vitesh në në spitalin “Luigi Sacco” në Milano. Ai tregon se testimi i stafit të shkollave në Itali, u krye para nisjes së procesit mësimor, në bazë vullnetare, por me pjesëmarrje masive.
Albert Troci, mjek kirurg
Sipas tij, fillimisht është aplikuar metoda e testit të shpejtë (test i cili ende edhe sot nuk ka mbërritur në Shqipëri) dhe në rast se rezulton pozitiv, më tej kryhet testi PCR ose tamponi. Kjo procedurë është ndjekur në mënyrë periodike dhe mjeku shpjegon pse është i rëndësishëm ky proces.
“Është i rëndësishëm për të shmangur, e para që shkollat të kthehen në vatra dhe e dyta të ketë sa më pak humbje në procesin mësimor. Nëse një nxënës apo mësues rezulton pozitiv, gjë që ka ndodhur, nis procedura e testimit për klasën dhe kontaktet e rastit. Deri në dalje të rezultateve të testimeve, klasa është e izoluar, madje ka pasur raste që e gjithë shkolla është izoluar bashkë me stafin pedagogjik”- shprehet ai për “Faktoje”.
Shkollë në Korçë
Prindër dhe mësues nga qytete të ndryshme janë të shqetësuar dhe thonë se testimi do të kishte qenë një zgjidhje e mirë.
Maria Kuqo ka vajzën në shkollën “Sotir Gurra” në Korçë dhe na thotë se çdo ditë është mes pasigurisë se e bija mund të infektohet në shkollë dhe të sjellë virusin në shtëpi.
“Unë nuk jam e sigurt sa plotësohet vërtet siguria në shkollë. Në shkollë ku kam gocën kanë dalë 7 mësues me Covid, i zëvendësuan, ama fëmijët vazhdojnë shkojnë në shkollë. Unë jam pro testimit të mësuesve, madje njëherë në javë të testohen.” – shprehet ajo.
Një shqetësim të tillë me sa duket e ndajnë edhe vetë mësuesit, por ngurrojnë të flasin. Në kushtet e anonimatit një mësues në Korçë na thotë se përballen çdo ditë me rrezikun e infektimit.
“Në shkollën ku unë bëj mësim nuk ka mësues, por nxënës pozitivë. Vetëm nxënësit pozitivë janë karantinuar, por kush ka garancinë se nuk janë infektuar edhe shokët e tyre dhe ne mësuesit që jemi përditë aty?” – thotë i shqetësuar ai.
Sipas të dhënëve zyrtare Korça është qarku i katërt me më shumë të infektuar nga koronavirusi. Deri më 17 nëntor, atje rezultonin 844 të infektuar të konfirmuar.
Të rinj në Korçë pa maskë
Shkolla “Sotir Gurra”, në atë qytet është një prej institucioneve arsimore që u mbyll përkohësisht, për shkak të rasteve të rejave me koronavirus. Të tjera shkolla raportohet të jenë mbyllur edhe në Elbasan, Gramsh, Korçë, Sarandë, Krujë dhe Kavajë.
Eksperti i Shëndetit Publik, Erion Dasho, i cili ushtron profesionin në Gjermani, vlerëson se masat për shmangien e përhapjes së pandemisë në Shqipëri kanë qenë kaotike dhe të paorientuara, as nga situata epidemiologjike dhe as nga evidencat.
Për sa i takon masave të marra në shkolla ai shprehet se testimi në masë, sidomos në ambiente ku ka patur raste është një praktikë efektive e ndjekur nga shumë vende.
“Sigurisht testimi periodik i mësuesve dhe testimi në masë i nxënësve, sidomos në vendet ku ka raste, është një praktikë që e ndjekin shumë vende të botës, ose në rast se testet janë të pamjaftueshme, të paktën karantina dhe izolimi i rasteve që klasifikohen si kontakte të afërta” – shprehet ai.
Të rinj në Korçë pa maskë
Duke iu referuar edhe përvojës gjermane, Dasho thotë se janë mbyllur disa aktivitete, ndërsa mbyllja e shkollave shihet si vendimi i fundit, por thekson se atje janë marrë masa të mirëorganizuara, që përfshijnë edhe testimin në shkolla.
Në fund, Dasho thekson se në momentin që masat do hartohen nga specialistë të shëndetit publik dhe jo nga politikanë, vetëm atëherë do kemi një situatë kur përhapja e Covid-it në Shqipëri do të mund të konsiderohet nën kontroll.