Pagat e mësuesve pritet të rriten me 6% këtë vit, sipas një premtimi të ministres së Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi. Ministria e Financave sqaroi se rritja do të ndodhë jo më parë se korriku i këtij viti, ndërsa mësuesit janë të paqartë se mbi ç’baza do të bëhet kjo rritje. Nga ana tjetër, inflacioni i lartë dhe shtrenjtimi i produkteve dhe shërbimeve, për shkak të krizës nga lufta në Ukrainë vë në diskutim nëse rritja 6% e pagës do të jetë domethënëse. Ekspertët shprehen se çdo rishikim apo rritje page mbron pagëmarrësit duke u mundësuar ruajtjen e nivelit të jetesës gjatë një periudhe krize.
—————————————————————–
“Së pari unë dua të ndaj me ju lajmin shumë të mirë për të gjithë mësuesit dhe mësueset në të gjithë Shqipërinë. Vitin e ardhshëm pagat do të rriten me 6%. Këtë herë, ky është hapi i parë i premtimit tonë që brenda këtij mandati pagat e mësuesve të rriten në 40%”- premtoi ministrja e Arsimit Evis Kushi në 22 tetor të vitit 2021.
Nisur nga kjo deklaratë, Faktoje iu drejtua me një kërkesë për informacion Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, nëse rritja e premtuar e pagave për këtë kategori, ka ndodhur.
Kërkesa për informacion dërguar Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, 4 mars 2022
“Rritja e pagës për mësuesit për vitin 2022 është parashikuar të ndodhë më datë 1 korrik 2022. Masa e rritjes së tyre, dhe të tjera informacione më të detajuara mbi këtë parashikim, mund t’i gjeni pas miratimit të kësaj rritjeje nga Këshilli i Ministrave, me vendimin përkatës”- njofton Ministria e Financave, në përgjigjen zyrtare.
Faktoje bisedoi me mësues, të cilët konfirmuan se deri më tani, nuk ka pasur ende rritje pagash për ta.
“Rritje pagash?! Deri më tani nuk kemi ndonjë shtesë në pagë. Urojmë të bëhet sa më parë, pasi mësuesit në Shqipëri janë të keqpaguar”- tha një mësuese.
Ne pyetëm edhe zv.presidentin e Sindikatës së Pavarur të Arsimit, Isa Halili, i cili theksoi se është e paqartë sa do jetë rritja
Sipas tij, pagat e ulëta të mësuesve kanë sjellë edhe efekte të tjera, duke bërë që studentët të mos e zgjedhin si profesion mësuesinë.
“Nuk kemi rritje rrogash në 2022. Është premtuar që do rriten 6% në korrik, por nuk është bërë e ditur 6% e rrogës totale, e pozicionit apo e bazës? Kështu është e paqartë sa do jetë rritja. Mbetet problem indeksimi i inflacionit. Mësuesit vazhdojnë të jenë të pakënaqur me rrogat dhe kjo ka sjellë që degët e mësuesisë në universitete nuk po preferohen nga të rinjtë. Shumë shpejt, me këtë trend do kemi mungesë mësuesish në profile të ndryshme. Sipas të dhënave tona kemi mbyllje degësh të profileve të mësuesisë në universitete për shkak të mungesës së studentëve” – u shpreh Isa Halili nga Sindikata e Arsimit.
Si e shohin ekspertët rritjen e pagave për mësuesit
Faktoje bisedoi me ekspertë të ekonomisë për të kuptuar se si do të reflektohet kjo rritje prej 6% në pagat e mësuesve, në këtë kohë krizash globale.
“Në të gjithë botën po vihet re një rritje e inflacionit, e cila është pasojë e një kombinimi faktorësh, që nga efektet e pandemisë në zinxhirin global të prodhimit, kriza energjetike e fundit të vitit 2021 dhe lufta në Ukrainë, e cila i ka përkeqësuar efektet e krizës energjetike.
Në Shqipëri, gjatë fundit të vitit 2021 dhe tremujorin e parë të vitit 2022 është vënë re nje tendencë rritjeje e inflacionit dhe sipas parashikimeve të Bankës së Shqipërisë, gjatë këtij viti inflacioni do të jetë mbi 3%, ndërkohë që pritet që gjatë vitit 2023 inflacioni të bjerë sërish në nivelet e para krizës.
Normalisht, inflacioni redukton fuqinë blerëse të parasë dhe ka nje efekt negativ tek çdo pagëmarrës, jo vetëm tek mesuesit. Prandaj çdo rishikim apo rritje page mbron pagëmarrësit duke u mundësuar atyre ruajtjen e nivelit të jetesës gjatë një periudhe krize.
Nëse gjykojmë ftohtë dhe vetëm mbi bazë shifrash, rritja prej 6% është më e lartë se norma e inflacionit e përllogaritur nga BSH dhe INSTAT”- sqaron eksperti Enkelejd Musabelliu.
Më 3 nëntor të vitit që lamë pas, kryeministri Edi Rama u shpreh se synohet rritja e pagave të mësuesve me 40% brenda mandatit të tretë
“Në projektbuxhetin e vitit 2022 vijon rritja e pagave për të gjithë mësuesit dhe projeksioni ynë i mandatit të tretë është që pagat të rriten padiskutim edhe 32%, por mundësisht të realizojmë objektivin e rritjes 40% të tyre”- u zotua Rama.