Pretendimi: Miliarderi Elon Musk ka thënë se Neuralink mund të bëjë të mundshëm komunikimin mes njerëzve dhe kafshëve në 2028
Verdikti: E pavërtetë
———————————————————————————
Në rrjete sociale, përfshi ato shqipfolëse, po qarkullon lajmi (arkivuar këtu) se miliarderi Elon Musk ka deklaruar se neuroteknologjia Neuralink do të mundësojë komunikimin mes njerëzve dhe kafshëve brenda vitit 2028.

Megjithatë, pretendimi nuk shoqërohet me ndonjë provë, burim apo referencë të kësaj deklarate.
Nuk ka asnjë njoftim zyrtar se Musk ka caktuar këtë datë, ose se kompania e tij, Neuralink, po përgatitet të prezantojë ndonjë teknologji që do të mundësojë biseda me kafshët.
Një kërkim me fjalë kyçe në llogaritë e Musk në rrjete sociale nuk jep ndonjë deklaratë të tillë.
Neuralink përqendrohet në zhvillimin e ndërfaqeve që lidhin trurin me kompjuterët, përmes regjistrimit dhe analizimit të sinjaleve nervore. Kjo u mundëson personave të paralizuar të kontrollojnë pajisje dixhitale dhe të komunikojnë duke përdorur mendimet e tyre, gjë që është ndryshe nga përkthimi i mendimeve të kafshëve në gjuhën njerëzore.
Aktiviteti nervor duhet interpretuar në lidhje me një detyrë, një trup, një mjedis dhe një individ të caktuar. Në rastin aktual të përdorimit te njerëzit, Neuralink ka një fushëveprim relativisht të kufizuar: identifikimin e një qëllimi dhe shndërrimin e tij në një veprim. Për të kuptuar një qen, studiuesit do të duhej të përcaktonin se çfarë domethënieje ka një model nervor për atë qen, si lidhet ai me botën e tij shqisore dhe sjelljen e tij, si dhe nëse ndonjë përkthim i propozuar përputhet me atë që qeni po përpiqet të komunikojë.
Earth Species Project është një organizatë kërkimore që përdor inteligjencën artificiale për të studiuar tingujt dhe modelet e komunikimit të specieve të ndryshme. Teknologjia e tyre mund të ndihmojë në analizimin e regjistrimeve zanore, njohjen e llojeve të vokalizimeve dhe identifikimin e specieve të kafshëve.
Ekziston gjithashtu Project CETI (Iniciativa për Përkthimin e Cetaceve), e cila përqendrohet në studimin e komunikimit të balenave kashalot. Duke përdorur inteligjencën artificiale, studiuesit analizojnë regjistrimet zanore nënujore për të identifikuar modelet e komunikimit dhe për të kuptuar kontekstin e vokalizimeve të balenave.
Ndërkaq, kundër Neuralink ka patur kritika lidhur me testimet e mëparshme te kafshët.






