Arrestimi për korrupsion në Ukrainë jo lidhje me fondet e BE

11

Pretendimi: Kjo video tregon ku përfundojnë fondet e Bashkimit Europian për Ukrainën

Verdikti: Mungon konteksti

————————————————————————–

Në rrjete sociale, përfshi ato shqipfolëse, po qarkullon një video (arkivuar këtu) që duket se tregon një burrë të rrethuar nga oficerë të rendit dhe një pirg parash në tokë para tij. Video shoqërohet me pretendimin se këto janë paratë e fondeve që Bashkimi Europian i ka dërguar Ukrainës si ndihmë pas luftës që nisi në 2022.

Megjithatë, për të mbështetur këtë pretendim nuk ofrohet ndonjë shpjegim, provë, burim apo referencë.

Abonohu në newsletter

Merr lajmet më të fundit direkt në email.

Me anë të motorit të kërkimit pamor Google Lens, Faktoje gjeti se video e mësipërme qarkullon në rrjet prej shtatorit 2026 dhe shfaqet në një numër artikujsh nga mediat ukrainase që raportonin mbi ndalimin në flagrancë së një avokati nga autoritetet ukrainase në Kiev.

Sipas raportimeve, avokati dyshohej se kishte kërkuar 5 milionë dollarë për të ndikuar te zyrtarët e zbatimit të ligjit dhe për të mbyllur procedimet penale. Ai u ndalua në një bankë në distriktin Pechersk ndërsa po merrte 3,8 milionë dollarë, si pjesë e shumës së rënë dakord. Operacioni u krye nga Shërbimi i Sigurisë së Ukrainës, Byroja Shtetërore e Hetimit dhe Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm.

Sipas materialeve të çështjes, avokati i ofroi ndihmë për të “zgjidhur çështjen” me organet e zbatimit të ligjit një personi të pandehur në një çështje penale që lidhej me mashtrimin, falsifikimin e dokumenteve dhe legalizimin e të ardhurave.  

Kundrejt shumës prej 5 milionë dollarësh, avokati dyshohet se premtoi të përdorte lidhjet dhe ndikimin e tij për të arritur pushimin e ndjekjes penale. Gjithashtu, sipas hetimeve, ai dha garanci se i pandehuri nuk do të shpallej në kërkim ndërkombëtar, se informacione rreth tij nuk do t’i përcilleshin Interpolit, si dhe se llogaritë e tij bankare dhe pasuritë nuk do të sekuestroheshin.

Në asnjë nga raportimet nuk përmendet, aludohet, e aq më pak provohet se këto para kishin ndonjë lidhje me fondet e Bashkimit Europian apo luftën me Rusinë.