I gjeneruar imazhi i Qendrës Hebraike në godinën e Teatrit të Kukullave

55

Pretendimi: Ky imazh tregon se si Teatri i Kukullave në Tiranë është shndërruar në qendër hebraike

Verdikti: Mungon konteksti, Gjeneruar me AI

—————————————————————————–

Në rrjetet sociale shqipfolëse po qarkullon pretendimi se godina e Teatrit të Kukullave në Tiranë mund të kthehet në një qendër hebraike. Pretendimi shoqërohet edhe me një imazh që duket se tregon këtë godinë me shenjën “Qendra Hebraike” dhe flamuj izraelitë në krahët e saj.

Postimi që shoqëron imazhin i referohet një deklarate të gazetarit Blendi Fevziu ku ai është shprehur kundër mundësisë së këtij shndërrimi.

Abonohu në newsletter

Merr lajmet më të fundit direkt në email.

Megjithatë, imazhi i mësipërm nuk është pjesë e ndonjë projekti apo plani zyrtar. Ai është gjeneruar me anë të programeve kompjuterike të inteligjencës artificiale (AI).

Kjo konfirmohet edhe nga mjeti zyrtar i verifikimit të OpenAI, i cili identifikon imazhet e krijuara me inteligjencë artificiale përmes pranisë së teknologjisë SynthID. 

Rezultati konfirmoi se fotografia përmban një gjurmë SynthID me origjinë nga OpenAI, çka tregon se imazhi është gjeneruar me inteligjencë artificiale.

SynthID është projektuar për t’i mbijetuar modifikimeve të zakonshme të imazheve, si prerja, ndryshimet e ngjyrave, fotografimi i ekranit apo kompresimi i skedarëve, duke e bërë të mundur gjurmimin e origjinës së përmbajtjes së gjeneruar.

Për të parandaluar që përmbajtje të tilla të keqinterpretohen, është e rëndësishme që çdo video, foto ose material tjetër i gjeneruar ose i manipuluar me inteligjencë artificiale të shënohet si i tillë. Kjo do të ndihmojë në informimin e audiencës dhe në mbrojtjen e tyre nga dezinformimi. Meta i detyron përdoruesit të etiketojnë videot e gjeneruara me AI si të tilla.

Ndërkohë, ministri i Kulturës Blendi Gonxhja deklaroi më 18 nëntor se godina e Teatrit të Kukullave nuk do të ndryshojë destinacion dhe do të vijojë t’u shërbejë fëmijëve.

Në përgjigje ndaj Gonxhes, gazetari Blendi Fevziu deklaroi se ka patur një plan të tillë të propozuar në vitin 2017 nga kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj në një mbledhje të Këshillit Bashkiak.

Ndërtimi i një Muzeu Hebraik në qytetin e Vlorës po shoqërohet prej disa muajsh me protesta nga grupime të ndryshme qytetarësh, pas dyshimeve të para se ndërtesa do të prishte ndërtesën historike të Klubit Patriotik “Labëria”.