Pretendimi: Ky imazh tregon një ushtar izraelit që pozon me çorapen e një vajze të vogël palestineze të vrarë në Gaza
Verdikti: E pavërtetë, Gjeneruar me AI
——————————————————————————-
Një imazh (arkivuar këtu) që po qarkullon në rrjete sociale, përfshi ato shqipfolëse, pretendohet se tregon një ushtar izraelit në Gaza që mban në dorë çorapen e një vajze të vogël palestineze pasi e ka vrarë, duke filmuar veten duke buzëqeshur.

Për të mbështetur këtë pretendim nuk sillet ndonjë provë, burim apo referencë përtej imazhit të mësipërm.
Megjithatë, imazhi i mësipërm nuk është i vërtetë. Ai është gjeneruar me anë të programeve të inteligjencës artificiale (AI).
Tregues të origjinës së gjeneruar të imazhit janë ylli dhe stema e deformuar në uniformën e ushtarit.

Ylli i gjeneruar i Davidit (lart) dhe ai i vërteti (poshtë)

Stema me ‘Izraelin e Madh’ e gjeneruar (lart) dhe e vërtetë (poshtë)
Origjina e gjeneruar e videos konfirmohet nga prania e gjurmës SynthID, detektuar nga Gemini, agjenti AI i Google.

Një zëdhënës i Google ka thënë për AFP se kur zbulohet një gjurmë SynthID, kjo do të thotë që “imazhi është gjeneruar ose modifikuar me AI.” SynthID, i lançuar nga laboratori DeepMind AI i Google në 2023, identifikon imazhet e gjeneruara me Google AI.
SynthID është projektuar për t’i mbijetuar modifikimeve të zakonshme të imazheve, si prerja, ndryshimet e ngjyrave, fotografimi i ekranit apo kompresimi i skedarëve, duke e bërë të mundur gjurmimin e origjinës së përmbajtjes së gjeneruar.
Në 2024, ushtarët izraelitë kanë postuar vërtet foto dhe video të vetes duke luajtur me të brendshme grash, të gjetura në shtëpi palestineze në Gaza.






