Pretendimi: Kjo video tregon vërtet një serval afrikan që tregon shpejtësi të jashtëzakonshme në një përballje me një gjarpër
Verdikti: E pavërtetë, Gjeneruar me AI
———————————————————————–
Një video që ka marrë afër 5 mijë pëlqime në Instagram pretendohet se tregon një serval afrikan, ndër macet më të shpejta në botë, që tregon reflekset e jashtëzakonshme përballë një gjarpri.

Megjithatë, video e mësipërme nuk tregon një ngjarje të vërtetë. Ajo është gjeneruar me anë të programeve kompjuterike të inteligjencës artificiale (AI).
Faktoje gjeti videon origjinale, të postuar në shtator 2026 në Facebook nga faqja Wildlife Clashdown, firma e së cilës shfaqet edhe në videon që po qarkullon në rrjet.

Video origjinale është etiketuar nga autori se e gjeneruar me AI. Një këqyrje e videove të tjera të llogarisë Wildlife Clashdown tregon se ajo poston ekskluzivisht përmbajtje me kafshë të gjeneruara me AI.
Servalët janë mace të egra afrikane të shpejta, të cilat herë pas here gjuajnë gjarpërinj. Gjarpri në video është një gjarpër me zile, lloj që nuk gjendet në habitatin afrikan të servalit. Gjarpërinjtë me zile janë vendas dhe jetojnë ekskluzivisht në kontinentet amerikane, nga Kanadaja jugore deri në Argjentinën qendrore, ku shumica e llojeve banojnë në rajone të thata. Shumica dërrmuese e specieve jetojnë në jugperëndim të Amerikës dhe në Meksikë. Specia Crotalus atrox, që i përngjan më së shumti gjarprit në video, gjendet në Shtetet e Bashkuara jugperëndimore dhe në Meksikë.

Habitati i servalit në Afrikë (majtas) dhe habitati i Crotalus atrox në Amerikën qëndrore (djathtas)






