Pretendimi: Kjo video tregon një 14-vjeçar të torturuar në një burg ilegal në Kiev i administruar nga Garda Kombëtare e Ukrainës
Verdikti: Mungon konteksti
————————————————————————-
Një video (arkivuar këtu) që po qarkullon në rrjete sociale, përfshi ato shqipfolëse, pretendohet se tregon një djalë 14 vjeçar, i cili është shpëtuar nga një burg ilegal të gardës ukrainase, që u zbulua në periferi të Kievit.

Më 2 nëntor 2026, në Petropavlivska Borshchakhovka, një periferi perëndimore e Kievit, qindra njerëz u mblodhën jashtë një godine, pasi në rrjete sociale u përhapën pretendime se rreth 40 ushtarakë ukrainas po mbaheshin kundër vullnetit të tyre dhe po torturoheshin në një shtëpi private. Demonstrata u përshkallëzua në përleshje me policinë dhe oficerët e Gardës Kombëtare.
Në një deklaratë të publikuar më 2 nëntor, Trupa e Parë “Azov” konfirmoi se ndërtesa po përdoret si pikë e përkohshme vendosjeje për njësinë ushtarake 3121 të Gardës Kombëtare, e cila është pjesë e kësaj trupe.
Trupa e Parë “Azov” pranon se katër ushtarakë, të ndaluar në atë vend pasi ishin larguar nga njësia e tyre ushtarake, kishin pësuar lëndime dhe janë dërguar në spital për ekzaminim.
Një sërë videosh të publikuara nga mediat ukrainase tregojnë një të ri me pantallona të gjelbra duke u ngjitur në gardhin e një objekti ushtarak gjatë përleshjeve të datës 2 nëntor.
Gazetari i The Kyiv Independent, Francis Farrell, i cili ndodhej në vendngjarje, tregon se “në të majtë të hyrjes kryesore të ndërtesës, një adoleshent me flokë biondë deri në supe u ngjit në një pemë, nga ku nisi të filmonte oborrin dhe fyente ushtarët që ndodheshin brenda.” Farrell e filmoi djalin teksa “hidhte tulla, njëra pas tjetrës, të cilat ia kalonin njerëzit nga turma.”
“Në fund, ai u pa duke rënë nga gardhi brenda në oborr”, shkroi Farrell në The Kyiv Independent.
Një gazetar tjetër nga media franceze BFMTV, i pranishëm në përplasjen mes protestuesve dhe pjesëtarëve të ushtrisë, konfirmon se i riu ishte një nga protestuesit i cili, pas incidenteve, u arrestua dhe u “dërgua në ndërtesë.”
I pyetur nga AFP më 5 nëntor nëse i riu që kishte filmuar ishte i njëjti djalë që më vonë u nxor nga ndërtesa, Farrell u përgjigj: “Është padyshim ai; fytyra e tij duket mjaft qartë këtu”, duke dërguar një video të shkurtër që e kishte filmuar vetë.

Pamje nga një videoregjistrim i realizuar më 2 nëntor 2026 (djathtas) dhe pamjet që i janë vënë në dispozicion AFP nga Francis Farrell (majtas)
Një video e publikuar në Telegram nga agjencia ukrainase e lajmeve UNIAN tregon Kirill Budanov, kreun e zyrës së presidentit ukrainas, duke biseduar me një djalë brenda ndërtesës, në mbrëmjen e 2 nëntorit.
Djali qëndron i mbështjellë me një batanije dhe duket i frikësuar. Kur pyetet se sa vjeç është, ai përgjigjet se është 14 vjeç. Më pas, Budanovi e pyet nëse ka ardhur vetëm apo me të tjerë. Djali përgjigjet se ka ardhur me disa djem të tjerë, të cilët tashmë janë larguar. Budanovi kontaktoi motrën e djalit dhe i kërkoi asaj të vinte për ta marrë. Më vonë, ai iu drejtua protestuesve të mbledhur jashtë dhe u kërkoi ta linin atë të hynte, në mënyrë që të mund të merrte vëllain e saj.
Media publike ukrainase Suspilne raportoi gjithashtu mbi ngjarjet brenda ndërtesës.
Video që po qarkullon në rrjet tregon largimin e djalit nga godina, që u filmua gjithashtu nga UNIAN.
Nga krahasimi i pamjeve të djalit teksa nxirrej jashtë, ku duken pantallona të gjelbra nën batanije, me videon që tregon një djalë me flokë të gjata bionde dhe pantallona të gjelbra mbi gardh, më herët atë mbrëmje, vërehet se kemi të bëjmë me të njejtin person.

Media investigative ukrainase Slidstvo.Info foli me një veteran ushtarak, i cili hyri në ndërtesë së bashku me Budanov. Ai tha se i riu e kaloi gardhin pasi nisën përplasjet dhe nuk bënte pjesë në mesin e personelit ushtarak të vendosur në atë objekt.
Më 4 nëntor, Shërbimi Shtetëror i Ukrainës për Çështjet e Fëmijëve dha informacione shtesë rreth të riut, pasi shërbimet vendore për mbrojtjen e fëmijëve kontaktuan familjen e tij. Sipas deklaratës, të cituar nga Ukrinform, i riu kishte shkuar në demonstratë pas mbarimit të mësimit më 2 nëntor, pasi kishte mësuar për ngjarjet përmes një kanali në Telegram.
Sipas informacioneve të bëra publike nga ky shërbim, i riu humbi ekuilibrin kur njerëzit filluan ta tundnin gardhin dhe ra brenda në oborr. Megjithatë, rrethanat e lëndimeve të tij mbeten të paqarta, pasi më vonë ai pretendoi se ishte rrahur brenda në ambientet e objektit.
Në një deklaratë të publikuar më 3 nëntor, një i ri i identifikuar si personi që shfaqet në pamjet e mësipërme pohoi se u ngjit në gardh gjatë demonstratës dhe, pasi ra në anën e brendshme, u rrah me lopata, u godit me shkelma dhe me grushte nga persona të maskuar. I riu tregon se është shtruar në spital për shkak të lëndimeve të marra.
Policia e Kievit botoi një deklaratë në Telegram në lidhje me ngjarjet në qytezën Petropavlivska Borshchagivka:
“Policia në rajonin e Kievit mori një njoftim nga punonjës të një shërbimi privat të ambulancës, të cilët raportuan se u ishte pamundësuar qasja te një qytetar. Me të mbërritur në vendngjarje, oficerët e policisë konstatuan se incidenti kishte ndodhur pranë një banese private, ku ndodheshin pjesëtarë të një njësie të Gardës Kombëtare të Ukrainës. Në afërsi të vendit të ngjarjes ishin mbledhur edhe banorë të zonës. Pretendimet për ndalim të paligjshëm të personave dhe për vdekjen e një qytetari janë të pavërteta.”
Komandanti i Gardës Kombëtare, Oleksandr Pivnenko, deklaroi se bëhej fjalë për një ndërtesë që ushtria e kishte marrë me qira, pasi nuk dispononte një Pikë të Përhershme Vendosjeje të sajën dhe, rrjedhimisht, i duhet një hapësirë për të akomoduar personelin e mobilizuar përpara se ata të dërgohen për trajnim.
Pas përleshjeve, Budanov deklaroi se “agjencitë e sigurisë dhe institucionet e autorizuara po sqarojnë të gjitha detajet për të krijuar një pamje objektive dhe të plotë të asaj që ndodhi, për të marrë masat e nevojshme për t’i mbajtur përgjegjës personat përgjegjës dhe për të parandaluar që kjo të ndodhë përsëri në të ardhmen”.
Avokati i Popullit ukrainas Dmytro Lubinets bëri gjithashtu thirrje të martën për një hetim mbi incidentin për të përcaktuar pse anëtarët e Gardës Kombëtare ishin të pranishëm në shtëpi dhe çfarë aktivitetesh po kryenin atje.
Sipas transmetuesit shtetëror ukrainas Suspilne, disa nga njerëzit që u mblodhën jashtë shtëpisë në fjalë për të protestuar thanë se ishin të afërm të burrave të rekrutuar që dyshohet se po mbaheshin kundër vullnetit të tyre brenda ndërtesës.






