Pretendimi: Kjo video tregon një emigrant shqiptar në Kroaci duke u zënë fizikisht me dy serbë
Verdikti: Mungon konteksti
———————————————————————-
Një video që ka marrë mbi 15 mijë pëlqime dhe është shpërndarë mbi 11 mijë herë në Instagram pretendohet se tregon një emigrant shqiptar nga Postriba e Shkodrës, i cili punon si korrier në Kroaci, duke u përplasur fizikisht me dy serbë.

Megjithatë, për ta mbështetur pretendimin nuk jepet ndonjë detaj identifikues si vendi dhe koha kur ka ndodhur ngjarja e pretenduar.
Me anë të motorit të kërkimit pamor Google Lens, Faktoje gjeti se video e mësipërme qarkullon në rrjet të paktën prej marsit 2025.
Raportimet e asaj kohe në faqe të ndryshme pretendonin se incidenti kishte ndodhur më 17 mars 2025 në Kinë, por pa specifikuar në cilin qytet apo provincë.
Vërejmë nga orientimi i tekstit në të se video që po qarkullon në rrjet duket e pasqyruar horizontalisht. Duke e pasqyruar sërish horizontalisht për të përftuar videon origjinale, Faktoje gjeti se teksti në shenjat në sfond të videos, megjithëse disi i turbullt, qartazi është shkruar në alfabetin kinez.

Më tej, në një moment të videos duket një logo në kurrizin e xhupit të motoristit. Ajo i përngjan logos së kompanisë së shpërndarjes kineze FlashEx.

FlashEx vetëpërshkruhet si ofruesi më i madh i shërbimeve të dërgesave brenda qyteteve në Kinë me prani në më shumë se 220 qytete kineze, si dhe në Singapor, Malajzi dhe Hong Kong.

Kështu, megjithëse nuk mund të përcaktohet me saktësi ku në Kinë është filmuar video e mësipërme, ç’është e sigurtë është se ajo nuk është filmuar në Kroaci dhe nuk tregon sherrin mes një shqiptari dhe dy serbësh.






