Kryeministri Edi Rama ka përjashtuar zhvillimin e Samitit të NATO-s në Tiranë gjatë vitit 2027, duke zhvendosur pritshmërinë për organizimin e tij në vitin 2028.
Nga Dublini, ku ndodhet për takimin e Komunitetit Politik Evropian, Rama deklaroi më 12 nëntor se ende nuk ka një dakordësi mes vendeve anëtare për kohën e zhvillimit të samitit.
“Shqipëria projektohet si mikpritësja e ardhshme e samitit të NATO-s. Çështja është që nuk është arritur një qëndrim i përbashkët se kur do të zhvillohet samiti. Është e sigurt jo në 2027. Në 2028, nëse do të ketë një samit, do të zhvillohet në Tiranë”, tha kryeministri.
Deklarata e fundit vjen në kontrast me qëndrimet që Rama ka mbajtur më herët kur konfirmonte se Shqipëria do të priste Samitin e NATO-s në vitin 2027.
Më 8 korrik 2026, pas përfundimit të Samitit të NATO-s në Ankara, kryeministri publikoi një video në rrjetet sociale, ku, përkrah delegacionit shqiptar, shprehej me siguri dhe krenari njëzëri me ta se samiti i ardhshëm do të zhvillohej në Tiranë.
“Ka ikur ajo kohë kur bëhej çfarë të donin të tjerët me Shqipërinë. Tani Shqipëria bën atë që thotë dhe thotë atë që bën. Kështu që samiti i ardhshëm do të jetë në Tiranë”, deklaroi Rama.

Viti 2027 ishte artikuluar nga ai edhe para kësaj date.
Më 26 gusht 2024, gjatë Konferencës së Ambasadorëve, ai deklaroi se Shqipëria do të mirëpriste Samitin e NATO-s në vitin 2027.
“Ky besim i fituar, na bën sot të jemi vendi që do të mikpresë vendet e 44 shteteve evropiane, vitin e ardhshëm në Samitin e Komunitetit Politik Evropian. Dhe po ashtu, ky respekt, ky besim, na jep mundësinë të jemi mikpritës të Samitit të NATOS në vitin 2027. Këto as nuk mund të imagjinoheshin deri disa vite më parë, që Shqipëria të bëhej një pikë referimi dhe të besoheshin të tilla role”, tha Rama.
Për këtë qëllim, qeveria ndërmori edhe hapa institucionalë, duke ngritur Task-Forcën dhe Skuadrën Kombëtare të Organizimit për Samitin e NATO-s.
Por pavarësisht përgatitjeve të nisura nga qeveria shqiptare, vendimi për kohën e zhvillimit të samitit u takonte vendeve anëtare të NATO-s. Këtë e theksoi edhe ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme Ferit Hoxha.
Në podcastin “PA RRENA” të Faktoje, Hoxha sqaroi se koha e organizimit të samitit nuk ishte përcaktuar ende dhe se zhvillimi i tij në vitin 2027 varej nga dakordësia e vendeve anëtare.
Edhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, pas Samitit të Ankarasë, konfirmoi Shqipërinë si vendin pritës të takimit të ardhshëm, por la të hapur përcaktimin e datës. Dokumentet e Aleancës konfirmonin vendin pritës, pa përcaktuar shprehimisht vitin 2027.
Përfundim
Ndonëse Shqipëria është konfirmuar si vendi pritës i samitit të ardhshëm, viti 2027 nuk rezulton të ketë qenë një datë e miratuar përfundimisht nga vendet anëtare të Aleancës.
Vetë Rama e përjashtoi këtë afat në deklaratën e tij të 12 nëntorit, duke pranuar se nuk ka ende një dakordësi për kohën e zhvillimit të samitit.
Kështu, Faktoje e konsideron të pavërtetë deklaratën e mëhershme të kryeministrit Edi Rama se Samiti i NATO-s do të zhvillohej në Tiranë në vitin 2027.






