Përfundon faza III e rehabilitimit të lumit Gjanica

Tre vite pas premtimit për vijimin e rehabilitimit të lumit Gjanica, FSHZH konfirmon përfundimin e Fazës III dhe kolaudimin e objektit.

11
gjanica

Nga Jona Cenameri

Tre vjet pasi kryebashkiaku i Fierit, Armando Subashi, premtoi vijimin e rehabilitimit të lumit Gjanica, Faza III e projektit rezulton e përfunduar. Në vitin 2025, kur Faktoje verifikoi projektin, punimet ishin ende në zhvillim dhe Fondi Shqiptar i Zhvillimit parashikonte përfundimin e tyre brenda qershorit 2026.

Në përgjigjen e fundit për Faktoje, FSHZH konfirmon se punimet kanë përfunduar plotësisht dhe objekti është kolauduar më 6 maj 2026. Edhe Bashkia Fier konfirmon mbylljen e punimeve, ndërsa investimi është në proces dorëzimi.

Premtimi

Gjatë fushatës për zgjedhjet vendore të vitit 2023, Armando Subashi e renditi vijimin e rehabilitimit të lumit Gjanica ndër projektet prioritare të mandatit të tij. Projekti është financuar nga qeveria qendrore dhe zbatuar përmes Fondit Shqiptar të Zhvillimit.

Subashi

Rehabilitimi i lumit është realizuar në 3 faza, me ndërhyrje në shtratin dhe brigjet e Gjanicës dhe krijimin e hapësirave publike e shëtitoreve përgjatë saj.

Projekti rikthehet në fushatë

Rehabilitimi i Gjanicës u rikthye në komunikimin politik edhe gjatë fushatës për zgjedhjet parlamentare të vitit 2025. Në prill të atij viti, kryeministri Edi Rama inspektoi kantierin së bashku me Belinda Ballukun, përfaqësues të FSHZH dhe kryebashkiakun Armando Subashi.

Faza përfundimtare u prezantua si një ndërhyrje që do të plotësonte rehabilitimin e lumit brenda qytetit. Dokumentet e prokurimit e përcaktojnë Fazën III si “Rehabilitimi i Lumit Gjanica – Faza e Tretë (Segmenti nga unaza ‘Nuredin Aliu’ – Fillimi i fazës I)”.

Kontrata ka një vlerë përfundimtare prej 422,292,719 lekësh me TVSH. Faza II e projektit përfshinte segmentin nga ish-Ura me Shkallë deri te Ura e Sheqit.

Çfarë gjeti Faktoje në 2025

Në shtator 2025, Faktoje e vizitoi Gjanicën për të parë ecurinë e ndërhyrjes. Nga zona e Sheshit Pavarësia drejt Unazës “Nuredin Aliu”, punimet vazhdonin dhe projekti nuk kishte përfunduar.

FSHZH njoftonte atëherë se punimet e Fazës III pritej të mbylleshin brenda qershorit 2026.

Çfarë thotë Bashkia Fier në 2026

Në përgjigjen e këtij viti për Faktoje, Bashkia Fier konfirmon se zbatimi i Fazës III ka përfunduar dhe se objekti ndodhet në proces dorëzimi.

Bashkia sqaron se projekti është financuar dhe realizuar nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit, i cili ka qenë autoriteti kontraktor dhe investitori. Sipas institucionit, Faza III nuk ka kërkuar procedura shpronësimi për prona private, pasi segmenti i rehabilituar kalon në pronësi shtetërore.

FSHZH: Punimet përfunduan dhe objekti u kolaudua

Fondi Shqiptar i Zhvillimit konfirmon për Faktoje se zbatimi i Fazës III është mbyllur. “Për rehabilitimin e lumit Gjanica, faza III, punimet kanë përfunduar plotësisht dhe objekti është kolauduar më datë 06.05.2026”, sqaron FSHZH. (ver hiperlink pegjgjijen)

Sipas Fondit, gjatë zbatimit janë bërë disa ndryshime, kryesisht ndërhyrje në rrjetin e kanalizimeve të ujërave të zeza të zonës përreth dhe në sistemimin e linjës së ujësjellësit, me kërkesë të Ujësjellës Kanalizime Fier. FSHZH thotë se këto ndryshime nuk kanë ndikuar në vlerën e kontratës.

Institucioni ka nisur ndërkohë procesin e dorëzimit të investimit pranë Bashkisë Fier. Pas marrjes në dorëzim, Bashkia do të jetë përgjegjëse për mirëmbajtjen dhe funksionimin e objektit.

Verifikimi në terren, 2026

Faktoje iu rikthye Gjanicës për të parë situatën pas përfundimit të punimeve.

Në pjesët e rehabilituara, lumi paraqitej i sistemuar dhe shëtitorja e përfunduar. Përgjatë brigjeve ishin të dukshme ndërhyrjet urbane, me trotuare, ndriçim dhe gjelbërim. Deri në zonën e Urës së Sheqit, rehabilitimi ishte qartësisht i dukshëm në terren. 

Pas urës, panorama ndryshonte. Lumi ishte i mbuluar nga bimësi e dendur, kallamishte dhe shkurre.

Përfundimi

Tre vjet pas premtimit të Armando Subashit për vijimin e rehabilitimit të lumit Gjanica, Faza III e projektit rezulton e përfunduar.

FSHZH konfirmon se punimet janë mbyllur dhe objekti është kolauduar më 6 maj 2026, ndërsa Bashkia Fier konfirmon se investimi ndodhet në proces dorëzimi. Nisur nga përfundimi i punimeve të premtuara, Faktoje e kategorizon premtimin si të mbajtur.

Faktoje, e mbështetur nga National Endowment for Democracy (NED), po monitoron 10 bashki në vend dhe po verifikon nëse janë mbajtur ose jo premtimet e dhëna nga kryebashkiakët.

Artikulli paraprakStudentët refuzojnë dialogun me Ramën, kërkojnë dorëheqje!
Jona Cenameri
Jona Cenameri është gazetare, fact-checker. Ajo ka përfunduar studimet në degën Gazetari dhe Komunikim në Universitetin e Tiranës, ku u vlerësua me certifikatë ekselence për arritjet akademike. Punon në Faktoje.al, ku merret me verifikimin e deklaratave publike dhe me shkrime hulumtuese mbi çështje me interes publik. Përvoja e saj profesionale përfshin gazetari investigative, raportim të thelluar dhe ndërkufitar, si edhe monitorim e analizë mediatike, përmes bashkëpunimeve me ACQJ, BIRN Kosovo, IDMC, Thomson Media dhe Canal France International. Në vitin 2024 fitoi çmimin e parë në konkursin “Memoria dhe të Drejtat e Njeriut”, ndërsa në vitin 2025 ishte pjesë e ekipit fitues të konkursit rajonal të CFI-së “Balkan Voices 2”. Ajo është gjithashtu përfituese e bursës së KAS Media Programme South East Europe, e akorduar për studentë të talentuar të gazetarisë.