Pretendimi: Ky imazh tregon se autori i sulmit me armë që vrau 6 persona në Poloni më 7 nëntor 2026 mund të ishte pjesë e ushtrisë polake.
Verdikti: E pavërtetë
———————————————————————–
Pas një sulmi me armë që la 6 persona të vrarë dhe dhjetëra të plagosur në Krakov të Polonisë më 7 nëntor 2026, në rrjete sociale, përfshi ato shqipfolëse, qarkulloi pretendimi (arkivuar këtu) se autori i ngjarjes ishte pjesë e ushtrisë polake.

Si provë për këtë sillet një imazh që pretendohet se tregon vrasësin të veshur me uniformë të ushtrisë polake dhe me armë që i përket ushtrisë.
Sulmi me armë ndodhi në Sheshin Kryesor të Tregut në Krakov, pas orës 15:00. Autori, Michał Oksiński, 24 vjeç, i veshur me uniformë ushtarake, hyri me makinë në shesh dhe më pas nisi të qëllonte ndaj kalimtarëve të rastit. Policia e qëlloi sulmuesin dhe e arrestoi atë. Të hënën në mëngjes, vetë autori vdiq në një spital të Krakovit.
Si pasojë e sulmit, 6 persona mbetën të vrarë dhe 16 të tjerë u plagosën, mes tyre dy oficerë policie dhe autori. Njëmbëdhjetë prej njerëzve ishin shtetas polakë dhe pesë ishin të huaj.
Sipas gjetjeve të policisë, autori ishte shtetas polak dhe banor i Ostrowiec Świętokrzyski. Ai zotëronte leje për armë zjarri dhe nuk kishte precedentë të mëparshëm penalë. Oficerët gjetën armë zjarri të shumta dhe municione në automjetin e tij.
Karolina Gałecka, zëdhënëse e Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Administratës, deklaroi të hënën se tek Oksinski u gjetën “shumë emblema” dhe se të gjitha ato po ekzaminohen ose do të ekzaminohen nga ekspertët. Megjithatë, është ende herët për të thënë nëse ato mund të kenë lidhje me pikëpamjet e autorit. Deklaratat e publikuara në media nga persona që e njohin sulmuesin, nuk lejojnë ende një përcaktim të qartë të bindjeve të tij.
Megjithatë, nuk ka prova se Oksinski ishte pjesë e ushtrisë polake apo kishte një armë të ushtrisë.
Gjyshja e autorit, Maria, tha për mediat vendase se i biri, babai i ndjerë i vrasësit, e pëlqente shumë qitjen. “Për ditëlindjen e tij të 18-të, Janusz i bleu Michał një uniformë. Ai madje u ndërrua në shtëpinë time. I thashë: ‘Harroje këtë punë'”, tha ajo. Megjithatë, ajo nuk e di nëse bëhet fjalë për të njëjtën veshje që Oksinski kishte veshur në Krakov.
Imazhi i mësipërm është modifikuar duke u bazuar mbi një pamje tjetër, më të turbullt, që qarkullon në rrjet pa burim me pretendimin se tregon momentin kur autori qëllohet nga policia.

Nën një flamur të vogël polak, Oksinski kishte një emblemë tjetër të rrumbullakët.
Media polake Wirtualna Polska publikoi një foto tjetër të veshjes së autorit, ku dallohet më qartë stema në krah të uniformës që ai mbante veshur: logoja e shtrigës në malin Łysica, në Voivodeshipin Świętokrzyskie, nga vinte Oksinski. Simboli që u referohet legjendave për kuvendet e shtrigave, të cilat, sipas besimeve, zhvilloheshin në majën e Łysica.

Foto e rrobave të vrasësit botuar nga media vendase ku duket se stema është një stemë turistike nga mali Lysica
Dëshmitarë nga Krakovi thanë gjithashtu se bëhej fjalë për një stemë turistike nga mali Łysica,.
Më tej, Ministri polak i Mbrojtjes, Władysław Kosiniak-Kamysz, mohoi lidhjet e sulmuesit me ushtrinë. Në një postim në rrjete sociale, ai deklaroi se “ky person nuk ka qenë dhe nuk është ushtar i Ushtrisë Polake dhe nuk ka pasur kurrë asnjë lidhje me ushtrinë.”

Eksperti i Rrjetit Kompjuterik Akademik dhe Kërkimor (NASK) polak, Dr. Michał Marek vërejti se narrativa të tilla janë përhapur edhe në hapësirën informative ruse dhe bjelloruse. Narrativat që qarkulluan aty pretendonin se Ministria e Mbrojtjes kishte konfirmuar që sulmuesi ishte ushtar. “Rusët, me gjasë, do të përpiqen ta promovojnë këtë mesazh edhe në arenën ndërkombëtare, duke dëmtuar kështu imazhin e ushtrisë polake,” tha ai.






