Një keqkuptim alarmi për një autor të dytë të masakrës në Krakov

11

Pretendimi: Kjo video tregon një autor të dytë të masakrës që ndodhi në Krakov, Poloni më 7 nëntor 2026

Verdikti: E pavërtetë

————————————————————————-

Pasi një sulm me armë më 7 nëntor 2026 la gjashtë persona të vrarë dhe dhjetëra të plagosur në Krakov të Polonisë, në rrjete sociale, përfshi ato shqipfolëse, nisi të qarkullonte një video (arkivuar këtu) që pretendohej se tregonte një vrasës të dytë në qytetin polak, shoqëruar me një paralajmërim për të qëndruar në shtëpi drejtuar banuesve në Poloni.

Megjithatë, për të mbështetur këtë pretendim nuk sillet ndonjë provë, burim apo referencë.

Sulmi me armë ndodhi më 7 nëntor, në Sheshin Kryesor të Tregut në Krakov, pas orës 15:00. Autori, Michał Oksiński, 24 vjeç, i veshur me uniformë ushtarake, hyri me makinë në shesh dhe më pas nisi të qëllonte ndaj kalimtarëve të rastit. Policia e qëlloi sulmuesin dhe e arrestoi atë. Të hënën në mëngjes, vetë autori vdiq në një spital të Krakovit.

Si pasojë e sulmit, 6 persona mbetën të vrarë dhe 16 të tjerë u plagosën, mes tyre dy oficerë policie dhe autori. Njëmbëdhjetë prej viktimave ishin shtetas polakë dhe pesë ishin të huaj. 

Vetë Departamenti i Policisë së Małopolska ka hedhur poshtë pretendimin se masakra pati një autor të dytë. “Ne i mohojmë raportimet se dikush ka vrapuar mbi çatinë e Kishës së Shën Mërisë. Videoja që qarkullon në rrjetet sociale është e disa orëve më parë; ndërhyrja e policisë u nxit nga një prift, i cili kishte dalë në tarracën e shtëpisë së famullisë,” deklaroi policia në platformën X/Twitter.

Më tej, edhe Ministri i Brendshëm polak Marcin Kierwinski mohoi se ksihte më shumë se një vrasës. “Ne i hedhim poshtë raportimet se në këtë masakër të tmerrshme ka pasur më shumë se një autor. Duket se ka pasur vetëm një autor. Gjithçka tregon se ai kishte pikëpamje tejet radikale. Në makinën që ai drejtonte u gjetën armë të shumta. Autori, i cili është 24 vjeç dhe vjen nga Voivodeshipi Śëiętokrzyskie, ka përdorur një armë automatike. Po ashtu, po kryhen hetime edhe në shtëpinë ku ai banonte. Gjithçka tregon se ai ishte i apasionuar me ideologjitë e së djathtës ekstreme,” deklaroi Ministri i Punëve të Brendshme dhe Administratës.