Esmeralda Topi
Më 24 tetor 2016, Ministria e Mjedisit nënshkroi kontratën koncesionare për trajtimin e mbetjeve në Fier me kompaninë “Integrated Technology Waste Treatment Fier”. Projekti parashikonte ndërtimin, operimin dhe transferimin e impiantit, me një kapacitet prej rreth 180–200 tonësh mbetje në ditë dhe prodhimin e energjisë elektrike.
Më 4 prill 2021, kryeministri Edi Rama publikoi një video tetëminutëshe nga impianti, duke e prezantuar si zgjidhje për problemin e mbetjeve në gjithë qarkun.
“Gati Impianti ultramodern i Përpunimit të Mbetjeve në Fier, që do të mbyllë të tjera plagë mjedisore kancerogjene, fushat e plehrave që prej dekadash të tëra digjen në natyrë, në krejt qarkun e Fierit”, shkruante Rama.

Por pesë vjet më vonë, situata në Vërri është larg këtij premtimi. Impianti nuk u vu në punë si incenerator, ndërsa zona pranë tij përdoret për depozitimin e mbetjeve urbane të gjashtë bashkive të qarkut Fier (Fier, Lushnje, Divjakë, Patos, Roskovec, Mallakastër).
Pamjet satelitore të prillit 2026 tregojnë një sipërfaqe të gjerë të mbuluar me mbetje. Në krah të saj dallohen edhe dy basene me lëng të errët.
Sipas ekspertëve të mjedisit, këto mund të jenë lëngje të krijuara nga dekompozimi i mbetjeve, të njohura si liksiviatë, të cilat mund të përmbajnë ndotës që rrezikojnë tokën dhe ujërat.
Eksperti i mjedisit Olsi Nika paralajmëron se depozitimi i vazhdueshëm i mbetjeve pa infrastrukturën e nevojshme sanitare dhe pa trajtimin e ujërave kulluese mund ta kthejë zonën në një vatër kronike ndotjeje.
Sipas tij, “venddepozitimi që nuk përmbush standardet teknike të një landfilli sanitar përbën një burim serioz dhe të vazhdueshëm të ndotjes së mjedisit”, veçanërisht për shkak të afërsisë me lumin Seman.

Nika shpjegon se lëngjet e krijuara nga dekompozimi i mbetjeve mund të depërtojnë në tokë e në ujërat nëntokësore, ose të përhapen drejt lumit, duke dëmtuar ekosistemet ujore.
“Vendgrumbullimi nuk mund të konsiderohet thjesht një problem i administrimit të mbetjeve, por një burim aktiv i mundshëm i ndotjes shumëkomponentëshe, me efekte të akumuluara dhe potencialisht afatgjata”, argumenton ai.
Për të përcaktuar shkallën reale të rrezikut, eksperti kërkon një vlerësim të menjëhershëm dhe të pavarur të gjendjes mjedisore, pasi, siç paralajmëron, “pa këto ndërhyrje, akumulimi i vazhdueshëm i mbetjeve rrezikon ta shndërrojë këtë vendgrumbullim në një vatër kronike ndotjeje, me pasoja që mund të vazhdojnë edhe shumë kohë pas ndërprerjes së depozitimit”.
Pagesat nisën gjatë ndërtimit
Por përtej pasojave të mundshme mjedisore, rasti i Fierit ngre pikëpyetje edhe për ecurinë e kontratës, pagesat e kryera dhe mundësinë për të verifikuar nëse shteti ka marrë shërbimin për të cilin kishte paguar.
Sipas raportit të monitorimit të kontratës së koncesionit për inceneratorin e Fierit, të publikuar nga Observatori për Kontratat Publike, pagesat nisën ndërsa ndërtimi i impiantit vijonte, afati u shty të paktën dy herë dhe dokumentacioni i siguruar gjatë monitorimit nuk konfirmonte zyrtarisht vënien e tij në punë.
Referuar raportit, pagesat nga buxheti i shtetit për periudhën 2018–2022 arritën në rreth 3,3 miliardë lekë.
Raporti evidenton gjithashtu mungesën e të dhënave operative dhe kufizimet në aksesin në dokumentacionin zyrtar, të cilat pengojnë vlerësimin e plotë të rezultateve të kontratës. Për rrjedhojë, informacioni i disponueshëm nuk mjafton për të përcaktuar nëse pagesat e kryera janë justifikuar nga shërbimet e marra dhe për të vlerësuar përfitimin neto të shtetit nga kjo marrëveshje.
Një tjetër gjetje e raportit lidhet me detyrimin e shtetit për të garantuar një sasi minimale prej 160 tonësh mbetje në ditë. Kjo dispozitë i transferon buxhetit të shtetit një pjesë të riskut të kërkesës, pasi kontrata parashikon një sasi minimale mbetjesh për trajtim.
Për të kuptuar nëse projekti ka prodhuar rezultatet e parashikuara, duhet të dihet jo vetëm sa para janë paguar, por edhe sa mbetje janë trajtuar sipas teknologjisë së kontraktuar, përse impianti nuk ka funksionuar dhe çfarë shërbimi është ofruar realisht.
Pikërisht këtu shfaqet një nga kufizimet kryesore të evidentuara nga monitorimi: mungesa e të dhënave operative dhe aksesi i kufizuar në dokumentacionin zyrtar. Këto mangësi e bëjnë të vështirë krahasimin e detyrimeve të kontratës me rezultatet e arritura.
Mungesa e të dhënave pengon llogaridhënien
Raporti thekson se dokumentacioni dhe informacioni i disponueshëm nuk mjaftojnë për të vlerësuar plotësisht rezultatet e kontratës dhe përdorimin e parasë publike. Kjo e bën të domosdoshëm monitorimin e vazhdueshëm, me të dhëna të verifikueshme për pagesat, ecurinë e punimeve dhe shërbimet e realizuara.
Juristi Franc Terihati thekson se monitorimi i kontratave publike është thelbësor për të verifikuar nëse detyrimet kontraktuale përmbushen, pagesat kryhen në përputhje me ligjin dhe autoritetet publike ushtrojnë përgjegjësitë e tyre mbikëqyrëse.
“Monitorimi i kontratave publike është thelbësor për të verifikuar përmbushjen e detyrimeve kontraktuale, ligjshmërinë e pagesave dhe ushtrimin e përgjegjësive mbikëqyrëse nga autoritetet publike”, shprehet ai.
Terihati nënvizon se parashikimi i garancive dhe penaliteteve në kontratë nuk mjafton pa verifikuar zbatimin e tyre në rast vonesash apo mospërmbushjeje.
“Problematikat e evidentuara kërkojnë transparencë, llogaridhënie dhe reagim institucional për mbrojtjen e interesit publik”, përfundon juristi Terihati.
Raportet e monitorimit janë një instrument për transparencë dhe llogaridhënie, sepse u mundësojnë institucioneve dhe publikut të krahasojnë angazhimet e marra përsipër me rezultatet konkrete. Kur të dhënat për zbatimin e kontratës janë të paplota, vlerësimi i përfitimeve të projektit dhe i kostos reale për buxhetin mbetet i kufizuar.
Përfundim
Inceneratori i Fierit është vetëm një nga 12 kontratat koncesionare dhe PPP për të cilat, buxheti i shtetit ka paguar rreth 98 miliardë lekë gjatë periudhës 2017–2025, ose afërsisht 1 miliard euro.
Në mars 2022, me urdhër të SPAK-ut, kompania koncesionare dhe asetet e lidhura me inceneratorin e Fierit u vunë nën sekuestro preventive, me vendim të GJKKO-së. Pasuritë administrohen nga Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara. Një numër zyrtarësh dhe administratorësh kompanish janë akuzuar ose dënuar për vepra penale që lidhen me korrupsionin, shpërdorimin e detyrës dhe pastrimin e produkteve të veprës penale.
Impianti i Elbasanit funksionoi me hope për një periudhë tejet të kufizuar, impianti i Fierit përfundoi së ndërtuari por nuk u vu në funksion, ndërsa investimi për inceneratorin e Tiranës nuk është realizuar sipas afateve të parashikuara, megjithëse kontrata ka vijuar të marrë pagesa. Për tre inceneratorët, pagesat arrijnë afërsisht 15 miliardë lekë.






