Stërvitja e NATO-s në Vlorë asnjë lidhje me protestat e studentëve

16

Pretendimi: Pas dy autobotëve të rinj të ujit për shpërndarjen e turmave që mbërritën në Shqipëri gjatë protestave studentore, në Vlorë zbarkuan dy helikopterë 

Verdikti: Mungon konteksti

———————————————————————

Pasi më 19 tetor, gjatë protestave studentore në Shqipëri, u raportua mbërritja në aeroportin e Rinasit e dy autoboteve të ujit për shpërndarjen e turmave nga Turqia, në rrjetet sociale shqipfolëse qarkulloi foto (arkivuar këtu dhe këtu) e një anijeje ushtarake, e cila ishte parë duke transportuar dy helikopterë në ujërat e Vlorës. 

Megjithëse postimet aludojnë një lidhje mes helikopterëve dhe shtypjes së protestave studentore, ato pranojnë se “ende nuk dihet se nga kanë ardhur dhe për çfarë do përdoren.”

Megjithëse postimet pretendojnë se anija ushtarake mban flamurin e Shqipërisë, trupi i anijes në foto është shumë i errët për të dalluar ndonjë flamur.

Ndërsa nuk ka prova se mbërritja e helikopterëve në Vlorë ka lidhje me protestat, shfaqja e tyre mbi një anije ushtarake me gjasa ka të bëjë me stërvitjen “Neptune Strike 26-4”, e cila u mbajt më 20 tetor në rajonin e Gjirit të Vlorës dhe në Bazën Detare Pashaliman, në kuadër të aktiviteteve stërvitore të NATO.

Njoftim i Forcave të Armatosura mbi zhvillimin e  “Neptune Strike 26-4”

Sipas njoftimit të Forcave të Armatosura të Shqipërisë, në këtë stërvitje morën pjesë dy anije të Forcave Detare Turke, F490 TCG Gaziantep dhe L400 TCG Anadolu, kjo e fundit me kapacitete zbarkimi, mjete ajrore pa pilot (UAV) dhe helikopterë. Nga pala shqiptare mori pjesë një anije e Forcës Detare, së bashku me Grupin e Bordingut.

Sipas njoftimit të NATO, “programi përfshinte një ulje amfibe në bazën detare të Shqipërisë Pasha Liman, operacione fluturimi me helikopter, demonstrime me litar të shpejtë dhe ngritje dhe ulje të mjeteve ajrore pa pilot TB3 nga kuverta e fluturimit të TCG ANADOLU.”

Forcat turke të zbarkimit amfib kryejnë një sulm amfib në brigjet e Bazës Detare Pasha Liman në Shqipëri, gjatë stërvitjes “Neptune Strike 26-4”.

Sipas NATO, në stërvitje “marrin pjesë shtatëmbëdhjetë vende aleate: Shqipëria, Kroacia, Finlanda, Franca, Gjermania, Greqia, Italia, Lituania, Norvegjia, Polonia, Rumania, Sllovakia, Sllovenia, Spanja, Turqia, Mbretëria e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara.”