Shefi i Urgjencës, Brataj, viktimë e marketingut të mjekimeve të dyshimta

6

Pretendimi: Kjo video tregon shefin e Urgjencës Skënder Brataj duke reklamuar një ilaç natyral për ripërtëritjen e dëgjimit

Verdikti: E pavërtetë, Video e manipuluar

———————————————————————————–

Një video që po qarkullon në rrjete sociale shqipfolëse duket se tregon drejtorin e Urgjencës në Tiranë, Dr. Skënder Brataj duke rekomanduar një formulë natyrale për rikthimin e dëgjimit.

Megjithatë, video nuk e tregon formulën mrekullibërëse në fjalë, dhe nuk shpjegon se si ajo rikthen dëgjimin e humbur.

Megjithatë, e gjithë video dhe narrativa e saj janë të rreme. Ato janë krijuar për një skemë mashtrimi që ka për qëllim shitjen e një produkti.

Ndër të parat shenja që kjo video nuk është autentike spikat shqipja e çalë. Gjithashtu, zëri i Brataj nuk i përngjan zërit të vërtetë të mjekut.

Lëvizjet e gojës shfaqin një mungesë lidhjeje natyrale me fonemat e gjuhës së folur. Lëvizjet e nofullës dhe të buzëve duken të paqarta dhe u mungojnë tkurrjet e theksuara muskulore, tipike për të folurën njerëzore. Kjo sugjeron se bëhet fjalë për një sinkronizim të buzëve të krijuar artificialisht.

Ndërkaq, sfondi mbetet i palëvizshëm në mënyrë të panatyrshme, ndërsa fytyra e subjektit shfaq deformime të lehta dhe të përsëritura. Mungesa e zhurmës natyrale apo e dridhjeve të imëta në sfond sugjeron përdorimin e një maske dixhitale ose të një shtrese “deepfake”, të aplikuar mbi një bazë statike ose të regjistruar paraprakisht.

Ekziston edhe një vijë e dukshme ose një efekt turbullimi rreth vijës së nofullës dhe skajeve të syzeve. Ky është një defekt i zakonshëm në modelet e inteligjencës artificiale që shërbejnë për zëvendësimin e fytyrës ose sinkronizimin e lëvizjeve të buzëve, ku përmbajtja e gjeneruar nuk shkrihet në mënyrë të përsosur me gjeometrinë origjinale të kokës.

Kjo na bën të dyshojmë se video është manipuluar me anë të teknologjisë deepfake, e cila manipulon shprehitë e fytyrës. Videos së manipuluar me deepfake i është shtuar audio.

Vetë Brataj ka njoftuar në rrjetet e tij sociale se video të tilla ku ai shfaqet duke reklamuar medikamente janë të rreme, duke u bërë thirrje qytetarëve të mos bien pre e mashtrimeve.