Rama akuzon Iranin dhe Rusinë: Ka një dorë të huaj pas protestave

Kryeministri pretendon se pas protestave të dhunshme qëndrojnë forca të huaja, përmend Iranin dhe ideologun rus të Putinit, Aleksandër Dugin, ndërsa përsërit se nuk do të japë dorëheqjen.

34
Kryeministri Edi Rama, duke folur për protestat nga zyra e tij

Me një gur në dorë të përdorur nga protestesit në bulevard kundër policisë, Edi Rama u shfaq mëngjesin e kësaj të diele nga zyra e tij, duke theksuar se nuk dorëhiqet.

Pas 5 ditë protestash të dhunshme në arteriet kryesore të Tiranës, kryeministri tha se kjo nuk është lëvizje studentore, por një kurth për Shqipërinë.

Rama u krahasoi gurin si “një armë që mund të bëhet edhe vdekjeprurëse”. Sipas tij, nuk janë studentët ata që protestojnë, por një “grup zjarri i paguar”.

Ai pranoi se të rinjtë kanë pakënaqësi dhe kërkojnë ndryshim, por pretendoi se në protestë ka përfshirje të krimit dhe të një “dore të huaj”.

“Të miturit si ato mburojat për të përparuar, për të marrë terren, duke ia bërë të pamundur shtetit dhe të mundur policisë që të reagojë me forcë, me fëmijë të vegjël. Aty brenda është edhe krimi. Është një dorë e huaj, – tha Rama. – Unë nuk kam tallur askënd, unë kam treguar me gisht ata që janë edhe sot pjesë e gjësë, as për ta bërë Shqipërinë më të mirë, janë aty për ta kthyer Shqipërinë përmbys, qoftë për llogari të PD, të Republikës Khomeiniste të iranit. Kjo është e vërteta”.

Përveç Iranit, Rama përmendi edhe një postim në rrjetet sociale të ideologut të Putinit, Aleksandër Dugin në lidhje me protestat, si një nga forcat që fshihet pas kësaj revolte.  

“Dje, në mënyrë të befasishme për çdokënd, por jo për mua! Foli mistifikuesi i Rusisë imperialiste, i cili tha se tani Shqipëria po tregon ngjyrën e vërtetë të saj, një popull kurajoz, ortodoks!”.

Sipas Ramës, dy ditë më parë gjatë protestave të dhunshme, një dron me eksploziv që do të godiste kryeministrinë. “Para dy ditësh është neutralizuar një dron me eksploziv, i destinuar për të goditur kryeministrinë, duke i vënë zjarrin oborrit të brendshëm, një Zot e di çfarë pasojash, nuk ka të mitur që i shkon mendja ta vërë atë plan, që është një dorë e huaj”, tha Rama.

Kreu i qeverisë shtoi se i ka dëgjuar çdo ditë thirrjet e protestuesve për largimin e tij, por pretendoi se nuk ka dëgjuar kërkesa të tjera konkrete. Ai u shpreh se studentët duhet të kërkojnë dialog dhe të paraqesin argumentet se përse ai duhet të largohet nga detyra.