Prej më shumë se 8 orësh dhjetëra rrugë në kryeqytet u shndërruan pasditen dhe mbrëmjen e kësaj të diele në një guerrilje të vërtetë mes protestuesve dhe forcave të policisë.
Në ditën e 6 të përplasjeve mes dy palëve, u përdorën sërish molotovë nga të rinjtë dhe ujë me presion e gaz lotsjellës nga efektivët, ndërsa numri i të lënduarve në 6 ditë protestë ka shkuar deri tani 295 persona.
Në fakt, përplasjet mes protestuesve dhe policisë rinisën sot rreth orës 12:30 me të njëjtin skenar.
Tensionet u përshkallëzuan fillimisht pranë Ministrisë së Arsimit, ku studentët hodhën gurë në drejtim të policisë, e cila u kundërpërgjigj me ujë dhe gaz lotsjellës.
Pas rreth një ore marshim në rrugët e Tiranës pranë qendrës, protestuesit u ndalën te selia e Partisë Socialiste ku edhe sulmuan me gurë drejt efektivëve.
Disa protestues të tjerë të maskuar qëlluan me gurë hyrjen kryesore duke i thyer xhamat.
Brenda në seli i prisnin disa të tjerë të maskuar dhe me shkopinj. Policia ndërhyri me gaz lotsjellës e ujë për shpërndarjen e protestuesve duke rimarrë situatën nën kontroll.
Pas këtyre sulmeve ata janë zhvendosur te kryeministria, ku edhe kanë nisur të heqin sërish pllakat e trotuarit dhe duke i lëshuar në breshëri drejt policëve të stacionuar te godina e qeverisë.



Edhe këtu protestuesit u zmbrapsën, duke u zhvendosur te sheshi “Skënderbej”, ku protestuesit sulmuan me breshëri molotovësh efektivët.
Në mbrëmje tensionet janë përshkallëzuar, ku protestuesit i kanë vënë zjarrin zyrave të pritjes te komisariatit numër 3 në rrugën “Mine Peza”, hyrjes së Ministrisë së Brendshme dhe asaj te Ministria e Infrastrukturës.
Pikërisht kati i parë i komisariatit, i cili është ngjitur me paraburgimin “302”, është shkrumbuar si pasojë e molotovëve të hedhur nga protestuesit, ku mbetën të lënduar disa punonjës policie.


Ministria e Shëndetësisë, njoftoi në mbrëmje se vetëm sot numri i të lënduarve që kanë marrë mjekim te Trauma është 23 persona: 17 policë, 1 protestues, 1 gazetare dhe 4 kalimtarë.
Ndërsa bilanci i 6 ditëve të protestave deri tani, ka arritur në 295 të lënduar. Prej tyre, 186 janë punonjës të policisë, 83 protestues, 25 kalimtarë dhe 1 gazetare.
Kështu, pas 8 orësh mes kaosit, zjarreve, molotovëve dhe gazit lotsjellës, mbyllet dhe protesta e ditës së gjashtë në Tiranë.






