I rremë alarmi për nxjerrjen e ushtrisë kundër studentëve

20

Pamjet e keqinterpretuara të disa kamionëve ushtarakë nxitën narrativën

Pretendimi: Qeveria nxorri ushtrinë në rrugë në 14 tetor për të shtypur protestën e të rinjve

Vlerësimi: E pavërtetë

Më 14 tetor, ndërsa ishte lajmëruar dita e dytë e protestës së dhunshme të studentëve përpara ministrisë së Arsimit, disa portale (arkivuar këtu dhe këtu) dhe profile në rrjete sociale publikuan një video ku shiheshin mjete ushtarake duke lëvizur në Tiranë.

Pamjet e kamionëve ushtarakë u shoqëruan me titullin se “Edi Rama po sjell ushtrinë kundër studentëve protestues”, duke lënë të kuptohet se Forcat e Armatosura u aktivizuan për të shtypur protestën. Pretendimi u përhap me ritëm të shpejtë, duke krijuar perceptimin se qeveria kishte marrë masa të jashtëzakonshme.

Verifikimet e mëtejshme të origjinës së kësaj narrative që krijoi panik zbulojnë se pamjet e disa kamionëve transportues të ushtrisë shqiptare, të cilët lëvizin në trafik në një zonë urbane të Tiranës, janë publikuar mëngjesin e datës 14 tetor në një profil personal dhe ndarë më pas me vendndodhje rrugën e Kavajës.

Në pamje nuk shfaqen trupa të armatosur që mund të përdoren në një përballje me protestat masive si dhe nuk shfaqet ndonjë element që të sugjerojë se mjetet po shkonin drejt një proteste.

Faktoje kontrolloi gjithashtu njoftimet zyrtare të institucioneve përgjegjëse dhe deri në publikimin e këtij artikulli nuk ka marrë ende një përgjigje zyrtare për këtë lëvizje të mjeteve të ushtrisë. Të gjithë mediat në terren si dhe qytetarët nuk kanë dëshmuar ndonjë prezencë të ushtarakëve në institucionet apo zonat e përfshira nga protesta.

Nevojitet të theksohet gjithashtu që Forcat e Armatosura nuk mund të dalin në rrugë apo të angazhohen në rend publik, përveç rasteve të përcaktuara qartë nga ligji dhe vetëm pas një procedure të rreptë institucionale.

Ligji nr. 64/2014 “Për Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë” përcakton qartë se ushtria mund të aktivizohet brenda territorit të vendit vetëm në raste të situatave të emergjencave civile dhe gjendjes së jashtëzakonshme. Përfshirja e ushtrisë në situata të jashtëzakonshme duhet të paraprihet nga një vendim i Këshillit të Ministrave dhe Urdhër operacional nga Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura.