Ky robot spitalor në arratisje i gjeneruar me AI

5

Pretendimi: Kjo video tregon një robot mjekësor që del jashtë kontrollit

Verdikti: E pavërtetë, Gjeneruar me AI

—————————————————————-

Një video (arkivuar këtu) që po qarkullon në rrjete sociale, përfshi ato shqipfolëse, pretendohet se tregon një robot mjekësor që del jashtë kontrollit dhe vrapon jashtë nga çfarë duket si një spital. Pamjet krijojnë më shumë interes ndërsa debati bëhet edhe më i nxehtë rreth rrezikut që mund të sjellë për njerëzimin zhvillimi i mëtejshëm i Inteligjencës Artificiale dhe pavarësia e robotëve. 

Megjithatë, për të mbështetur këtë pretendim nuk sillet ndonjë provë, burim apo referencë, qoftë edhe ndonjë detaj identifikues si ku dhe kur ka ndodhur ngjarja e pretenduar.

Në fakt, video e mësipërme përmban gabime logjike tipike të përmbajtjeve të gjeneruara me programe kompjuterike të inteligjencës artificiale (AI).

Kjo përfshin fjalën pa kuptim “Runlance”, të printuar në ambulancën në sfond.

Me anë të motorit të kërkimit pamor Google Lens, Faktoje gjeti se video e mësipërme është postuar fillimisht në TikTok nga llogaria @maison_notreal, e cila vetëpërshkruhet si një “studio filmi AI.”

Rrjedhimisht, edhe video e mësipërme është etiketuar nga autorët si e gjeneruar me AI.

Faktoje ka përgënjeshtruar dhe më parë një video të gjeneruar me një skenar gati identik, nga i njejti profil, e cila u shpërnda gjerësisht në rrjete sociale si të qe e vërtetë.