Pretendimi: Raiffeisen Bank ka pranuar vjedhjen masive nga llogaritë e klientëve
Verdikti: Mungon konteksti
—————————————————————-
Të hënën, më 5 tetor 2026, në rrjete sociale (arkivuar këtu) dhe media shqipfolëse qarkulloi lajmi alarmues se banka Raiffeisen Albania kishte pranuar vjedhjen masive të llogarive të klientëve të saj.

Ndërsa lexuesit ftohen të klikojnë në lidhjen në komente për të mësuar më shumë, brendia e këtyre artikujve i referohet një incidenti të një dite më parë kur klientëve u ishin marrë paratë nga llogaritë në Raiffeisen, dhe një deklarate të botuar nga banka në rrjete sociale.
Në deklaratën e bankës, ndryshe nga ç’pretendohet në titujt e mësipërm, nuk pranohet “vjedhja masive e llogarive.” Banka njoftoi se “disa nga klientët [e saj] kanë pasur përkohësisht ndryshime në balancat e llogarive të tyre të lidhura me disa transaksione me kartë,” duke mohuar shprehimisht të ketë rënë pre e ndonjë sulmi kibernetik.
Në një deklaratë për shtyp më të gjatë botuar në faqen e saj, banka ka sqaruar se “disa transaksione të kryera me karta mund të jenë pasqyruar dy herë në llogaritë e klientëve” si pasojë e një problemi tekniko-operativ.
Sipas deklaratës, “problematika ishte e natyrës tekniko-operative dhe nuk lidhet me akses të paautorizuar apo ndërhyrje në sistemet e Bankës” dhe “nga verifikimet e kryera nuk është evidentuar asnjë akses i paautorizuar në sistemet e Bankës, komprometim i të dhënave të klientëve apo incident i sigurisë kibernetike.”
Sipas Udhëzimit për Raportimin e Incidenteve Madhore të Bankës së Shqipërisë, brenda 4 orësh nga momenti i klasifikimit të një incidenti si madhor, ofruesit e shërbimeve duhet të paraqesin një raport fillestar te Banka e Shqipërisë.






