Pretendimi: Kjo video tregon një korrier të kompanisë Wolt që kryen nevojat në hyrjen e një pallati në Shqipëri
Verdikti: Mungon konteksti
—————————————————————
Një video që është shpërndarë gjerësisht në rrjetet sociale shqipfolëse pretendohet se tregon një korrier të kompanisë së dërgesave Wolt duke kryer nevojat personale në hyrjen e një pallati në Shqipëri. Në disa postime pretendohet se ngjarja është dërguar nga një administrator pallati në Durrës, në disa të tjera nga banorët në zonën e Astir në Tiranë. Ndërkaq, disa postime pretendojnë më tej se korrieri në video është indian. Dhjetra komente në këto postime shprehin indinjatë dhe gjuhë urrejtjeje ndaj emigrantëve që punojnë si korrierë pranë kompanisë Wolt duke kërkuar largimin e tyre nga vendi.

Vlen të përmendet se nuk ka prova që personi në video është nga India, jo vetëm sepse në ai shfaqet me helmetë në kokë në gjithë videon dhe fytyra e tij nuk është e dukshme.
Me anë të motorit të kërkimit pamor Google Lens, Faktoje gjeti se video e mësipërme qarkullon prej një viti në rrjet.
Ajo është botuar fillimisht në Facebook nga një përdorues nga Gjeorgjia më 28 shtator 2025.

Sipas përshkrimit që shoqëron videon ajo është filmuar në Tbilisi më 22 shtator 2025, datë që përkon edhe me datën që duket në cep të videos.
Megjithëse Faktoje nuk gjeti ndonjë raportim në media vendase apo ndonjë deklaratë zyrtare që konfirmon vërtetësinë e videos, nuk ishte e mundur të zbulohej nëse video ishte e gjeneruar apo e modifikuar.
Megjithatë, çfarë dihet është se incidenti i ndodhur në video nuk ka ndodhur së fundmi në Shqipëri, duke qenë se qarkullon prej një viti në rrjet, ekskluzivisht në hapësirat online gjeorgjiane. Ky vend u përball një vit më parë me një valë racizmi dhe nxitje urrejtjeje ndaj emigrantëve që po punësoheshin në kompanitë vendase të shërbimit.






