Thirrjet për bojkot nuk ndalën nisjen e vitit akademik

Nga dryni simbolik te hyrja e UBT te protesta në UAMD, dita e parë e universiteteve u shoqërua me përpjekje mobilizimi. Studentë të pyetur nga Faktoje në disa fakultete thanë se mësimi vijoi normalisht.

9
Foto: Studente Foto ne diten e pare te vitit te ri akademik 2026-2027. Foto e marre nga LSA

Sot, në 5 tetor, universitetet në vend nisën vitin e ri akademik 2026-2027, pavarësisht thirrjeve për bojkot që u shpërndanë në rrjete sociale dhe gjatë protestave të ditëve të fundit. Rreth 120 mijë studentë u rikthyen në auditore, ndërsa rreth 20 mijë prej tyre ulen për herë të parë në bankat e universitetit. 

Aludimet

Aludimet për një bojkot të mundshëm të universiteteve kur të niste viti akademik nisën të qarkullonin mes protestuesve që në muajt e fundit të verës. 

Por nuk pati një thirrje dhe organizim zyrtar mes protestuesve për realizimin e këtij bojkoti.

Thirrja

Më 3 tetor, kur marshimi i protestës së 126-të u ndal para Ministrisë së Arsimi, protestues dhe studentë bënë thirrje për bojkotimin e mësimit dhe njoftuan një protestë të posaçme më 13 tetor, në orën 14:00, para ministrisë.

Paralelisht pati disa publikime që bënin thirrje për bojkot.

Dryni në UBT

Sipas postimeve të publikuara në rrjete sociale, mbrëmjen e së dielës ata vendosën dryn te hyrja e Universitetit Bujqësor të Tiranës, duke shkruar se “çelësin e gjeni te Kryeministria”, pra tek protesta.

Ndërkohë, mëngjesin e së hënës dryni ishte hequr nga rojet ose personeli i universitetit. 

Protesta në UAMD

Ndërkohë, në Universitetin “Aleksandër Moisiu” në Durrës pati protestë. UAMD kishte njoftuar zyrtarisht hapjen e vitit akademik më 5 tetor në Kampusin Universitar, Godina e Re G3.

Gjatë paradites studentë të UAMD protestuan teksa pritej mbërritja e kryeministrit Edi Rama. 

Policia ndërhyri për të liruar rrugën ku pritej të kalonte eskorta, ndërsa transporti dhe akomodimi u përmendën si shqetësime kryesore për studentët që ndjekin mësimin në Spitallë.

13 Tetori

Megjithatë, thirrjet për bojkot nuk duket se u përkthyen në ndërprerje të gjerë të mësimit.

Studentë të pyetur nga Faktoje në disa fakultete thanë se procesi mësimor gjatë ditës së parë vijoi normalisht dhe se nuk kishte bojkot të organizuar në auditorë.

Kështu, 5 tetori shërbeu më shumë si ditë testimi për mobilizimin studentor sesa si bojkot masiv i universiteteve. 

Protestuesit tashmë e kanë zhvendosur vëmendjen te 13 tetori, kur kanë paralajmëruar një tubim para Ministrisë së Arsimit.

Artikulli paraprakAsnjë gjurmë nga urdhëri i Trump që autorizoi përdorimin e shtretërve rinues
Artikulli tjetërKorrieri indian që përdor pallatin si banjo nuk ka lidhje me Shqipërinë
Jona Cenameri
Jona Cenameri është gazetare, fact-checker. Ajo ka përfunduar studimet në degën Gazetari dhe Komunikim në Universitetin e Tiranës, ku u vlerësua me certifikatë ekselence për arritjet akademike. Punon në Faktoje.al, ku merret me verifikimin e deklaratave publike dhe me shkrime hulumtuese mbi çështje me interes publik. Përvoja e saj profesionale përfshin gazetari investigative, raportim të thelluar dhe ndërkufitar, si edhe monitorim e analizë mediatike, përmes bashkëpunimeve me ACQJ, BIRN Kosovo, IDMC, Thomson Media dhe Canal France International. Në vitin 2024 fitoi çmimin e parë në konkursin “Memoria dhe të Drejtat e Njeriut”, ndërsa në vitin 2025 ishte pjesë e ekipit fitues të konkursit rajonal të CFI-së “Balkan Voices 2”. Ajo është gjithashtu përfituese e bursës së KAS Media Programme South East Europe, e akorduar për studentë të talentuar të gazetarisë.