Asnjë gjurmë nga urdhëri i Trump që autorizoi përdorimin e shtretërve rinues

8

Pretendimi: Presidenti amerikan Donald Trump ka nënshkruar një urdhër ekzekutiv që autorizon përdorimin e teknologjisë së shtretërve mjekësorë (medbed) për të kuruar sëmundje

Verdikti: E pavërtetë

——————————————————————-

Shtretërit mjekësorë çudibërës, të ashtuquajtur ‘medbeds’, vijojnë të ngërthejnë imagjinatën dhe shpresën e rrjeteve konspiracioniste, përfshi ato shqipfolëse, ku së fundmi po qarkullon lajmi (arkivuar këtu) se presidenti amerikan Donald Trump ka nënshkruar një urdhër ekzekutiv që autorizon përdorimin e tyre civil.

Sigurisht, për të mbështetur këtë pretendim të jashtëzakonshëm nuk ofrohet asnjë provë, burim apo referencë. Ai i referohet vetëm një “urdhri ekzekutiv 1947-2026.”

Në të vërtetë, presidenti amerikan Trump nuk nënshkroi ndonjë urdhër të tillë ekzekutiv për përdorimin e këtyre teknologjive të pretenduara. 

Çdo dekret i nënshkruar nga një president që ushtron detyrën në Shtetet e Bashkuara duhet të regjistrohet dhe të bëhet publik në Regjistrin Federal zyrtar të qeverisë amerikane. Një kërkim në këtë bazë të dhënash zbulon se nuk ka asnjë urdhër ekzekutiv të regjistruar në lidhje me të ashtuquajturit medbeds.

Për më tepër, vetë formati i numërimit i përdorur në postim (2026-1947) është i gabuar. Sistemi i numërimit të urdhërave ekzekutivë në ShBA përdor një numërim të vazhdueshëm që filloi në shekullin e 19-të dhe aktualisht është në shifrat 14.000 e sipër, siç vërehet në imazhin e mëposhtëm. Formati i paraqitur në postim nuk ekziston as në standardin ligjor amerikan.

Formatimi i numrave të urdhërave ekzekutivë bëhet në radhë rendore. Më i fundit mban numrin 14.434.

“Shtretërit mjekësorë”, në anglisht “medbeds” janë një koncept që e ka origjinën tek ndjekësit e teorisë konspirative QAnon, sipas së cilëve medbeds janë zhvilluar nga ushtria (në disa versione duke përdorur teknologji aliene) dhe janë duke u përdorur tashmë nga familjet më të pasura dhe të fuqishme në botë. Sipas besimtarëve, shtretërit mjekësorë janë teknologji që mund të shërojnë ADN-në, të rigjenerojnë organet dhe të kthejnë rininë. Sipas disa ndjekësve, kur Donald Trump do të bëhet president do të zbulonte ekzistencën e këtyre pajisjeve dhe do t’i bënte falas për gjithë amerikanët.

Nuk ka asnjë literaturë nga komuniteti mjekësor global që thotë se një pajisje e tillë ekziston. As shkenca për të krijuar një pajisje të tillë, e cila tingëllon sikur ka dalë nga ndonjë film fantastiko-shkencor, nuk ekziston. Nuk ka asnjë mënyrë të njohur për të kthyer pas plakjen.

Teoria konspirative e medbeds “shërben për dy qëllime profetike”, tha për The Daily Beast Sara Aniano, nga Universiteti Monmouth, që studion retorikën e së djathtës ekstreme dhe ka dokumentuar përhapjen e mitit të medbeds.

Nga njëra anë ajo premton një të ardhme të afërt në të cilën kompanitë e mëdha farmaceutike janë të panevojshme. “Pastaj sigurisht që është tërheqja më e dukshme e të paturit një makineri magjike, versionet e së cilës mund të të diagnostikojnë menjëherë ose të të shërojnë menjëherë”, tha Aniano. “Disa mund të rrisin përsëri pjesë të humbura të trupit. Pra, padyshim, ka shumë shpresë që i shërben një narrative shumë tërheqëse për ata që e besojnë këtë.”

Ç’është më e trishtë, kjo teori konspirative është shfrytëzuar nga persona të ndryshëm për të mashtruar besimtarët që shpresojnë në aftësitë çudibërëse të këtyre pajisjeve për të shëruar probleme të rënda shëndetësore. 

Tesla BioHealing, është një nga kompanitë e shumta që shet atë që ata e përshkruajnë si “medbed”, ndonjëherë për dhjetëra mijëra dollarë. Kjo kompani ofron medbed për shtëpinë në vlerën e 19,999 dollarëve, megjithëse një orë në një nga dhomat e tyre të motelit me medbed do t’ju kushtojë vetëm 160 dollarë.

Edhe pse kompani të tilla listojnë një sërë sëmundjesh që pretendojnë se mund të ndihmohen nga teknologjitë e tyre dhe ofrojnë dëshmi nga klientët e kënaqur, ato sigurohen gjithashtu të thonë se produktet e tyre nuk kanë për qëllim të zëvendësojnë trajtimet nga një mjek i kualifikuar.

Kjo nuk është hera e parë që në rrathët konspiracionistë qarkullojnë pretendime se Trump do të mundësojë përdorimin e teknologjisë imagjinare. Faktoje ka përgënjeshtruar më parë pretendime se Trump kishte shpallur medbeds të disponueshëm në ShBA në Mars 2025, Shtator 2025 dhe se Trump kishte deklaruar se në 2025 medbeds do të zëvendësojnë spitalet dhe farmacitë.