Pretendimi: Kjo video tregon banorët e Nepalit duke braktisur idhujt e tyre pasi zbuluan se ishin të pafuqishem për t’i mbrojtur ata nga përmbytja
Verdikti: E pavërtetë
———————————————————————-
Një video (arkivuar këtu) që po qarkullon në rrjete sociale, përfshi ato shqipfolëse, pretendohet se tregon banorët e Nepalit duke hedhur në ujë idhujt e tyre pasi këta nuk i mbrojtën nga përmbytjet e 26 gushtit 2026 që lanë mbi 1500 të vdekur dhe mijëra të zhdukur.

Megjithatë, video e mësipërme nuk tregon braktisjen e perëndive nga nepalezët, por një ritual adhurimi të perëndisë hindu Ganesh nga indianët.
Me anë të motorit të kërkimit pamor Google Lens, Faktoje gjeti se video e mësipërme është botuar fillimisht në rrjet më 2 gusht 2026.

Është e pamundur që ajo të tregojë nepalezë të zhgënjyer me perënditë pas përmbytjeve që ndodhën më 26 gusht.
Përshkrimi që shoqëron videon është një lutje adhurimi ndaj perëndisë hindu Ganesha, ndërsa mbishkrimi i videos (Kharapat Cha Maharaja) është në gjuhën e shtetit indian të Maharashtra dhe do të thotë “Mbreti i rajonit Kharapat.”
Video tregon një ritual fetar hindu të njohur si Ganesh Visajan, i cili përfaqëson kulmin e festivalit të famshëm Ganesh Chaturthi, festë shtetërore e Maharashtra.
Statuja në video përfaqëson hyjninë Ganesha. Ajo punohet çdo vit nga komunitetet vendase me argjilë dhe materiale të tjera natyrore. Përreth saj zhvillohen lutje dhe festime për disa ditë, përpara se statuja të transportohet nëpër rrugët e qytetit me procesione masive, të shoqëruara me muzikë e valle, drejt burimit më të afërt ujor, det, lumë apo liqen, ku, në përfundim të ritualit, zhytet dhe fundoset qëllimisht.
Besohet se perëndia Ganesh, i cili zbret në botën tokësore gjatë festës së Ganesh Chaturthi, kthehet në banesën e tij qiellore pas ceremonisë së zhytjes në ujë. Kjo festë simbolizon gjithashtu rëndësinë e ciklit të lindjes, jetës dhe vdekjes. Besohet se, kur idhulli i Ganeshës nxirret për t’u zhytur në ujë, ai merr me vete edhe pengesat e ndryshme që rëndojnë mbi familjet vendase, dhe se këto pengesa asgjësohen në momentin e zhytjes.
Vetëm në Mumbai, rreth 150 mijë statuja të Ganesha zhyten çdo vit.

Ganesh Visarjan në Mumbai
Në kalendarin gregorian, Ganesh Chaturthi bie midis 22 gushtit dhe 20 shtatorit çdo vit.
Sipas regjistrimit të popullsisë të vitit 2021, 81% e popullsisë së Nepalit është hinduiste, 8,2% janë budistë, 5% janë myslimanë, 3% janë kiratistë (fe autoktone etnike) dhe 1,7% janë të krishterë.
Video e mësipërme nuk tregon braktisjen e besimit nga nepalezët si rezultat i përmbytjeve vdekjeprurëse, por një ritual fetar hindu në adhurim të perëndisë Ganesha.






