Pretendimi: Dokumente të deklasifikuara sugjerojnë se CIA ka manipuluar motin që në 1965 dhe qeveria po spërkat metale helmuese në qiell
Verdikti: Mungon konteksti
————————————————————-
Një postim (arkivuar këtu) i gjeneruar me AI, që ka marrë mbi një mijë pëlqime në Instagram, pretendon se dokumente të deklasifikuara kanë treguar se Agjencia Qendrore e Informacionit (CIA) amerikane ka manipuluar motin që në 1965 dhe qeveria po spërkat metale helmuese në qiell.

Megjithëse postimi i gjeneruar ka disa faqe dhe tekst të bollshëm, ai nuk përmban dokumentet në fjalë, as ndonjë provë, burim, apo referencë tjetër që mbështet këtë pretendim të pazakontë.
Duke kërkuar me fjalë kyç, Faktoje gjeti dokumentin e deklasifikuar nga viti 1965 të cilit me gjasa i referohet postimi i mësipërm.
Ai është deklasifikuar mbi 20 vite më parë, në 2003 dhe është botuar në faqen e Sallës së Leximit të CIA me titull “Modifikimi i motit.”
http://faktoje.al/ëp-content/uploads/2026/09/CIA-RDP68R00530A000200110020-2.pdf
Faqja e parë e dokumentit tregon se korrespondenca mban datën 7 tetor 1965 dhe ka si temë modifikimin e motit. Në të njëjtën faqe thuhet se ShBA shfaqi interes dhe prirje për kërkime në fushën e modifikimit të motit. Dokumenti gjithashtu thekson se mbështetja federale për vitin 1967 do të ishte katërfishi i asaj të vitit 1963 dhe më shumë se dyfishi i asaj të vitit 1965.
Faqja e parë e dokumentit përshkruan më tej në detaje rolin e CIA në këtë çështje. Aty thuhet se Dega e Astrogjeofizikës (AGB) e CIA kishte krijuar një marrëdhënie pune me Fondacionin Kombëtar të Shkencës (NSF), i cili më parë kishte ofruar mbështetje me informacione të inteligjencës për komitete të niveleve të larta dhe kishte luajtur rol në koordinimin e programeve për modifikimin e motit. I njëjti seksion përmend gjithashtu se një raport inteligjence mbi përpjekjet sovjetike për modifikimin e motit konsiderohej shumë i dobishëm. Shkurtimisht, teksti tregon se CIA e monitoronte nga afër këtë fushë.
Në faqen 4 të dokumentit thuhet se ShBA duhet të zbatojë një program të fuqishëm kombëtar kërkimor mbi modifikimin e motit. E njëjta faqe përshkruan nevojën për të shqyrtuar mundësitë e ndryshimit dhe kontrollit të motit në “mënyra të dobishme”. Shembujt e dhënë përfshijnë rritjen e reshjeve, zbutjen e ndikimit të uraganeve dhe stuhive të fuqishme, parandalimin e breshrit në zonat bujqësore dhe shpërndarjen e mjegullës.
Kjo qasje vijon në faqen 5 të dokumentit. Teksti thekson se, ndonëse disa eksperimente për modifikimin e motit kanë dhënë rezultate të suksesshme, këto gjetje nuk janë përfundimtare.
Në faqen 6 të dokumentit përmendet mundësia e “modifikimit të klimës në shkallë të gjerë”. Teksti shpjegon se shqyrtimi i mundësisë së modifikimit të klimës në shkallë të gjerë kërkon kërkime të gjera mbi të dhënat globale të motit dhe proceset atmosferike.
Në faqen e fundit të dokumentit thuhet se duhet mbledhur informacion gjithëpërfshirës në lidhje me mbjelljen e reve dhe aktivitete të tjera të modifikimit të motit. Ai gjithashtu përmend nevojën për njoftim paraprak dhe raportim të këtyre aktiviteteve. Ky seksion tregon se aktivitetet e modifikimit të motit, si mbjellja e reve, ekzistojnë në SHBA dhe se monitorimi i tyre është i dëshirueshëm.
Mbjellja e reve është një metodë që bazohet në futjen e substancave, si joduri i argjendit, në brendësi të reve për të nxitur formimin e reshjeve. Sipas ekspertëve, nuk ka prova që të sugjerojnë se sasitë e jodurit të argjendit të përdorura në mbjelljen e reve përbëjnë rrezik për shëndetin e njeriut ose për mjedisin. Megjithatë, ekziston pasiguri lidhur me efektet e një përdorimi më të gjerë të tij. Parimi bazë është se molekulat e ujit brenda resë bashkohen rreth këtyre grimcave për të formuar reshje. Kjo metodë po testohet për të përmbushur nevojat për ujë, për të luftuar thatësirën, për të shtuar reshjet e shiut ose për të zbutur efektet e dukurive të caktuara të motit, si mjegulla, breshëri dhe stuhitë.

Mbjellja e reve nga një avion
Megjithëse programe të mbjelljes së reve janë zbatuar nga qeveri të ndryshme të botës që në vitet 1950, efektiviteti i kësaj teknike në nxitjen e reshjeve mbetet i debatuar. “Deri më tani,” thotë ekologu Rob Jackson nga Universiteti i Stanford, “të bësh që të bjerë shi është ende më shumë art sesa shkencë.”
“Gjëja kryesore këtu është se nuk e bën shiun nga hiçi”, tha për DW Edward Gryspeerdt, profesor i fizikës atmosferike në Imperial College London. “Nuk mund të kesh një qiell të kthjellët, papritmas ta mbjellësh dhe të shfaqen re dhe shi. Duhet që këto re të ekzistojnë tashmë në prag të shiut, dhe thjesht po i jep një shtysë.”
Meqenëse retë tashmë duhet të jenë të prirura ndaj reshjeve, mund të jetë e vështirë të matet se sa efektive është kjo teknikë. Zakonisht zbatohet në mjedise në shkallë të vogël, si rritja e shtresës së borës mbi një pistë skijimi, tha Gryspeerdt.
Deri më sot, teknologjitë e mbjelljes së reve nuk mund të ndikojnë në modelet e motit në një rajon të tërë.
“Edhe nëse do të funksiononin, ato do të ishin ende në një shkallë shumë të vogël,” tha Gryspeerdt. “Ato nuk janë në shkallën ku mund të ndryshojnë modelet e rrjedhës atmosferike, për shembull, dhe të zhvendosin shiun larg në të gjithë planetin.”
Literatura shkencore aktuale sugjeron që mbjellja e reve mund të rrisë reshjet me 5-20% në një shkallë mikro.
“Ndoshta reshjet mund të zgjasin më shumë dhe të bien diku tjetër, por shkalla e asaj për të cilën po flasim – e modeleve të motit dhe rritjes së reshjeve në Iran – është shumë më e madhe se ajo që mund të arrihet me një strukturë mbjellëse,” tha studiuesi Armin Sorooshian.
“Teknika më e zakonshme – në fakt e vetmja teknikë e modifikimit të motit në përdorim të gjerë – është mbjellja e reve në një përpjekje për të rritur nivelin e reshjeve. Teknologjia është mjaft rudimentare, dhe rezultatet janë shumë të lokalizuara,” tha një zëdhënës i Administratës Kombëtare Oqeanike dhe Atmosferike (NOAA) amerikane për Reuters.
Dokumenti i CIA nuk përmend spërkatjen e helmeve në qiell nga qeveria.
Spërkatja e kimikateve nga avionët (chemtrails) është një teori konspirative që pretendon se qeveria apo palë të tjera janë të angazhuar në një program sekret për të futur kimikate toksike në atmosferë nëpërmjet avionëve në një mënyrë që formon vazhda në qiell, si ato që duken pas avionëve.
Sipas Agjencisë amerikane për Mbrojtjen e Mjedisit dhe NASA, vazhdat e bardha që duken pas avionëve në qiell quhen vazhda kondensimi (contrails), përbëhen kryesisht nga uji, dhe “nuk janë të rrezikshme për shëndetin e njeriut.”
Vazhdat e kondesimit formohen kur avulli dhe grimcat e hirit të imët nga djegia e karburantit të avionit ngrijnë në kristale akulli. Në ajër me lagështi të ulët, kristalet thjesht shpërbëhen. Nëse ajri ka më shumë lagështi, ato mbeten, dhe krijojnë vazhdat e avullit që duken me sy nëpër qiell. Ky ndryshim në nivelin e lagështisë së ajrit shpjegon pse disa avionë kanë vazhdë kondensimi dhe disa jo.
Më 22 nëntor 2016, një sondazh i shkencëtarëve atmosferikë u botua nga Environmental Research Letters. 76 nga 77 (98.7%) e shkencëtarëve që morën pjesë në këtë studim thanë se nuk kishte prova të ekzistencës së një programi sekret të spërkatjes atmosferike në shkallë të gjerë dhe se të dhënat e cituara si prova mund të shpjegoheshin përmes faktorëve të tjerë.
Siç shpjegon skuadra kërkimore e fizikantit David Keith në Universitetin e Harvardit, nuk ka prova për ekzistencën e vazhdave kimike (chemtrails). Nëse do të ekzistonte vërtet një program qeveritar i kësaj shkalle, ai do të përfshinte një program po aq masiv për prodhimin, ngarkimin dhe shpërndarjen e materialeve. Mijëra ose edhe dhjetëra mijëra njerëz do duhej të punonin për këto programe. Kjo do të thotë se do të ishte tmerrësisht shumë e vështirë që kjo të mbetej sekrete për shumë gjatë, pasi do të mjaftonte vetëm një njeri i përfshirë në program të dilte hapur i pajisur me prova si fotografi, dokumente, apo pajisje fizike për ta dekonspiruar.
Këto prova ende nuk kanë dalë.
Në fjalët e skuadrës së Keith:
“Nëse beson në kemtrajle, pyete veten si mund të jesh kaq i sigurt që ka vërtet një konspiraci të madhe. Merr në konsideratë shpjegime alternative, të thjeshta. Ki parasysh që interneti është plot me njerëz që janë krejt të sigurt për gjëra që thjesht nuk janë të vërteta. Ki parasysh që edhe pse qeveritë mund të mbajnë sekrete që përfshijnë vetëm pak njerëz, ato nuk arrijnë të mbajnë sekret programe të mëdha. Rusët, për shembull, dinin detaje specifike mbi projektin e bombës atomike që përpara se të ndodhte testimi i parë i armëve bërthamore, dhe në atë rast njerëzit e përfshirë në atë projekt kishin motivin e qartë patriotik të mbanin sekretin.
Nëse mendon se vazhdat e kondensimit të avionëve “duken ndryshe” ose “po sillen çuditshëm” konsidero që vazhdat e zakonshme të kondensimit nganjëherë mbeten për një kohë të gjatë dhe mënyra se si duken mund të ndryshojë papritur përgjatë të njejtës rrugë sepse avionët fluturojnë përmes vendeve me temperatura dhe lagështi të ndryshme. […] Sigurisht që ka mundësi që diçka tjetër po ndodh, por për ta provuar duhet më shumë se thjesht fotografi të diçkaje që duket njësoj me vazhdat normale të kondesimit”.






