Nga: Erjon Abule dhe Fetah Salliu – Abonetë falas të transportit publik për pensionistët në Tiranë, vijojnë të shpërndahen mes radhëve, ku piku arrin në ditët e fundit të afatit të tërheqjes së tyre.
Sipas Bashkisë së Tiranës, e cila ka vendosur datën 20 të çdo muaji dhe datën 3 të muajit pasardhës si afat, janë në dispozicion rreth 42 mijë abone, ndërsa për shpërndarjen e tyre funksionojnë 9 pika në zona të ndryshme të kryeqytetit.
Por një verifikim i Faktoje.al, në disa prej këtyre pikave këto ditë, tregon se përmirësimi i shërbimit nuk është i njëjtë në të gjitha zonat, edhe pse ishte shtuar një kioskë e re e vendosur pranë stacionit të autobusëve të Rinasit në qendër, përballë pikës ekzistuese te “Ushtari i Panjohur”.


Premtimi
Në 12 maj 2026, Bashkia e Tiranës njoftoi se do të shtonte pikat e shpërndarjes së aboneve falas të autobusëve për pensionistët.
Lajmin e dha kryetarja e komanduar e Bashkisë së Tiranës, Anuela Ristani në mbledhjen e Këshillit Bashkiak.
“Do të shtohen pikat e shpërndarjes së aboneve. Pikat e shërbimit janë të hapura thuajse 16 orë në ditë. Kemi shtuar jo vetëm numrin e ditëve kur aboneja shpërndahet, por edhe numrin e pikave. Shpresojmë që kjo do të ketë një efekt pozitiv sa i përket radhës dhe ngarkesës. Nuk bëhet dot me librezat e pensionit pasi bileta është e një tjetër lloj dokumentacioni”, deklaroi Ristani.


Verifikimi
Ndërkohë, në pikën pranë rrugës “Luigj Gurakuqi”, përballë stacionit të autobusëve të Rinasit, pritja ishte rreth 5 minuta.
Situata ishte ndryshe te Stacioni i Trenit, në rrugën “Reshit Petrela”. Aty pensionistët prisnin rreth 7 minuta, ndërsa sipas punonjëses së kioskës, radhët krijoheshin kryesisht çdo 10 minuta.
Një prej arsyeve të fluksit, sipas saj, është fakti se shumë pensionistë zgjedhin t’i tërheqin abonetë në ditët e fundit të afatit të përcaktuar nga Bashkia.
Një situatë e ngjashme u konstatua edhe te pika e 15-Katëshit, ku pensionistët prisnin rreth 15 minuta për të marrë abonenë mujore.
Sipas shpërndarëses, fluksi më i madh ishte në orët e mëngjesit, rreth 07:00–10:00, ndërsa pasdite pritjet ishin më të vogla.
Në pikat pranë Inxhinierisë së Ndërtimit, Postës nr. 8 dhe shkollës “Sabaudin Gabrani”, situata ishte më e qetë dhe nuk u konstatuan radhë të gjata gjatë verifikimit.

Një pikë e re, jo tri
Një tjetër element që del nga verifikimi lidhet me premtimin për shtimin e pikave të shpërndarjes.
Në përgjigjen e saj, Bashkia e Tiranës kishte deklaruar se sistemi ishte “në proces shtimi” me tri pika të reja, pa përcaktuar një afat konkret për hapjen e tyre.
Nga verifikimi në terren rezulton se është hapur një pikë e re, pranë stacionit të autobusëve të Rinasit, shumë pranë kioskës ekzistuese të shpërndajes së aboneve.
Pra, nga nëntë pikat ekzistuese të listuara nga Bashkia, është shtuar deri tani vetëm një pikë, duke u bërë 10 gjithsej.
Përfundimi
Ndërsa në disa kioska shërbimi merret pa pritje të konsiderueshme, në pika të tjera pensionistët përballen me pritje nga 7 deri në 15 minuta, ku përqendrimi i tyre shtohet në ditët e fundit të afatit.
Nëse Bashkia synon të shmangë radhët, vetëm shtimi i pikave mund të mos jetë i mjaftueshëm.
Duke parë që Bashkia Tiranë kishte njoftuar 3 pika të reja të shpërndarjes së aboneve në proces shtimi, pa specifikuar një afat, premtimi konsiderohet pjesërisht i mbajtur.
Faktoje, e mbështetur nga National Endowment for Democracy (NED), po monitoron 10 bashki në vend dhe po verifikon zbatimin e premtimeve të dhëna nga kryebashkiakët.






