Kufizimi i përdorimit të paraburgimit, forcimi i kontrollit gjyqësor, zgjerimi i të drejtave të mbrojtjes dhe vendosja e kufijve për aksesin e autoriteteve te të dhënat personale janë ndër ndryshimet kryesore të propozuara në Kodin e Procedurës Penale.
Drafti, i prezantuar këtë të mërkurë, 30 shtator nga kryeministri Edi Rama dhe ministri i Drejtësisë Toni Gogu, parashikon ndërhyrje dhe prek masat e sigurimit, të drejtat e palëve gjatë hetimit dhe gjykimit, administrimin e provave, seancën paraprake, prezumimin e pafajësisë, transmetimin e seancave dhe mbrojtjen e të dhënave personale.
“Arresti me burg”, si alternativë e fundit
Një nga ndryshimet më të rëndësishme lidhet me masën e “arrestit në burg”. Sipas draftit të prezantuar, për veprat penale që parashikojnë një dënim maksimal nën pesë vjet nuk do të caktohet më “arresti me burg”.
“Procesi penal duhet të nisë nga zona e lirisë dhe jo nga burgu si zanafillë. Gjykata duhet ta nisë nga liria, të shqyrtojë masat më të buta, të vlerësojë arrestin në shtëpi dhe të arrijë te burgu vetëm kur çdo alternativë tjetër është e pamjaftueshme”, – tha ai.
Sipas Ramës, rreziku që justifikon kufizimin e lirisë duhet të jetë konkret. Ai tha gjithashtu se heshtja e personit apo mospranimi i akuzës nuk duhet të përdoren si tregues rrezikshmërie.
“Gjykata duhet të bëjë vlerësimin e pavarur dhe, nëse kopjon argumentet e prokurorit, vendimi bëhet i pavlefshëm dhe lind përgjegjësia disiplinore e gjykatësit. Sa herë caktohet arrestimi, gjykata duhet të vlerësojë edhe garancinë pasurore. Prokurori duhet t’i raportojë gjykatës nëse arsyet e masës vazhdojnë të ekzistojnë dhe t’i argumentojë ato”, tha Rama.
Drafti parashikon gjithashtu që në qeli të mos dërgohen gratë shtatzëna, nënat me fëmijë nën gjashtë vjeç dhe baballarët që janë kujdestarët e vetëm të fëmijëve.
Të paraburgosurit
Në prezantim, kryeministri e lidhi nevojën për ndryshime edhe me nivelin e paraburgimit në Shqipëri.
Duke iu referuar një raporti të Këshillit të Europës, Rama tha se në janar 2026, 62% e personave në burgjet shqiptare ishin të paraburgosur, kundrejt një mesatareje europiane prej 26%.
“Në Shqipëri peshorja e drejtësisë anon dukshëm nga pesha represive e shtetit”, – shtoi ai.
Rama e cilësoi këtë situatë si një sfidë që duhet adresuar dhe tha se pas shifrave të paraburgimit qëndrojnë pasoja konkrete për jetën e njerëzve dhe familjeve të tyre.
Ai e përshkroi situatën si “cenim të dinjitetit kombëtar”, duke deklaruar se Shqipëria nuk mund të vazhdojë me këto shifra.
Hetimet në sirtar
Një tjetër pikë e rëndësishme e draftit është transparenca më e madhe ndaj personit që është nën hetim.
Sipas propozimit, personi do të ketë të drejtë të informohet se ndaj tij është regjistruar një procedim penal dhe t’i kërkojë gjykatës verifikimin përkatës.
Rama e përmblodhi këtë me një nga deklaratat më të drejtpërdrejta të prezantimit:
“Hetimet e fshehura, të mbajtura në sirtar ndër vite, nuk mund të jenë një rutinë në një shtet të së drejtës”.Sipas tij, procedimi duhet të regjistrohet në mënyrë që personi të ketë dijeni dhe të mund të kërkojë kontrollin e gjykatës.
Celularët
Një nga pikat që prek drejtpërdrejt privatësinë e qytetarëve është sekuestrimi i telefonave dhe pajisjeve elektronike.
Sipas propozimit, sekuestrimi i pajisjes nuk do të nënkuptojë automatikisht akses në të gjitha të dhënat që ajo përmban.
Për hapjen dhe marrjen e të dhënave do të kërkohet autorizim gjyqësor, ndërsa në raste urgjence veprimi do t’i nënshtrohet vlerësimit të gjykatës.
Drafti parashikon edhe mundësinë e transmetimit live të seancave gjyqësore. Sipas Ramës, kjo mund të bëhet me kërkesën e të pandehurit dhe viktimës.
“Me kërkesën e të pandehurit dhe viktimës, seanca mund të transmetohet drejtpërdrejt. Kjo nuk prek asnjë shtyllë të reformës në drejtësi”.
Pushteti gjyqësor
Rama u ndal edhe te raporti i ndryshimeve të propozuara me reformën në drejtësi.
Sipas tij, drafti nuk synon të kufizojë kompetencat e prokurorisë në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, por të forcojë kontrollin gjyqësor mbi mënyrën e ushtrimit të këtyre kompetencave.
“Kjo nuk prek asnjë shtyllë të reformës në drejtësi. Nuk i heq prokurorisë asnjë kompetencë për të hetuar. Ajo ndryshon mënyrën si ushtrohen këto kompetenca dhe forcon kontrollin e gjykatës”.
Rama shtoi se regjimet e posaçme për korrupsionin dhe krimin e organizuar do të ruhen dhe se lufta kundër tyre nuk duhet të zbutet.
Ai tha se synimi i paketës është të krijojë një ekuilibër më të madh në sistemin e drejtësisë dhe të forcojë prezumimin e pafajësisë.
“Duam t’i japim më shumë ekuilibër peshores së drejtësisë, në mënyrë që pushteti gjyqësor të mos bëjë ligjin mbi drejtësinë, por drejtësia të jetë fuqia e barazisë së ligjit para të gjithëve”.
Drafti
Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu tha se teksti është ende një “projekt për konsultim” dhe se paraburgimi është vetëm pjesa më e dukshme e paketës.
Sipas Gogut, prokurori do të ketë detyrimin të dokumentojë dhe të vërë provat në dispozicion të personit nën hetim, ndërsa mbrojtja do të ketë të drejtë të kryejë hetime. Për telefonat, ai tha se aksesimi do të kufizohet vetëm te të dhënat e përcaktuara nga gjykata.
Ndryshimet janë prezantuar si një paketë për forcimin e garancive procedurale dhe kontrollit gjyqësor, ndërsa drafti do t’i nënshtrohet procesit të konsultimit përpara vijimit të procedurave për miratimin e tij.






