Kjo mbesë që shëroi gjyshin një trillim i marketingut online

6

Pretendimi: Ky imazh tregon një vajzë të re nga Elbasani me gjyshin e saj, i cili u shërua me ndihmën e një xheli të zhvilluar nga një mjek kinez që erdhi në Shqipëri për të ndihmuar të moshuarit

Verdikti: E pavërtetë, Gjeneruar me AI

————————————————————————

Një imazh (arkivuar këtu) që po qarkullon në rrjete sociale, përfshi ato shqipfolëse, pretendohet se tregon një kontabiliste 23 vjeçe nga një fshat pranë Elbasanit dhe gjyshin e saj.

Imazhi shoqërohet me një histori të gjatë dhe prekëse që shpjegon se si gjyshi e kishte rritur i vetëm Elirën 23-vjeçare, e cila u kujdes për të kur ai u sëmur nga gjuri dhe nuk mund të lëvizte. Historia tregon se mjekët i kishin rekomanduar operacion, por Elira lexoi një artikull për një mjek kinez që kishte ardhur në Shqipëri për të shëruar dhimbjet e të sëmurëve dhe nga ai mori një xhel mrekullibërës që e ngriti gjyshin e saj në këmbë. Historia ka marrë dhjetra komente nga persona që vlerësojnë vajzën që kujdeset për gjyshin e moshuar.

Nëse e gjithë historia e shërimit ju duket e pabesueshme, kjo sepse ajo nuk është e vërtetë.

Personat në imazh nuk ekzistojnë. Ata, si dhe çdo gjë tjetër në imazh, janë gjeneruar me programe të inteligjencës artificiale (AI), siç konfirmohet edhe nga mjeti zyrtar i verifikimit të OpenAI, i cili identifikon imazhet e krijuara me AI përmes pranisë së teknologjisë SynthID. 

E gjithë historia, personazhet në të, dhe imazhi janë shpikur me qëllim shitjen e një produkti që pretendohet se është zhvilluar nga një recetë e kaluar brez pas brezi deri te një mjek kinez, i cili, siç ka shpjeguar Faktoje, në fakt nuk ekziston.

Duket se postimi është një version i skemave që përpiqen të mashtrojnë qytetarët duke përdorur artikuj, histori dhe mjekë të rremë me qëllim shitjen e një produkti, e krijuar, tashmë edhe më lehtë, me anë të programeve të inteligjencës artificiale (AI).