I gjeneruar ky robot dërgesash që rrëzohet nga humnera

26

Pretendimi: Kjo video tregon një robot dërgesash që bie nga një mal dhe plas si bombë.

Verdikti: E pavërtetë, Gjeneruar me AI

————————————————————————

Një video që duket se tregon një robot dërgesash me logon e kompanisë Amazon që bie nga një mal dhe shpërthen po qarkullon në rrjete sociale, përfshi ato shqipfolëse.

Sipas postimeve, ngjarja ka ndodhur në Los Angeles, ShBA, dhe është filmuar nga një kalimtar. Megjithatë, ata nuk specifikojnë kur ka ndodhur ngjarja dhe nuk ofrojnë ndonjë burim apo referencë.

Kjo sepse video e mësipërme nuk tregon një ngjarje të vërtetë. Ajo është gjeneruar me anë të programeve kompjuterike të inteligjencës artificiale (AI). 

Me anë të motorit të kërkimit pamor Google Lens, Faktoje gjeti se video e mësipërme është postuar për herë të parë në Instagram më 9 shtator nga llogaria @evanrosenman.

Në postimin origjinal, autori e ka etiketuar videon si të gjeneruar me inteligjencë artificiale (AI).

Postuesi origjinal, i quajtur Evan Era është një prestigjator që poston shpesh përmbajtje të krijuar me AI në rrjetet e tij sociale, përfshi përmbajtje që përfshijnë specifikisht robotë dërgesashsituata të pazakonta dhe komike.

Një detaj që tregon origjinën e gjeneruar të videos është gabimi në vendosjen e logos së Amazon tek roboti. Roboti i vërtetë i dërgesave i Amazon, Scout, nuk mban logon e Amazon, por të Prime, një prej shërbimeve të kompanisë. Më tej, logo e Scout është printuar në anët e tij, jo në pjesën e pasme, si ajo e robotit në video.

Roboti i vërtetë i dërgesave i Amazon, Scout

Faktoje gjeti dhe një video të ngjashme, të etiketuar gjithashtu si e gjeneruar me AI, e cila tregon të njejtin skenar, një robot dërgesash që bie nga një mal dhe shpërthen në mënyrë të ekzagjeruar, por ka ndryshime të vogla në detaje, si ngjyra e robotit dhe peizazhi në sfond.