Pretendimi: Një sistem i inteligjencës artificiale (AI) i përdorur në transmetimet televizive në Japoni për të censuruar përmbajtjet pornografike ka pikseluar gabimisht qafën e presidentit amerikan Donald Trump
Verdikti: E pavërtetë
———————————————————————-
Një lajm qesharak që po qarkullon në rrjete sociale, përfshi ato shqipfolëse, pretendon se sistemi i inteligjencës artificiale që përdoret në Japoni për të censuruar përmbajtjet pornografike, në disa raste ka censuruar gabimisht gushën e presidentit amerikan Donald Trump, duke e ngatërruar atë me organe seksuale.

Megjithatë, për të mbështetur këtë pretendim të pazakontë, nuk ofrohet ndonjë provë, burim, referencë, apo detaj identifikues si kur dhe në cilin transmetim ka ndodhur censurimi.
Nëse kjo histori ju duket shumë qesharake për të qenë e vërtetë, keni të drejtë.
Faktoje gjeti se ky ‘lajm’ qarkullon në rrjet prej një viti. Ai është shfaqur fillimisht në një artikull të botuar në platformën Substack në gusht 2025 me titullin “Përditësimi mbarëkombëtar i sistemit të inteligjencës artificiale në Japoni, që censuron përmbajtjen me natyrë provokuese, nuk do ndalon së censuruari qafën e Trump.” Profili që ka botuar artikullin, @youreadygrandma, vetëpërshkruhet si satirë, dhe postimet e tij me tituj si “Hëna nis sulme ndaj Elon Musk pas “sulmit” të raketës së SpaceX” dhe “Arrihet marrëveshja pasi Irani pranon të vrasë gazetarët që hetonin dosjet Epstein” janë dukshëm satirike.
I njejti skenar absurd u ripërdor dhe zgjerua në një tjetër artikull në Substack në korrik 2026 që pretendonte se “inxhinierët e “Tokyo News Network” pranuan të hënën se i kanë shteruar të gjitha teknikat e njohura të mësimit automatik për të ndaluar filtrin e tyre të automatizuar kundër lakuriqësisë që të censuronte qafën e Presidentit Donald Trump me një efekt censurues (sfumimin mozaik).” Autori i artikullit, Kevin Kane, vetëpërshkruhet si “shkrimtar fantastiko-shkencor dhe komedie.”
Nuk ka asnjë provë se ndonjë transmetues japonez ka censuruar qafën e presidentit amerikan. Një shaka që qarkullonte në rrjet prej një viti është marrë si e mirëqenë dhe shpërndarë si e vërtetë në rrjete sociale.






