Ikën Lamallari, Ervin Demo në krye të Ministrisë së Brendshme

Ministrisë së Punëve të Brendshme do t’i bashkohet edhe ajo e Pushtetit vendor

21

Kryeministri Edi Rama ka njoftuar ndryshime në drejtimin e Ministrisë së Brendshme, duke larguar nga detyra Besfort Lamallarin dhe duke emëruar Ervin Demon në këtë post.

Rama e bëri publik ndryshimin përmes një videoje të publikuar në rrjetet sociale, duke konfirmuar lëvizjen në kabinetin qeveritar.

Ai tha se Lamallari do të zërë vend në kabinetin e kryeministrisë ndërsa Demo me marrjen e mandatit, do të integrojë në to edhe çështjet e pushtetit vendor, me të cilat ai është angazhuar vitin e fundit.

Pra, Ministrisë së Punëve të Brendshme do t’i bashkohet edhe ajo e Pushtetit vendor, tha Rama duke e cilësuar këtë një praktikë që nuk është e re në historinë e Kryeministrisë.

“Ministri i deritanishëm i Pushtetit Vendor, Ervin Demo, do të mbulojë Punët e Brendshme, ku do të integrojmë edhe çështjet vendore, diçka që nuk është e re për historinë e Kryeministrisë, por pasi ka marrë një formë goxha më të plotë, duke qenë veç, do të bëhet tani pjesë e strukturës së drejtimit të punës së Kryeministrisë”, u shpreh Rama.

Në deklaratën e tij pas ndryshimit në qeveri, Rama e cilësoi lëvizjen si një riformatim të skuadrës qeverisëse.

Pas largimit nga pozita, Lamallari shprehu mirënjohje për besimin e dhënë ndër vite.

“Faleminderit shumë kryeministër për besimin në këto 10 vite. Do të thoja se jam rritur profesionalisht. Ka qenë një përvojë e jashtëzakonshme dhe jam munduar që mos t’ju zhgënjej. Është kënaqësi dhe nder të jem në krahun tuaj për të gjithë punët që e presin Shqipërinë”, u shpreh Lamallari.

Ndërkohë, Demo u zotua se do të vijojë të ketë në fokus të detyrës dhe veprimtarisë së tij objektivat qeveritare.

“Jam i bindur që punët jo thjesht të Ministrisë së Brendshme po ajo që ka të bëjë më shumë me marrëdhënien që kemi me komunitetet në tërësi edhe në kuadër të Besës, besoj që Ministria e Brendshme ka një rol shumë të rëndësishëm dhe do jemi tërësisht të fokusra për ta çuar përpara”, tha Demo.

Ervin Demo, ka drejtuar portofolin e pushtetit vendor që prej formimit të qeverisë së re në shtator 2025. Në muajt e fundit, ai ka qenë i angazhuar në programet e qeverisë për zhvillimin e bashkive dhe reformimin e pushtetit vendor.

Vetëm një ditë më parë, Demo ishte në krah të kryeministrit Rama në prezantimin e Programit të ri Kombëtar të Strehimit.

Ndërsa Lamallari u përfshi për herë të parë në kabinetin qeveritar më 11 shtator 2025 kur Rama nisi mandatin e katërt.

Ai mori fillimisht drejtimin e ministrisë së Drejtësisë, duke zëvendësuar Ulsi Manjën.

Në mars, kur Rama ndërroi thuajse gjysmën e kabinetit të tij, Lamallari kaloi në ministrinë e Brendshme, aty ku kishte shërbyer për një kohë të gjatë si zëvendës ministër.

Ndryshimi vjen në një moment kur qeveria po hyn në vitin e dytë të mandatit të saj të katërt.