Pretendimi: Këto foto tregojnë shkallën e shkatërrimit pas përmbytjeve në Nepal
Verdikti: Mungon konteksti
———————————————————————
Përmbytjet e fundit në Nepal kanë krijuar pamje apokaliptike që kanë tërhequr vëmendjen mbarëbotërore. Një prej këtyre imazheve të publikuar në shumë media online është dhe një një kolazh “para dhe pas”, që sugjeron se tregon një qytezë të shkatërruar nga prurjet e baltës dhe gurëve. Më 27 gusht 2026 ky imazh është publikuar edhe nga media online në shqip “Epoka e Re”.

Përmbytjet katastrofike në kufirin Nepal-Tibet janë reale, por jo fotografia kryesore që shoqëron artikullin. Sipas raportimeve të agjencive ndërkombëtare të lajmeve, një shembje akullnaje më 26 gusht shkaktoi një rrjedhë gjigante shkëmbinjsh, akulli, balte dhe mbeturinash përgjatë sistemeve lumore të Himalajeve, duke vrarë më shumë se 1,000 persona në Nepal dhe Tibetin kinez, ndërsa mbi 4,000 të tjerë ende rezultojnë të zhdukur. Përmbytjet katastrofike në kufirin Nepal-Tibet janë reale, por jo fotografia kryesore që shoqëron artikullin në median shqiptare.
Imazhi i përdorur paraqet dy pamje të një lugine malore: në njërën shfaqet një qytezë me ndërtesa shumëngjyrëshe, ndërsa në tjetrën duket një lumë balte që ka zhdukur banesat.
Kërkimi i kundërt i imazhit e gjeti foton të qarkullonte në rrjetet sociale si një krahasim i supozuar “para dhe pas” i përmbytjeve në Nepal.
Faktoje e kontrolloi fotografinë “pas” përmes detektorit online AI not AI Not. Rezultati e klasifikoi imazhin me 71% gjasë si të krijuar me inteligjencë artificiale.
Ky rezultat përputhet me mospërputhjet e dukshme në vetë pamjet. Në foton e paraqitur si “para”, duken dy ura mbi lumë. Në pamjen e paraqitur si “pas”, distanca dhe pozicioni relativ i tyre ndryshojnë. Përmbytja mund të shkatërrojë një ndërtesë ose një urë, por nuk ndryshon pozicionin e saj në raport me relievin dhe objektet përreth.
Edhe vendndodhja e pretenduar nuk përputhet me zonën e goditur.
Qyteza shumëngjyrëshe e paraqitur në foton “para” përmes një kërkimi të kundërt në Google rezulton të jetë Beni Bazar, në distriktin Myagdi të provincës Gandaki, pranë lumenjve Kali Gandaki dhe Myagdi.
Beni Bazar ndodhet rreth 355 kilometra larg nga Rasuwa, zona që u prek nga përmbytjet e 26 gushtit. Katastrofa e raportuar ndodhi në një tjetër sistem lumor: rrjedha zbriti nga lumi Lhende Khola drejt lumenjve Bhotekoshi dhe Trishuli, pranë kufirit me Tibetin.

Distanca mes dy qyteteve në Nepal e verifikuar edhe nga kolegët italianë të verifikimit të fakteve të Open
Përmbytjet reale në Nepal janë dokumentuar me pamje nga terreni, video dhe imazhe satelitore. Reuters publikoi krahasime satelitore të zonave të prekura në Syapru Besi dhe Manakamana, ndërsa programi europian Copernicus tregoi zgjerimin e shtratit të lumit dhe depozitimin e masiv të baltës në zonat e goditura.
Përmbytjet e 26 gushtit në kufirin Nepal-Tibet janë reale, por fotografia “para dhe pas” e përdorur për të ilustruar tragjedinë nuk është dokumentim autentik nga zona e goditur. Për këtë arsye, pretendimi se fotografia paraqet dëmet e përmbytjeve në Nepal është i pavërtetë.






