E pabazë kjo tërheqje e ushtrisë turke nga Siria pas sulmeve izraelite

18

Pretendimi: Qindra automjete ushtarake turke u tërhoqën nga Siria për shkak të frikës nga sulmet izraelite.

Verdikti: E paverifikuar

———————————————————————

Më 23 gusht, faqja shqiptare në Facebook “Turning Point ALB” shpërndau një foto-kopertinë të një lajmi në anglisht shoqëruar me përshkrim në shqip me pretendimin se “qindra automjete të armatosura turke” po tërhiqeshin përmes kufirit verior të Sirisë, mes frikës nga sulmet e Forcave të Mbrojtjes së Izraelit (IDF).

Sipas postimit, kolona ishte tërhequr “nën mbulesën e errësirës”, ndërsa “pamjet dhe imazhet satelitore” kishin konfirmuar lëvizjen e saj. Postimi e lidhte këtë zhvillim me bombardimin izraelit të një aeroporti ushtarak në Siri.

Fotoja mban logon “Brian Print” dhe adresën e llogarisë në Instagram @brianprintug. Kërkimi i Faktoje identifikoi postimin origjinal të publikuar më 21 gusht në këtë llogari.

Megjithatë, ndryshe nga postimi në shqip i shpërndarë në Facebook, përshkrimi i gjatë i postimit nuk e paraqet tërheqjen si fakt të konfirmuar. Ai thotë se Turqia “raportohet” se po zhvendos automjete të armatosura nga zonat pranë kufirit verior të Sirisë dhe shton se kjo mund të sinjalizojë ulje të tensioneve me Izraelin.

Në një pjesë tjetër të përshkrimit, llogaria pranon shprehimisht se zhvillimi mbetet i pakonfirmuar, duke sqaruar: “Tërheqja, nëse konfirmohet si një ripozicionim i qëllimshëm”.

Postimi nuk identifikon burimin e këtij informacioni, vendndodhjen e kolonës, numrin e automjeteve, kalimin kufitar, datën dhe orën e pamjeve apo furnizuesin e pretenduar të imazheve satelitore.

Më 18 gusht, Izraeli kreu tetë goditje ajrore ndaj bazës ajrore Abu al-Duhur në provincën Idlib, në veriperëndim të Sirisë. Sipas Reuters, goditjet dëmtuan pistën dhe depot e bazës, pa viktima të raportuara.

Zyra e kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu deklaroi se Siria po përgatitej të lejonte dislokimin e trupave turke në bazë dhe se një prani e tillë do të përbënte kërcënim për sigurinë e Izraelit. Reuters dhe Associated Press raportuan deklaratën e zyrës së Netanyahu-t.

Pretendimi izraelit u kundërshtua nga Turqia dhe Siria. Ministria e Jashtme turke i dënoi sulmet si shkelje të sovranitetit sirian, ndërsa Presidenca turke i quajti pretendimet e Izraelit të pambështetura dhe deklaroi se Ankaraja do të vazhdojë bashkëpunimin me qeverinë siriane.

Ministri i Jashtëm sirian Asaad al-Shaibani deklaroi se Damasku e kishte informuar Izraelin se nuk kishte plan për krijimin e një baze turke apo për praninë e përhershme të forcave turke në Abu al-Duhur. Ai tha se baza do të mbetej nën sovranitetin dhe kontrollin sirian, sipas Reuters.

Zyrtarë sirianë u thanë mediave se një delegacion turk kishte vizituar bazën për të parë punimet e rehabilitimit një ditë para bombardimit, sipas Associated Press

Në burimet zyrtare dhe në raportimet e pavarura të kontrolluara nga Faktoje nuk gjendet konfirmim për një tërheqje të qindra automjeteve ushtarake turke nga Siria drejt Turqisë në periudhën pas 18 gushtit.

As postimi origjinal nuk paraqet prova. Teksti thotë se tërheqja ndodhi “nën mbulesën e errësirës”, ndërsa fotoja e kolonës së makinave ushtarake turke që e shoqëron është realizuar në dritën e ditës. Fotoja e plotë origjinale e cila ishte kyer në kopertinë për lajmin, e gjetur përmes kërkimit me Google Lens rezulton të jetë 86% e gjeneruar përmes AI, sipas programit AI Not AI. 

Foto e tërheqjes së trupave Turke nga Sirira e gjeneruar me AI

Pas sulmit ndaj Abu al-Duhur, në rrjetet sociale qarkulluan edhe materiale të tjera dezinformuese. Platforma turke e verifikimit Teyit ka bërë disa verifikime ndër to ajo zbuloi se një video e shpërndarë si grumbullim aktual i forcave turke në Siri ishte publikuar fillimisht në vitin 2017. Ndërsa platforma Misbar verifikoi një video tjetër të paraqitur si demostrim ushtarak turk pas goditjes izraelite dhe gjeti se ajo tregonte një test raketor nga korriku 2026.

Zhvillimet reale në Abu al-Duhur janë shfrytëzuar për të qarkulluar pamje dhe pretendime të pakonfirmuara nga faqe dhe platforma të ndryshme në rrjete sociale.

Faktoje e vlerëson pretendimin si të paverifikuar. Goditja izraelite ndaj bazës Abu al-Duhur dhe tensionet mes Izraelit, Turqisë dhe Sirisë janë të dokumentuara. Por nuk ka prova të pavarura që Turqia ka tërhequr trupat e saj ushtarake nga territoret e kontrolluara prej saj prej një dekade në kufirin turko-sirian për shkak të frikës nga sulmet izraelite. 

Artikulli paraprakNjë skemë mashtrimi pas historisë prekëse të nënës së vetme nga Kombinati
Artikulli tjetërKjo qytezë e shkatërruar jo nga përmbytjet e fundit në Nepal
Jona Cenameri
Jona Cenameri është gazetare, fact-checker. Ajo ka përfunduar studimet në degën Gazetari dhe Komunikim në Universitetin e Tiranës, ku u vlerësua me certifikatë ekselence për arritjet akademike. Punon në Faktoje.al, ku merret me verifikimin e deklaratave publike dhe me shkrime hulumtuese mbi çështje me interes publik. Përvoja e saj profesionale përfshin gazetari investigative, raportim të thelluar dhe ndërkufitar, si edhe monitorim e analizë mediatike, përmes bashkëpunimeve me ACQJ, BIRN Kosovo, IDMC, Thomson Media dhe Canal France International. Në vitin 2024 fitoi çmimin e parë në konkursin “Memoria dhe të Drejtat e Njeriut”, ndërsa në vitin 2025 ishte pjesë e ekipit fitues të konkursit rajonal të CFI-së “Balkan Voices 2”. Ajo është gjithashtu përfituese e bursës së KAS Media Programme South East Europe, e akorduar për studentë të talentuar të gazetarisë.