Pretendimi: Shërbimi sekret kinez ka konfirmuar se shërbimi sekret izraelit, Mossad, është prapa krizës së emigrantëve marokenë në enklavën spanjolle të Ceutës
Verdikti: Mungon konteksti
—————————————————————————
Në media dhe rrjete sociale, përfshi ato shqipfolëse, po qarkullon lajmi se shërbimi sekret kinez ka konfirmuar se shërbimi sekret izraelit, Mossad, orkestroi vërshimin e mbi 50 mijë emigrantëve marokenë në enklavën spanjolle të Ceutës në korrik 2026.

Duke kërkuar me fjalë kyçe Faktoje gjeti se artikulli i mësipërm është një përkthim në shqip i një artikulli të botuar më 3 gusht në një portal grek.
Artikujt nuk përmendin ndonjë burim apo referencë konkrete për këto pretendime. Gjuha e përdorur në to mbetet e kujdesshme, duke iu referuar “disa diplomatëve”, “disa analistëve” dhe “këtij interpretimi”, ndërsa pyet nëse një skenar i tillë mund të kishte ndodhur. Në asnjë moment nuk citohet ndonjë raport zyrtar i inteligjencës kineze ose një deklaratë publike nga autoritetet kineze që mbështet teorinë.
Teori që duket se e kanë zanafillën në një artikull të botuar më 2 gusht nga Dr. Nadia Helmy një politologe egjiptiane e specializuar në marrëdhëniet Sino-Izraelite. Në artikullin e botuar nga Modern Diplomacy, Helmy i referohet “disa raporteve të hartuara në Pekin” që dyshohet se e shohin krizën e Ceutës si përfshirje të Mossadit në një operacion lufte hibride.
Megjithatë, këto raporte nuk janë botuar dhe as cituar drejtpërdrejt, dhe nuk ofrohen dokumente të aksesueshme publikisht, duke e bërë të pamundur verifikimin e pavarur të përmbajtjes së tyre. Nuk paraqiten dokumente, komunikime të përgjuara, rrëfime dëshmitarësh apo hetime zyrtare për të mbështetur hipotezën e përfshirjes së Izraelit. Duhet të theksohet se shërbimi sekret në Kinë vepron në fshehësi të plotë dhe nuk publikon analiza apo raporte të tilla, aq më tepër për zhvillimet ndërkombëtare.
Mediat kryesore shtetërore të Kinës nuk i kanë bërë jehonë teorisë. Siç e pranon vetë Dr. Helmy, CGTN, Xinhua dhe Global Times janë përqendruar kryesisht në ndikimin e krizës në kufijtë e Evropës dhe implikimet e saj më të gjera gjeopolitike, pa ia veshur përgjegjësinë për ngjarjet Mossadit.
Në fund të korrikut 2026, rreth 50 mijë emigrantë marokenë kaluan kufirin në enklavën spanjolle të Afrikës së Veriut, Ceuta, në një fluks masiv që i mbingarkoi autoritetet lokale. Autoritetet spanjolle kanë numëruar të paktën 72 të vdekur, ndërsa Shoqata Marokene për të Drejtat e Njeriut thotë se numri i të vdekurve është afër 130, përveç dhjetëra personave të zhdukur. Rreth njëmijë të mitur mbeten në Ceuta, duke qëndruar pa familjet e tyre në një vend të huaj.
Faktoje ka përgënjeshtruar një numër pretendimesh të tjera rreth emigrantëve marokenë në Ceuta.






