Pretendimi: Kjo video tregon një kolonë të rinjsh afrikanë, të shoqëruar nga ushtria algjeriane, që po lëvizin përmes shkretëtirës drejt Maroku si pjesë e një tjetër vale emigrimi orkestruar nga inteligjenca izraelite Mossad dhe inteligjenca e Marokut.
Verdikti: E pavërtetë
————————————————————————————–
Në rrjete sociale, përfshi ato shqipfolëse, po qarkullon një video që pretendohet se tregon një kolonë të rinjsh afrikanë, të shoqëruar nga ushtria algjeriane, që po lëvizin përmes shkretëtirës drejt Maroku si pjesë e një tjetër vale emigrimi orkestruar nga inteligjenca izraelite Mossad dhe inteligjenca e Marokut.

Megjithatë, për të mbështetur këtë pretendim të pazakontë nuk sillet ndonjë provë, burim apo referencë.
Meqënëse pretendohet se inteligjenca marokene po bashkëpunon me ushtrinë algjeriane, vlen të përmendet se Algjeria ndërpreu marrëdhëniet diplomatike me Marokun pesë vite më parë duke akuzuar Marokun se kishte mbështetur lëvizjen separatiste për Vetëvendosjen e Kabilisë. Si rrjedhim bashkëpunimi i pretenduar mes dy vendeve do duhej të shoqërohej me prova veçanërisht të forta.
Në fund të korrikut 2026, rreth 50 mijë emigrantë marokenë kaluan kufirin në enklavën spanjolle të Afrikës së Veriut, Ceuta, në një fluks masiv që i mbingarkoi autoritetet lokale. Autoritetet spanjolle kanë numëruar të paktën 72 të vdekur, ndërsa Shoqata Marokene për të Drejtat e Njeriut thotë se numri i të vdekurve është afër 130, përveç dhjetëra personave të zhdukur. Rreth njëmijë të mitur mbeten në Ceuta, duke qëndruar pa familjet e tyre në një vend të huaj. Burimet zyrtare në Spanjë dhe Marok identifikuan lajmet e rreme në rrjetet sociale si burimin e këtij fluksi emigrantësh në kufirin spanjoll, por nuk munguan edhe teoritë për një nxitje të emigrimit nga Mossadi izraelit si hakmarrje ndaj qeverisë spanjolle, e cila është rreshtuar pro Palestinës. Nën të njëjtën narrativë është ndarë edhe video e mësipërme e ushtrisë algjeriane që shoqëron emigrantët në shkretëtirë.
Sa i përket videos, me anë të motorit të kërkimit pamor Google Lens, Faktoje gjeti se video është postuar fillimisht më 1 gusht në grupin e Facebok “Platforma Politike e Tamanrasset,” shoqëruar me përshkrimin: “Sot në Tinzaouatin kanë hyrë shumë afrikanë që iknin nga minierat e arit për shkak të marshimeve të Malit dhe Legjionit Afrikan”.

Në fund të korrikut dhe në fillim të gushtit 2026, ushtria maliane nisi një sërë sulmesh ajrore në Tinzaouaten, Kidal në Malin verior, kundër atyre që i përshkroi si “individë të lidhur me aleancën e grupit terrorist JNIM/FLA (Jama’at Nusrat al-Islam wal-Muslimin dhe Fronti Çlirimtar i Azawad).” Një deklaratë e lëshuar nga selia e ushtrisë maliane më 30 korrik 2026, tha se operacioni ishte pjesë e një serie sulmesh të mëparshme në afërsi të Kidal.
Nga ana tjetër, një deklaratë nga Kolektivi për Mbrojtjen e të Drejtave të Popullit Azawad (CD-DPA) dokumentoi një seri sulmesh tokësore dhe ajrore në Kidal mes 25 korrikut dhe 3 gushtit, të cilat ia atribuoi ushtrisë maliane dhe forcave të Legjionit Afrikan Rus. Grupi i konsideroi këto veprime një “strategji të ndëshkimit kolektiv dhe mbytjes njerëzore” që përbën krime lufte, duke kërkuar një ndalim të menjëhershëm të operacioneve dhe ndërhyrje urgjente ndërkombëtare.
Të dyja këto deklarata konfirmojnë se operacione ushtarake u kryen në rajonin Tinzaouatine të Malit gjatë periudhës në të cilën video u publikua në Facebook, gjë që mbështet rrëfimin e minatorëve të arit që ikën dhe u strehuan në Tinzaouatine fqinje algjeriane.
Duke përdorur imazhe satelitore në Google Earth, kolegët magrebinë të Daqqa arritën të lidhnin terrenin në sfond të videos me terrenin në perëndim të qytetit algjerian Tinzaouatine. Bazuar në këndin e kamerës, distancën e përafërt midis automjetit dhe turmave, gjurmën me rërë, një ndërtesë të dukshme në sekondën e parë përmes dritares së djathtë të automjetit dhe një horizont të hapur që duket sikur nuk ka ndërtesa përpara automjetit dhe pas turmave, ata përcaktuan vendndodhjen e videos.

Ekipi i Daqqa gjeti se video ishte filmuar në periferinë perëndimore të qytetit algjerian të Tinzaouatine, afërsisht 100 metra nga kufiri i Malit. Imazhet satelitore zbuluan se gjurma me rërë është një rrjedhë uji e tharë. Turmat në video po lëvizin drejt veriut, duke ardhur nga jugu, ku ndodhet kufiri me Malin. Personat e zhvendosur po ecnin drejt veriut në një zonë afërsisht 1458 kilometra nga kufiri më i afërt algjeriano-maroken, duke hedhur poshtë kështu pretendimin se ata po dërgoheshin qëllimisht nga autoritetet algjeriane në një zonë pranë kufirit maroken.

Distanca e përafërt midis vendndodhjes së videos dhe pikës kufitare më të afërt me Marokun






