Pretendimi: Kjo video tregon emigrantë marokenë në enklavën spanjolle të Ceutës duke sulmuar një automjet policie gjatë fluksit të ditëve të fundit
Verdikti: E pavërtetë
———————————————————————————————–
Një video që duket se tregon një grup personash duke goditur me gurë një automjet policie po qarkullon në rrjete sociale, përfshi ato shqipfolëse, me pretendimin se sulmuesit janë emigrantë marokenë që nuk dëshirojnë të largohen nga Ceuta, enklava spanjolle në bregun verior të Afrikës.

Megjithatë, me anë të motorit të kërkimit pamor Google Lens, Faktoje gjeti se video e mësipërme shfaqet në një artikull të majit 2021 në portalin spanjoll EsDiario, ku raportoheshin protestat e qindra njerëzve me rastin e vizitës së një politikani konservator në qytetin e Ceutës.

Sipas ESdiarioTV, video tregon një sulm nga të rinjtë ndaj oficerëve të policisë që mbronin Santiago Abascal, udhëheqësin e partisë spanjolle të djathtë Vox, gjatë vizitës së tij në Ceuta.
Incidenti ndodhi jashtë hotelit Parador La Muralla, ku kreu i Vox po mbante një konferencë për shtyp, dhe rezultoi në të paktën dy arrestime dhe disa oficerë policie të plagosur. Ky informacion u raportua edhe nga Radiotelevizioni Spanjoll (RTVE).
Në fund të korrikut 2026, rreth 50 mijë emigrantë marokenë kaluan kufirin në enklavën spanjolle të Afrikës së Veriut, Ceuta, në një fluks masiv që i mbingarkoi autoritetet lokale. Autoritetet spanjolle kanë numëruar të paktën 72 të vdekur, ndërsa Shoqata Marokene për të Drejtat e Njeriut thotë se numri i të vdekurve është afër 130, përveç dhjetëra personave të zhdukur. Rreth njëmijë të mitur mbeten në Ceuta, duke qëndruar pa familjet e tyre në një vend të huaj.
Faktoje ka përgënjeshtruar një numër pretendimesh të tjera rreth emigrantëve marokenë në Ceuta.






