Asnjë provë për klonime fëmijësh nga Bill Gates në ishullin e Epstein

5

Pretendimi: Miliarderi Bill Gates klonoi njëmijë fëmijë në ishullin privat të pedofilit dhe trafikantit Jeffrey Epstein

Verdikti: E paprovuar

—————————————————————————

Në rrjetet konspiracioniste, përfshi ato shqipfolëse, po qarkullon pretendimi i pazakontë se pronari miliarder i Microsoft, Bill Gates, “klonoi mijëra fëmijë” në ishullin e pedofilit dhe trafikantit famëkeq Jeffrey Epstein.

Si zakonisht, për të mbështetur këtë pretendim të jashtëzakonshëm nuk sillet ndonjë provë, burim apo referencë, aq më pak të jashtëzakonshme.

Megjithëse postimi i mësipërm pretendon se ishte bashkëpuntorja e Epstein, Ghislaine Maxwell, që e ‘zbuloi’ këtë, nuk ka asnjë dokument apo raportim mediatik që e konfirmon këtë. Burimi origjinal i këtij pretendimi duket se është thjesht një llogari në X, postimi i së cilës është përkthyer nga anglishtja në shqip.

Më herët këtë vit, Departamenti amerikan i Drejtësisë finalizoi publikimin e dosjeve që lidhen me trafikantin seksual Jeffrey Epstein, duke publikuar më shumë se 3 milionë dokumente

Milarderi dhe pronar i Microsoft Bill Gates shfaqet në fotot e publikuara nga Departamenti i Drejtësisë si pjesë e dosjeve Epstein. 

Në rezidencën e Jeffrey Epstein në Manhattan në vitin 2011, nga e majta: James E. Staley, në atë kohë një drejtues i lartë i JPMorgan; ish-Sekretari i Thesarit Lawrence Summers; Jeffrey Epstein; Bill Gates, bashkëthemelues i Microsoft; dhe Boris Nikoliç, i cili ishte këshilltari shkencor i Fondacionit Bill dhe Melinda Gates.

Dosjet e botuara në 2026 përfshinin dy draft emaile që Epstein i shkroi vetes në korrik 2013, ku pretendonte se ai kishte lehtësuar takimet seksuale të Gates dhe e ndihmoi atë të merrte ilaçe për të fshehur një infeksion seksualisht të transmetueshëm nga gruaja e tij. Gates i mohoi pretendimet si “absolutisht absurde dhe plotësisht të rreme”, duke vërejtur se emailet nuk ishin dërguar kurrë dhe ishin shkruar vetëm nga Epstein.

Në asnjë nga dosjet e publikuara nga Departamenti i Drejtësisë nuk përmendet klonimi i fëmijëve apo ndonjë provë që e mbështet këtë pretendim.

The New York Times raportoi në 2019 se Bill Gates ishte takuar me Epstein disa herë pasi Epstein ishte dënuar për krime seksuale në të kaluarën. The Times raportoi se, “duke filluar nga viti 2011, Z. Gates u takua me Z. Epstein në shumë raste” dhe se “punonjësit e fondacionit të Z. Gates gjithashtu bënë vizita të shumta në rezidencën e Z. Epstein”. Shkëmbimet u regjistruan dhe u raportuan nga gazeta, duke përfshirë edhe bashkëpunim të mundshëm filantropik.

Nuk ka prova se Gates ka vizituar ndonjëherë ishullin privat të Epstein. Në shkurt 2026, Gates foli për takimet e tij me Epstein dhe i kërkoi falje stafit të Fondacionit Gates. Komentet e tij u nxitën nga emailet dhe fotot e publikuara nga Departamenti i Drejtësisë. Por asnjë nga këto publikime nuk tregon se Gates kishte vizituar ishullin e Epstein, dhe Gates vazhdon të thotë se nuk ka shkuar kurrë atje.

Jeffrey Epstein u arrestua më 6 korrik 2019 nën akuza trafikimi seksual që përfshinin dhjetëra vajza të mitura në rezidencat e tij në Upper East Side të Manhattanit dhe në Palm Beach të Floridës. Ai i kishte shpëtuar ndjekjes penale federale duke u deklaruar fajtor në vitin 2008 për akuzat për prostitucion në shtetin e Floridës, një marrëveshje që tani konsiderohet gjerësisht shumë e butë. Epstein u gjet i vdekur në qelinë e tij të burgut më 10 gusht 2019.