Betejë për zonat e mbrojtura apo zonat e mbetura?

Nga dritat “e kuqe” të Brukselit, te Gjykata e Strazburgut, rezistenca qytetare dhe realiteti në terren

23

Nga Mimoza Picari

A po kthehen zonat më të mbrojtura të Shqipërisë në hapësirat e saj më të cenuara? Mbrojtja e natyrës po përplaset hapur me pretendimet për zhvillim ekonomik, duke e shndërruar debatin për zonat e mbrojtura në një nga testet më serioze të Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian. Ndërsa qeveria deklaron përparim në negociatat e anëtarësimit në BE, debati mbi fatin e zonave të mbrojtura është kthyer në një sprovë kyçe të besueshmërisë politike të vendit. Amendamentet e kontestuara të shkurtit 2024 për Zonat e Mbrojtura kanë ndezur dritat “e kuqe” (red flags) në Bruksel. 

Në një reagim të prerë, Parlamenti Evropian i kërkoi së fundmi autoriteteve shqiptare përmes një rezolute “vendosjen e menjëhershme të një moratoriumi mbi të gjitha lejet e reja dhe punimet ndërtimore brenda zonave të mbrojtura, derisa të shfuqizohen amendamentet e vitit 2024”.

Ndërkaq një zëdhënës i Komisionit Evropian, në përgjigje interesit të Faktoje.al i kujton qeverisë shqiptare detyrimet për përmbylljen e negociatave për Kapitullin 27, dhe konfirmon se Komisioni po e monitoron nga afër situatën.

“Kriteret përmbyllëse për Kapitullin 27 u vendosën në shtator 2025. Aty kërkohet përafrim me legjislacionin e BE-së (EU acquis) për mbrojtjen e natyrës, shfuqizim i dispozitave të papërputhshme të miratuara përmes amendamenteve në ligjin për zonat e mbrojtura, si dhe shfuqizimin e legjislacionit të vitit 2015 për investimet strategjike”, thotë për Faktoje.al një Zëdhënës i Komisionit Evropian në përgjigjen me shkrim.

Foto nga Pishe Poro-Narte (Atdhe Mulla/Faktoje)

Përballja

Megjithatë, përballë shqetësimeve nga Brukseli, autoritetet në Tiranë thonë se pretendimet e kritikëve nuk bazohen në fakte ligjore. Në një përgjigje zyrtare për Faktoje.al, Agjencia për Media dhe Informim (MIA) e zbeh peshën e këtyre shqetësimeve, dhe nga ana tjetër thotë se sidoqoftë ligji në fjalë do të përputhet 100% me direktivën si pjesë e kalendarit të miratuar me Komisionin Evropian.

“Rezolutat e Parlamentit Evropian nuk janë detyruese për asnjë shtet anëtar apo jo anëtar, ndërkohë që kush kërkon shfuqizimin e amendamenteve të vitit 2024 nuk ka sjellë asnjë provë se ato bien ndesh me direktivën evropiane” , thuhet në përgjigjen e Agjencisë për Media dhe Informim.

Opozita

Por Jorida Tabaku, deputete e opozitës dhe Kryetare e Këshillit Kombëtar të Integrimit, ka një qasje tjetër dhe është mjaft kritike.

“Është e vërtetë që rezoluta e PE-së nuk është drejtpërdrejt detyruese për parlamentin shqiptar, por ajo është sugjeruese në momentin kur merren vendime nga Parlamenti Evropian për Shqipërinë. Pra, edhe pse jo drejtpërdrejt, ajo bën ciklin e saj dhe kthehet në detyruese për vendin tonë”, argumenton Zonja Tabaku.

Foto nga Zverneci (Atdhe Mulla/Faktoje)

Kuadri ligjor dhe VKM-të ndër vite

Ndryshimet e vitit 2024 në Ligjin për Zonat e Mbrojtura nuk ishin një incident i izoluar, por vazhdë e një politike qeveritare 10-vjeçare që e sheh territorin e zonave të mbrojtura si resurs për zhvillimin e turizmit. Kjo rrugë nisi me miratimin e Ligjit për Investimet Strategjike një dekadë më parë (me afat fillestar 3-vjeçar, por i shtyrë vazhdimisht deri në fund të këtij viti) me synimin e qeverisë për të forcuar turizmin elitar në bregdet, pasuar me disa VKM që prekin kufijtë e zonave të mbrojtura.

Eksperti i mjedisit Olsi Nika atakon tre vendime, atë për Parqet Kombëtare (Kategoria II) në vitin 2022 që konkludoi në rishikimin e përgjithshëm të kufijve të të gjitha Parqeve Kombëtare në Shqipëri. Ai thotë se sipërfaqeve të tëra brenda zonave të mbrojtura iu hoq regjimi i mbrojtjes.

Një tjetër vendim, siç thotë z. Nika, klasifikoi si Rezervate Natyrore të Menaxhuara edhe ato zona të mbrojtura që më parë gëzonin statusin e Rezervatit Strikt Natyror (Kategoria I), i pasuar me një nga vendimet më të debatuara atë për Peizazhin e Mbrojtur Pishë Poro Nartë të vitit 2024. Eksperti i mjedisit thotë se ky vendim, prek një nga ligatinat më të rëndësishme të Mesdheut dhe rrugën kryesore të shtegtimit të shpendëve (përfshirë flamingot e pelikanët). 

“Ai rishikon kufijtë e Peizazhit të Mbrojtur Vjosë-Nartë dhe Pishë Poro, dhe zonimin e saj të brendshëm”, argumenton eksperti Nika.

“Të tria këto vendime ne i kemi sfiduar në rrugë ligjore duke i adresuar në Gjykatën Administrative të Apelit. Proceset janë ende në vijim. Kur proceset filluan të bëheshin interesante, qeveria e ndjeu rrezikun dhe përdori parlamentin për të noterizuar aktin e fundit: Ligjin për Zonat e Mbrojtura. Ky ligj legjitimon zhvillimet intensive të natyrës urbane brenda zonave të mbrojtura”,  thotë për Faktoje.al Olsi Nika, Drejtor Ekzekutiv i “EcoAlbania”.

Qëndrimi zyrtar i autoriteteve

Por nga ana tjetër, në një përgjigje sqaruese të posaçme me shkrim për Faktoje.al, Agjencia e Medias për Informim, i argumentoi këto vendime “me nevojën e modernizimit të rrjetit të zonave të mbrojtura sipas standardeve të BE dhe të IUCN-së, International Union for Conservation of Nature) duke reflektuar njohuritë më të fundit shkencore dhe realitetin në terren”.

Për autoritetet shqiptare – “në praktikë, zonat e mbrojtura shqiptare ishin krijuar në periudha të ndryshme, me kritere jo gjithmonë të njëjta dhe me kufij që në shumë raste nuk pasqyronin habitatet natyrore apo njësitë ekologjike”.

Në përgjigje sqarohet se “Për këtë arsye u krye një proces rishikimi, ku: u harmonizuan kategoritë e mbrojtjes me klasifikimin ndërkombëtar të IUCN (International Union for Conservation of Nature) u korrigjuan kufijtë për të ndjekur më mirë kufijtë ekologjikë dhe jo vetëm administrativë, u eliminuan mbivendosjet dhe pasaktësitë e krijuara ndër vite si dhe u përfshinë sipërfaqe të reja me vlera të larta natyrore duke i çuar në 22% këto sipërfaqe”

Këto ndryshime sipas zyrtarëve ishin produkte të një studimi kombëtar i kryer nga Shoqata Kombëtare e Parqeve të Shqipërisë me mbështetjen financiare të Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura dhe Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit.

Qëndrimet mbi ndryshimet në Ligjin për zonat e mbrojtura

Foto nga Butrinti

Drafti fillestar i një grupi deputetësh të PS mbështetur edhe në kërkesa të disa bashkive u konsultua sipas ekspertëve edhe me grupet e interesit, por me keqardhje ata thonë se parlamenti miratoi në shkurt të vitit 2024 draftin që reflektoi më së shumti ndërhyrjet e Qeverisë dhe të Ministrisë së Turizmit, të pakonsultuara me këto grupe.

Ligjvënës të shumicës qeverisëse në atë kohë mbrojtën idenë se ligji nuk do të lejonte “ndërtime pa kriter” apo masive, por vetëm struktura ekologjike të turizmit të nivelit të lartë (resorte me 5 yje), me argumentin se, turizmi elitar sjell të ardhura të mëdha për shtetin dhe nuk dëmton mjedisin sa turizmi masiv popullor.

Por argumentet e opozitës dhe organizatave mjedisore janë kryekëput të kundërta, duke e cilësuar atë një ligj ogurzi për mjedisin, ekosistemet kombëtare dhe biodiversitetin.

Jorida Tabaku veçon disa problematika të ligjit për Zonat e Mbrojtura ndërsa argumenton dhe idenë e shfuqizimit të Ligjit për Investimet Strategjike, kërkesë e Komisionit Evropian. Të dyja këto ligje, thotë ajo, ndërthuren me njëra tjetrën në dëm të mjedisit dhe tregut të lirë.

“Ndryshimet e vitit 2024 në Ligjin për Zonat e mbrojtura i hapin rrugën një përqindje të caktuar ndërtimesh (20% deri në 40%) në këto zona. Ligji centralizon kompetencat, heq disa përgjegjësi nga pushteti lokal dhe ia kalon ato Këshillit Kombëtar të Territorit (KKT).

Gjithashtu, Ligji për Investimet Strategjike duhet anuluar sepse ndan asete publike pa garë dhe pa konkurrencë të lirë (jep favore dhe heq taksa) duke cenuar tregun e lirë. Nëse deri dje investimet strategjike nuk lejoheshin në zona të mbrojtura, tashmë ato lejohen”,  shprehet Jorida Tabaku.

E ndërsa Kryeministri Edi Rama është zotuar në Bruksel se Ligji i Investimeve Strategjike do të shfuqizohet, pasi siç u shpreh ai, e ka kryer misionin, debati mbi ndryshimet e Ligjit për Zonat e mbrojtura duket se do të vazhdojë gjatë. Ekspertët e mjedisit vijojnë të jenë mjaft kritikë.

“Pas amendimeve të vitit 2024, ligji, pa çka se titullohet ‘Ligji për Zonat e Mbrojtura’, në fakt është ‘Ligji për Zonat e Mbetura’. Mbrohen efektivisht vetëm ato zona që kanë mbetur jashtë interesit momental të ndonjë zhvilluesi apo investitori strategjik”, argumenton Olsi Nika, ekspert mjedisi.

Por në argumentet shtjelluese për Faktoje.al Agjencia e Medias për Informim thotë se “Ndryshimet e vitit 2024 nuk synojnë liberalizimin e pakontrolluar të ndërtimeve, por krijimin e një kuadri më të qartë ligjor për zhvillimin e aktiviteteve që konsiderohen të pajtueshme me objektivat e ruajtjes së natyrës” duke i mëshuar faktit se “ligji nuk krijon një të drejtë automatike për të ndërtuar në zonat e mbrojtura, pasi çdo projekt duhet të kalojë filtra të detyrueshëm si procedura e Vlerësimit të Ndikimit në Mjedis sipas rastit apo marrja e autorizimeve të parashikuara në legjislacion. Koncepti nuk është – ‘zhvillim në dëm të natyrës’, – por zhvillim i kontrolluar dhe i kushtëzuar, i ngjashëm me modelet që ekzistojnë në shumë shtete anëtare të Bashkimit Evropian. Këto ndryshime nuk përjashtojnë asnjë nga garancitë procedurale të kërkuara nga e drejta evropiane”, thuhet më tej në përgjigjen e Agjencisë për Media dhe Informim.

Kundërshtia  

Por për një nga zërat mbrojtës të turizmit, natyrës dhe trashëgimisë kulturore, Auron Tare, asgjë nuk ka qenë e rastësishme apo një rrjedhë brenda normalitetit:

“Të gjitha këto ligje të bëra me porosi tregojnë se qeveria gjatë këtyre viteve ka miratuar kuadër ligjor për qëllime të caktuara. Veçanërisht ‘Albania Files’ tregon se ekziston një vizion i Kryeministrit, i caktuar për t’i çuar përpara këto projekte pa konsultim publik dhe pa plotësuar detyrimet ligjore. Të gjitha këto janë anashkaluar në mënyrën më arrogante”,  thotë për Faktoje.al Auron Tare, Hulumtues / Anëtar i Këshillit Shkencor të UNESCO-s për Trashëgiminë Nënujore.

Rruga gjyqësore

Përkundrejt debatit politik dhe teknik mes Tiranës dhe Brukselit, ambientalistët kanë ndjekur një rrugë tjetër atë të Gjykatës, duke i atakuar ndryshimet e vitit 2024 në Ligjin e Zonave të Mbrojtura në Gjykatën Kushtetuese.

Gjykata Kushtetuese, në vitin 2025 përmes votimit 4 me 4, nuk arriti të marrë vendim për kërkesën e deputetëve të opozitës mbështetur dhe nga organizatat mjedisore për pezullimin e ligjit, ndërsa mori vendim 5 me 3 për rrëzimin e kërkesës për antikushtetueshmërinë e ligjit.

Organizata AOS dhe EcoAlbania e kanë dërguar vendimmarrjen e Gjykatës Kushtetuese sa i përket ligjit të Zonave të Mbrojtura në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut në Strazburg. 

Ndërkohë EcoAlbania ka dërguar një ankimim për projektet në zonën e Pishë-Poro Nartës (përfshirë dhe atë të Zvërnecit) dhe ndryshimet ligjore edhe në Konventën e Bernës.

Këto projekte janë tashmë dhe në fokusin e Brukselit. Në përgjigjen me shkrim të një Zëdhënësi të Komisionit Evropian për Faktoje.al thuhet se:

“Komisioni Evropian po e monitoron nga afër situatën, si dhe po siguron një kontakt të vazhdueshëm me autoritetet shqiptare dhe shoqërinë civile. Në rastin e projektit në zonën Pishë Poro–Nartë – ashtu siç është rasti për të gjitha projektet që janë në vijim në Shqipëri, ai do të duhet të jetë në përputhje me kriteret e vendosura në kuadër të kapitullit të mjedisit (27) të procesit të anëtarësimit. Ky kapitull është aktualisht i hapur”,  argumenton për Faktoje.al përmes një zëdhënësi Komisioni Evropian.

Por autoritetet në Tiranë vijojnë të përsërisin se legjislacioni do përshtatet në kuadër të negociatave me atë të BE, por pa dhënë detaje konkrete se si, edhe pse nga ana tjetër i mbrojnë ndryshimet e atakuara në Ligjin për Zonat e Mbrojtura.

Agjencia për Media dhe Informim duke ju përgjigjur interesit Faktoje.al u shpreh se Ligji për Zonat e Mbrojtura do të përputhet 100% me direktivën si pjesë e kalendarit të miratuar me Komisionin Evropian. “Në fund do shohim se kush kishte të drejtë e kush kishte më pak të drejtë” , thuhet në përgjigjen e MIA-s.

Situata në terren dhe monitorimi i zonave

Foto nga Karaburuni

Por ekspertët mjedisorë aktualisht mendojnë se fundi duket i pafund, duke renditur disa zona të mbrojtura të prekura nga ligji, në të cilat kanë nisur apo janë në pritje projektet ndërtimore si në:

•      Zonën e Pishë Poro Nartë,

•      Parkun Kombëtar Divjakë-Karavasta

•      Parkun natyror Karaburun,

•      Parkun Kombëtar të Butrintit ( Gjiri i Manastirit / Aramerë)

•      Kompleksin ligatinor Kune –Vain –Tale

•      Në zonën Rana e hedhun, monument natyre kategoria e tretë.

•      Në Zonën Bunë Velipojë, rezervat natyror i menaxhuar.

Aktivistët mjedisorë argumentojnë se në këto zona shihet një përmbledhje ndërtimesh që përfshijnë komplekse rezidenciale, struktura për ankorim jahtesh e mjetesh detare, si dhe hotele me shumë kate që zëvendësojnë strukturat tradicionale apo mjedisore.

“Në ato zona që janë prekur, dëmi mjedisor është i jashtëzakonshëm sepse ato nuk mund të quhen më territore të mbrojtura, por janë kthyer në zona urbane. Te Gjiri i Manastirit shikon vetëm ndërtim, asnjë gjelbërim. E njëjta gjë në Rezervatin Natyror të Karaburunit apo me projekte në Parkun Kombëtar të Butrintit. Praktikisht s’ka më mbrojtje ligjore” , thotë për Faktoje.al Taulant Bino, Ornitolog / Drejtues i Shoqërisë Ornitologjike Shqiptare (AOS).

Organizatat mjedisore argumentojnë se ndryshimet në Ligjin për Zonat e mbrojtura nuk kanë krijuar thjesht një debat lokal, por e kanë vendosur shtetin shqiptar në pozita të forta përplasjeje me Këshillin e Evropës (Konventa e Bernës), Komisionin Evropian dhe rrjetet e konventave mjedisore globale.

“Ka pasur dy rrugë paralele: nga njëra anë rruga zyrtare me BE-në, ku u është thënë ‘po’ çdo kërkese; nga ana tjetër, rruga e ndjekur për interesa, qëllime dhe planifikime të caktuara. Këto dy rrugë nuk bashkohen. Tani që ka pasur reagime, BE-ja po e kupton se ajo që është premtuar në letër dhe ajo që po bëhet në terren janë dy gjëra plotësisht të kundërta,”  vijon Auron Tare.

Por nga ana tjetër edhe presioni i brendshëm gjithashtu është mjaft i lartë. Prej gati dy muajsh, një rezistencë e gjerë qytetare që nisi në kundërshtim të ndërtimit të një resorti luksoz në Zvërnec, “nën petkun” e Revolucionit të Flamingove është artikuluar qartë në ruajtjen e mjedisit, habitateve natyrore dhe ekosistemeve.

” Çdo lëvizje e qeverisë do të jetë në ‘sitën’ e BE-së. Nëse qeveria vazhdon kundër zonave të mbrojtura, atëherë i thotë ‘mirupafshim’ procesit të integrimit evropian. Protesta e shoqërisë civile ka dhënë mesazhe shumë të qarta, si: Shfuqizimin e Ligjit për Investimet Strategjike, shfuqizimin e amendamenteve dëmtuese të Ligjit për Zonat e Mbrojtura, transparencë mbi vendimmarrjen e sektorit të turizmit elitar dhe anulimin e projektit të Zvërnecit dhe projekteve simotra”, vijon Taulant Bino.

Debati mbetet i hapur 

Debati mbi Ligjin e Zonave të Mbrojtura tashmë ka kaluar kufijtë e një diskutimi lokal mjedisor, duke u kthyer në një nga sprovat më të vështira të Kapitullit 27 dhe test kyç për balancën mes zhvillimit ekonomik dhe detyrimeve integruese të Shqipërisë. Ndërsa institucionet shtetërore këmbëngulin se kuadri i ri do të përafrohet plotësisht me direktivat e BE-së sipas kalendarit të negociatave, sprova e vërtetë mbetet te zbatimi i tij në terren.

Në këtë udhëkryq, zotimi i qeverisë për harmonizim ligjor po përballet me presionin e Brukselit dhe atë të reagimit qytetar në vend. Në fund, suksesi apo dështimi i kësaj reforme nuk do të matet me deklarata politike apo kalendare negociatash, por me atë se çfarë do të mbetet realisht e mbrojtur në territorin dhe ekosistemet e Shqipërisë.