Asnjë bazë për komplotin e elitave për zhdukjen e popullsisë

14

Pretendimi: Ekziston një plan për shfarosjen e popullsisë së Botës sipas tekstit të shkruar në një pllakë guri në ShBA

Verdikti: E pavërtetë

Barbara Halla

Një intervistë televizive e avokatit dhe aktivistit Zaçe Islami, në muajin shkurt 2026, vijon të shërbejë si burim për portale të ndryshme për të promovuar lajmin e një plani global për shfarosjen e popullsisë. Deklarata të ngjashme kanë qarkulluar prej vitesh në komunitete që promovojnë teori konspirative për një të ashtuquajtur “Rend të Ri Botëror” (New World Order), sipas të cilit, një elitë globale po përpiqet të sundojë Botën dhe të shfarosë popullsinë njerëzore. 

Një pjesë qendrore e pretendimit të avokatit Islami lidhet me të ashtuquajturat Georgia Guidestones, një monument graniti i ndërtuar në vitin 1980 në shtetin amerikan të Xhorxhias dhe i shkatërruar pas një shpërthimi në vitin 2022. 

Monumenti përmbante dhjetë mesazhe për brezat e ardhshëm, ndër të cilat edhe një frazë që sugjeronte mbajtjen e popullsisë së botës nën 500 milionë banorë. Ky mbishkrim ka nxitur prej dekadash spekulime dhe teori konspirative, por nuk përbën provë të ekzistencës së një plani real për shpopullimin e planetit. Pavarësisht se kopjojnë një strukturë të lashtë, të ngjashme monumentin e Stonehenge në Britani, ky kompleks prej katër pllakash graniti vertikale dhe një shtyllë qendrore, u ndërtua vetëm në vitin 1980. Identiteti i personit ose grupit që porositi monumentin mbetet i panjohur dhe nuk është gjetur asnjë lidhje me qeveri, organizata ndërkombëtare apo individë që kanë zbatuar politika të tilla.

Po ashtu, pretendimi se miliarderët kanë ndërtuar “qytete nëntokësore” për t’u strehuar gjatë një holokausti global nuk mbështetet me prova. Është e vërtetë se disa persona shumë të pasur kanë investuar në bunkerë privatë, kryesisht për t’u përgatitur për fatkeqësi natyrore, konflikte ose emergjenca të tjera, por nuk ka prova që këto objekte lidhen me një plan për shfarosjen e popullsisë. Pretendime të tilla janë bërë pjesë e narrativave konspirative që lidhin bunkerët, pandeminë COVID-19, vaksinat dhe Georgia Guidestones në një histori të vetme, pa fakte që t’i mbështesin.

Përgjatë intervistës, avokati dha deklarata të tjera të cilat përbëjnë teori konspirative, si përshembull sesi pandemia e COVID-19 dhe vaksinimi ishin pjesë e një plani për reduktimin e popullsisë, pretendime qe janë hedhur poshtë nga komuniteti shkencor. Studimet dhe monitorimi i vazhdueshëm nga autoritetet shëndetësore kanë treguar se vaksinat kundër COVID-19 kanë reduktuar ndjeshëm rrezikun e sëmundjes së rëndë dhe vdekjes, ndërsa nuk ekziston asnjë provë që ato janë projektuar ose përdorur për shpopullim. Për rrjedhojë, pretendimet që lidhin bunkerët nëntokësorë, Georgia Guidestones dhe një plan global për “holokaust” përfaqësojnë një teori konspirative, jo një fakt të mbështetur nga prova.