Gdhendja në pjatën e mikrovalës nuk lidhet me simbolin bërthamor

14

Pretendimi: Pajisjet me mikrovalë që përdorim për ngrohjen e ushqimit kanë simbolin bërthamor të gdhendur duke provuar se janë të rrezikshme

Verdikti: E pavërtetë

Barbara Halla

Një postim që po qarkullon së fundmi në Facebook pretendon se pjatat e xhamit të furrave me mikrovalë kanë të gdhendur simbolin ndërkombëtar të rrezatimit bërthamor dhe se kjo është një provë se pajisja është e rrezikshme për shëndetin. Pretendimi është i pasaktë dhe bazohet në një interpretim të gabuar të dizajnit të pjatës së mikrovalës.

Shenja e dukshme në pjesën e poshtme të shumë pjatave të mikrovalës nuk është simboli ndërkombëtar i rrezatimit. Siç e tregon imazhi i mëposhtëm, tre brazdat e formuara në qelq kanë një funksion praktik: ato lidhen me unazën mbështetëse dhe mekanizmin rrotullues që mundëson lëvizjen e pjatës gjatë funksionimit të pajisjes. 

Mikrovala përdor një mekanizëm rrotullues për të ngrohur ushqimin në tërësi. Ngjashmëria me simbolin e rrezatimit përbën një rastësi dhe nuk është dëshmi se prodhuesit po sinjalizojnë ndonjë rrezik të fshehur.

Në të njëjtën kohë, është e vërtetë se furrat me mikrovalë përdorin rrezatim, por jo rrezatim radioaktiv. Ato funksionojnë duke përdorur rrezatim elektromagnetik, të njohur si rrezatim me mikrovalë, i cili bën që molekulat e ujit në ushqim të lëkunden dhe të prodhojnë nxehtësi. Fjala “rrezatim” shpesh tingëllon alarmante, por në fizikë ajo i referohet thjesht energjisë që përhapet në formën e valëve ose grimcave. Ndryshe nga rrezatimi jonizues i materialeve radioaktive, rrezatimi me mikrovalë nuk ka energji të mjaftueshme për të dëmtuar ADN-në ose për ta bërë ushqimin radioaktiv.

Sipas incitativës së Bashkimit Evropian për sigurinën ushqimore, furrat me mikrovalë janë të sigurta kur përdoren sipas udhëzimeve të prodhuesit dhe nuk paraqesin rrezik nga rrezatimi, për sa kohë pajisja është në gjendje të mirë. Kjo pikëpamje mbështetet edhe nga Administrata Amerikane e Ushqimit dhe Barnave (FDA) e cila thekson se standardet e sigurisë kufizojnë rrjedhjen e mikrovalëve në nivele shumë më të ulëta se ato që mund të jenë të dëmshme për njeriun.