Reforma e re territoriale, Mazniku: Synojmë bashki të forta. Boçi: Sjell diskriminim

25
Foto ilustruese nga Kuvendi i Shqiperise

Fetah Salliu 

Të premten bashkëkryetari i komisionit parlamentar për reformën administrativo- territoriale, deputeti i PS-së, Arbjan Mazniku, në një konferencë për shtyp,  ka argumentuar arsyet pse reforma territoriale duhet të shoqërohet me reduktimin e numrit të bashkive.

Një ditë më parë,  deputetët e grupit parlamentar të mazhorancës, anëtarë të Komisionit të posaçëm Parlamentar për Reformën Administrativo-Territoriale i kanë përcjellë kryetarëve të bashkive dhe këshillave bashkiakë propozimin e ri për Reformën Administrativo Territoriale, vetëm me firmën e tyre, pasi nuk u arrit konsensus me PD-në.  

Në mbështetje të propozimit, u paraqit edhe një projektligj “Për ndarjen Administrative Territoriale të Njësive të Qeverisjes Vendore të Republikës së Shqipërisë”.

Referuar propozimit zyrtar, ndarja e re territoriale sjell një reduktim të numrit të bashkive nga 61 në 46. 

Ndarja e re territoriale sipas propozimit të PS-së është: 12 qarqe, 46 Bashki, 71 qytete përbërëse dhe 387 Njësi Administrative. Por 20 bashki do të kenë më shumë se një qytet në përbërje. 

Bashkitë kanë afat 60 ditë që ta shqyrtojnë propozimin dhe ta konsultojnë me qytetarët. 

PS

“Asnjë shërbim nuk largohet nga territori, qytetari mund ta marri aty” – Arbjan Mazniku

Arbjan Mazniku deklaroi se, reforma territoriale synon të krijojë bashki më të forta financiarisht dhe funksionalisht, me kapacitet për të përfituar fonde europiane dhe për të përmirësuar shërbimet për qytetarët. 

Sipas tij, bashkimi i bashkive shihet si mënyrë për të konsoliduar planifikimin buxhetor, urban dhe ligjor, “duke rritur mundësitë për zonat me performancë të ulët” 

Përkundjret debatit që ka sjellë reduktimi në numër i bashkive nga 61 në 46, Mazniku u shpreh se asnjë shërbim nuk largohet nga territori, qytetari mund ta marrë shërbimet po aty. 

“Disa bashki kanë detyrime të prapambetura, për shembull Bashkia Kavajë. Ka bashki që punojnë më mire dhe ka bashki që punojnë pak më mire. Asnjë shërbim nuk largohet nga territori, qytetari mund ta marri aty. Elementët që konsolidohen janë: planifikimi buxhetor, urban, ligjor, ekonomik dhe kontraktual. 

Duke bashkuar dy zona me performancë të ulët nuk përfitojmë një performance më të mire. Bashkimi i Policanit me Beratin do të sjelli më shumë mundësi për Policanin. 

Ndarja Bashki – Qytet – Njësi Administrative ka qenë pjesë e dëgjesave publike në mbledhjet e Komisionit të Reformës Territoriale. Qytetarët e Policanit janë të Policanit. Një bashki nuk i ka të gjitha mundësitë t’i plotësojë kushtet, por kur bashkohen bashkë kanë kapacitetet e nevojshme. 

Me këtë reformë nuk pretendojmë se do ta rregullojmë të gjithë Shqipërinë, por synojmë të përmirësojmë infrastrukturën, shkollat etj. Fokusi kryesorë janë: Funksionet, kompetencat dhe financat”, tha Mazniku

PD kundër 

Ndryshe nga argumentet e Maznikut, bashkëkryetari demokrat në komisionin për reformën territoriale, deputeti Luçiano Boçi, tha se propozimi i socialistëve nuk është rezultat i një analize funksionale, por një vendim politik. “Është këngë e vjetër me muzikë të re. Është po e njëjta hartë që rrezikon të sjellë të njëjtat pasoja që sot i përjetojmë: diskriminim, mos-shërbim, mos-përfaqësim dhe mungesë autonomie”, tha Boçi.

“Është po e njëjta hartë që rrezikon të sjellë të njëjtat pasoja që sot i përjetojmë: diskriminim, mos-shërbim, mos-përfaqësim dhe mungesë autonomie” – Luçiano Boçi

Sipas tij, reforma duhet të nisë nga qytetari dhe jo nga numri i bashkive. “Një reformë territoriale ka për qëllim të rrisë funksionalitetin e pushtetit vendor, t’i shërbejë më mirë qytetarit dhe të garantojë zhvillim të njëtrajtshëm të territorit”, tha ai.

Boçi kundërshtoi bashkimet e propozuara nga PS, duke marrë si shembuj Librazhdin me Prrenjasin, Memaliajn me Tepelenën dhe Elbasanin me Cërrikun e Belshin. 

Sipas tij, këto vendime nuk kanë bazë ekonomike apo identitare, por lidhen me interesa politike. 

Kjo tezë u kundërshtua në anën tjetër nga Arbjan Mazniku.

“Nuk e ndikon fare ndryshimin e rezultatit të PS-së në nivel kombëtar. Këtu kemi të bëjmë me një synim për të përmirësuar eficencën e bashkive. Sot Elbasani, Cerriku dhe Belshi i administron PS. Kemi marrë 56-57% në zgjedhjet e fundit, nuk ka asnjë ndikim elektoral. Diskutimi elektoral është irrelevant, nuk ka asnjë ndikim. PS nuk është nisur në këtë reformë nga interesi i ofiqarëve të një bashkie apo tjetri. Por nga shërbime, si shkon më shumë ujë, si shtrohen më shumë rrugë. Interesi jonë, nuk ka qenë politika, por si e bëjmë që qytetarëve shqiptarë t’i ofrohen shërbime më të mira”, tha Mazniku.