Pretendimi: Ditmir Bushati është vetëshpallur kryeministër sepse ia kërkuan të huajt
Verdikti: I pavërtetë
Barbara Halla
Pretendimet që po qarkullojnë në disa portale dhe në rrjetet sociale se ish-ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, është vetëshpallur kryeministër i qeverisë teknike, nuk mbështeten në fakte. Këto pretendime janë të pabazuara dhe rezultojnë pjesë të një vale dezinformimi që ka shoqëruar zhvillimet politike dhe protestat e javëve të fundit në vend, siç e ka treguar mbulimi i Faktoje në javët e fundit.

Narrativa buron online, në artikuj që pretendojnë se Bushati, i cili shërbeu si Ministër i Jashtëm midis viteve 2013-2019 nën qeverinë e Ramës, u ka thënë personave me të cilët takohet se është zgjedhur nga ndërkombëtarët për të drejtuar një qeveri teknike. Në tekst përmenden gjithashtu takime të supozuara me figura të Partisë Socialiste, të cilat paraqiten si dëshmi e mbështetjes politike që ai gëzon. Megjithatë, artikulli nuk ofron asnjë provë konkrete për këto pretendime. Nuk publikohen deklarata të regjistruara, dokumente, burime të identifikuara apo konfirmime nga institucione ose aktorë politikë që do t’i mbështesnin këto pohime.
Një shqyrtim i faqeve zyrtare të Bushatit, apo deklaratave publike dhe komunikimeve që ka kryer ai javët e fundit, nuk tregojnë asnjë rast ku ai të jetë vetëshpallur kryeministër apo të ketë pretenduar se është përzgjedhur nga faktorët ndërkombëtarë për të drejtuar një qeveri teknike. Po ashtu, nuk ekziston asnjë konfirmim zyrtar nga institucionet shqiptare apo partnerët ndërkombëtarë që të mbështesë këtë pretendim.
Artikulli mbështetet kryesisht në insinuata, gjuhë ironike dhe pretendime të paatribuuara, pa ofruar elementet minimale të verifikimit gazetaresk. Për shembull aty flitet po ashtu për thirrjen që është bërë online që figura mediatike e Marin Memës të kandidojë për kryeministër të vendit. Pra, nuk bëhet fjalë për një informacion serioz apo të bazuar në fakte, po thjesht në spekulime që synojnë tërheqjen e vëmendjes dhe mbledhjen e sa më shumë klikimeve. Nuk ka asnjë burim që të vërtetojë se Ditmir Bushati është shpallur kryeministër, apo se një gjë e tillë do të ndodhi.






