Bashkimi Europian nuk dënon me 5 vite burg këdo që ndan lajme ruse

7

Pretendimi: Në Bashkimin Europian, ata që ndajnë përmbajtje të medias ruse Russia Today, edhe nëse ato janë të vërteta, dënohen me 3 muaj deri në 5 vjet burg

Verdikti: Mungon konteksti

——————————————————————

Në rrjete sociale, përfshi ato shqipfolëse, po qarkullon pretendimi se Bashkimi Europian do të dënojë me 3 muaj deri në 5 vjet burg ata që ndajnë përmbajtje të medias ruse Russia Today, edhe nëse ato janë të vërteta.

Postimi nuk ofron ndonjë provë, burim apo referencë për të mbështetur pretendimin, por duket se ai është frymëzuar nga një vendim i Gjykatës Europiane të Drejtësisë (GjED) të 2 korrikut 2026.

Gjykata vendosi se njerëzit që drejtojnë faqe interneti falas të financuara nga donacionet mund të kualifikohen si “operatorë” sipas sanksioneve të BE ndaj Rusisë, edhe nëse nuk janë transmetues tradicionalë mediatikë.

Sipas vendimit të GjED, një gjykatë gjermane mund t’i trajtojë tre persona të akuzuar për ripostimin e videove nga Russia Today Germany në faqen e internetit Traugott Ickeroth si “operatorë” sipas rregullave të BE mbi sanksionet kundër Rusisë, edhe pse faqja e internetit është e aksesueshme lirisht dhe nuk drejtohet nga një transmetues tradicional.

Prokurorët gjermanë akuzojnë tre persona se kanë postuar video nga Russia Today Germany katër herë në vitin 2023 nëpërmjet blogut Live-Ticker të faqes së internetit. Sipas ligjit gjerman, shkelja e ndalimit të transmetimit të BE mund të rezultojë në dënime me burg nga 3 muaj deri në 5 vjet. Të dhënat e gjykatës tregojnë se dy prej të akuzuarve morën mbi 60 mijë euro donacione mes prillit 2022 dhe gushtit 2023.

Postimit të mësipërm i mungon ky kontekst dhe ai pretendon në mënyrë të gabuar se në BE çdokush që ndan përmbajtje të RT automatikisht kryen një krim dhe dënohet me 3 muaj deri në 5 vite burg.

Gjykata vendosi që sanksionet e BE vlejnë edhe për faqet e internetit falas të financuara nga donacionet, jo vetëm për mediat komerciale. Megjithatë, vendimi nuk paraqet një vepër të re penale, as nuk do të thotë që çdo qytetar që ndan një përmbajtje në një bisedë private ose në profilin e tij do të përfundojë automatikisht në burg.

Që nga marsi 2022, BE ka vendosur sanksione që pezullojnë transmetimin dhe shpërndarjen e Russia Today dhe Sputnik, duke argumentuar se ato janë media të kontrolluara nga Kremlini që përdoren për propagandë dhe dezinformim në lidhje me pushtimin rus të Ukrainës. 

Me vendimin e fundit, GjED sqaroi vetëm se termi “operator” mund të përfshijë edhe personat që e bëjnë përmbajtjen të disponueshme publikisht përmes një faqeje interneti, pavarësisht nëse e bëjnë këtë për fitim apo jo. Nëse dikush do të ndëshkohet në të vërtetë varet nga legjislacioni kombëtar dhe rrethanat specifike të rastit.

Vendimi i Gjykatës Evropiane të Drejtësisë nuk përcakton një dënim me burg. Ai thjesht interpreton se si duhet të zbatohen sanksionet europiane. Nëse do të ketë procedura penale dhe çfarë sanksioni do të pasojë është një çështje që rregullohet nga ligjet e secilit shtet anëtar dhe vlerësohet nga gjykatat kombëtare.