Pretendimi: Ky imazh tregon eurodeputeten Ilaria Salis dhe anëtarë të Lëvizjes Bashkë duke përshëndetur me grushtin lart
Verdikti: E pavërtetë, Gjeneruar me AI
—————————————————————
Një imazh që po qarkullon në media dhe rrjete sociale shqipfolëse duket se tregon eurodeputeten italiane Ilaria Salis dhe anëtarë të Lëvizjes Bashkë, përfshi deputetin Redi Muçi dhe anëtaren e Këshillit Bashkiak të Tiranës Mirela Ruko, duke përshëndetur me grushtin lart, gjest që tek shqiptarët ngjall kujtime të regjimit diktatorial komunist.


Megjithatë, shqiptarët nuk duhet të tremben ende nga fantazma e ringjalljes së komunizmit. Imazhi i mësipërm nuk është i vërtetë. Ai është modifikuar me anë të programeve kompjuterike të inteligjencës artificiale (AI), më specifikisht agjentin e OpenAI.
Kjo konfirmohet nga mjeti zyrtar i verifikimit të OpenAI, i cili identifikon imazhet e krijuara me OpenAI përmes pranisë së teknologjisë SynthID.

Rezultati konfirmoi se imazhi përmban një gjurmë SynthID me origjinë nga OpenAI, çka tregon se imazhi është gjeneruar me inteligjencë artificiale.
SynthID është projektuar për t’i mbijetuar modifikimeve të zakonshme të imazheve, si prerja, ndryshimet e ngjyrave, fotografimi i ekranit apo kompresimi i skedarëve, duke e bërë të mundur gjurmimin e origjinës së përmbajtjes së gjeneruar.
Imazhi i mësipërm është përftuar nga modifikimi me AI i një fotoje reale, postuar, ndër të tjera, nga Salis në rrjetet e saj sociale, pas takimit të saj me anëtarë të Lëvizjes Bashkë më 27 qershor 2026.

Imazhi origjinal u postua në Tëitter nga eurodeputetja Salis më 27 qershor
Si në të shumtën e rasteve imazhet e krijuara nga Inteligjenca Artificiale mbartin edhe gabime logjike në gjenerimin e imazheve.

Një sy i kujdesshëm mund të vërë re gabimin në një prej grushteve që qëndron i palidhur me trupin e njërit prej pjesëmarrësve në foto pas shpinës së deputetit Muçi si dhe një dorë të mbetur në pozicionin origjinal të fotos.






