Nga kushtet higjeno-sanitare e deri tek trajtimi i mbetjeve, klinikat dentare nën lupë 

Inspektimet në klinikat dentare zbulojnë mangësi në dokumentacionin higjieno-sanitar të subjektit, papastërti në vendin e punës, mosrealizim të detyrave të lëna nga inspektorët, si dhe pengim të inspektimit.

22

Nga Jona Cenameri

Një vizitë te dentisti është pjesë e rutinës shëndetësore për shumë qytetarë. Por pas dyerve të klinikave dhe kabineteve dentare në Tiranë, kontrollet zyrtare kanë evidentuar problematika që lidhen me lejet e ushtrimit të profesionit, dokumentacionin higjieno-sanitar, administrimin e mbetjeve spitalore dhe kushtet në vendin e punës.

Të dhënat e siguruara nga Faktoje përmes kërkesave për informacion tregojnë se sektori dentar në kryeqytet është i gjerë. Sipas Urdhrit të Stomatologut të Shqipërisë, në Rajonin e Tiranës rezultojnë 3615 stomatologë të licencuar.

Nga informacioni që disponon Urdhri, në të njëjtin rajon janë të licencuara dhe aktive 1224 klinika dhe kabinete dentare. Vetë institucioni sqaron se licencimi i klinikave dentare është në kompetencë të Qendrës Kombëtare të Biznesit dhe, në rastet kur kërkohet nga legjislacioni në fuqi, edhe të Qendrës Kombëtare të Licencimit.

Urdhri i Stomatologut bën të ditur gjithashtu se nga janari 2023 deri në maj 2026 janë licencuar për herë të parë 791 stomatologë. 

Stomatologët e huaj

Në Tiranë ushtrojnë profesionin edhe stomatologë të huaj. Sipas verifikimeve të Urdhrit, janë licencuar 22 stomatologë të huaj, nga të cilët 17 janë italianë.

Për stomatologët e huaj, procedura parashikon dokumente shtesë krahas atyre që kërkohen për shtetasit shqiptarë. Urdhri sqaron se ata duhet të paraqesin njohjen dhe njësimin e diplomës dhe specializimeve, nëse kanë, certifikatë të sjelljes së mirë profesionale, dëshmi penaliteti, si edhe kontratë pune kur do të ushtrojnë profesionin në një klinikë, kabinet apo spital dentar në Shqipëri.

Për stomatologët jorezidentë kërkohet edhe dokument për njohjen e gjuhës shqipe ose kontratë me përkthyes zyrtar.

Ndërsa Urdhri i Stomatologut jep të dhënat për profesionistët e licencuar dhe informacionin që disponon për klinikat aktive, kontrolli i kushteve ku ofrohet shërbimi stomatologjik kryhet nga Inspektorati Shtetëror Shëndetësor.

Inspektimet 

Në përgjigje për Faktoje, ISHSH bën të ditur se dega rajonale Tiranë ka kryer 1450 inspektime dhe ri-inspektime gjatë viteve 2023, 2024 dhe 2025 për zbatimin e ligjit nr. 9928 “Për shërbimin shëndetësor stomatologjik”, të ndryshuar. Nga këto, 1380 kanë qenë inspektime dhe 70 ri-inspektime.

Gjatë këtyre kontrolleve, ISHSH ka konstatuar mungesë ose mosrinovim të lejes së ushtrimit të profesionit, mangësi në evadimin e mbetjeve spitalore, mungesë dokumentacioni higjieno-sanitar të subjektit, papastërti në vendin e punës, mosrealizim të detyrave të lëna nga inspektorët, si dhe pengim të inspektimit.

Në dokumentacionin higjieno-sanitar, ISHSH përmend si mangësi mungesën e akt-miratimit higjieno-sanitar, certifikatës DDD dhe raport-analizës së ujit të pijshëm.

Në një tjetër përgjigje për Faktoje, ISHSH saktëson se gjatë viteve 2023, 2024 dhe 2025 ka vendosur 100 masa administrative ndaj subjekteve të konstatuara në shkelje të ligjit për shërbimin shëndetësor stomatologjik.

Nga këto masa, 21 kanë qenë gjoba, 71 paralajmërime dhe 8 vendime të ndërmjetme për marrje mase urgjente për pezullim aktiviteti.

Sipas ISHSH-së, 8 vendimet për pezullim aktiviteti kanë konsistuar në mbyllje të përkohshme të aktivitetit deri në përmbushjen e detyrave të lëna nga grupi i inspektimit.

Të dhënat

Raporti mes kontrolleve dhe masave tregon se, në 3 vite, afërsisht 1 në çdo 14-15 inspektime apo ri-inspektime të kryera në klinika dhe kabinete dentare në Tiranë ka përfunduar me masë administrative. Shkeljet e listuara nga ISHSH lidhen me dokumentacionin e ushtrimit të profesionit, kushtet higjieno-sanitare, administrimin e mbetjeve spitalore dhe zbatimin e detyrave të lëna pas kontrollit.

ISHSH sqaron se inspektimet kryhen sipas një programi të miratuar në baza vjetore dhe mujore, por edhe jashtë programit. Në këtë kategori përfshihen kontrollet në kushte flagrance, pas denoncimeve, ankesave apo urdhrave të posaçëm.

Sipas institucionit, në kuadër të zbatimit të ligjit për shërbimin shëndetësor stomatologjik, frekuenca e inspektimeve është vjetore. Përzgjedhja e klinikave që i nënshtrohen inspektimit bëhet mbi bazën e një metodologjie të strukturuar dhe të standardizuar, të mbështetur në vlerësimin e riskut.

Numri 

Të dhënat zyrtare tregojnë se në kryeqytet funksionon një sektor i madh i shërbimeve dentare, me mijëra profesionistë të licencuar dhe mbi 1000 klinika e kabinete aktive. 

Kontrollet e ISHSH-së për vitet 2023-2025 tregojnë se një pjesë e subjekteve janë konstatuar në shkelje, kryesisht për çështje që lidhen me lejet, dokumentacionin higjieno-sanitar, mbetjet spitalore dhe përmbushjen e detyrave të lëna nga inspektorët. 

Ky artikull u realizua me mbështetjen e Fondacionit “Friedrich Ebert” në Tiranë