Trump nuk injoroi Zelenskin në takimin e G7 në Francë

8

Pretendimi: Kjo video tregon presidentin amerikan Donald Trump duke shpërfillur presidentin e Ukrainës Volodymyr Zelensky në samitin G7 në Francë

Verdikti: Mungon konteksti

———————————————————–

Një video që po qarkullon në rrjete sociale, përfshi ato shqipfolëse, pretendohet se tregon shpërfilljen që presidenti amerikan Donald Trump i bëri presidentit të Ukrainës Volodymyr Zelensky në samitin G7, që u mbajt në Francë më 15-17 qershor 2026.

Video zgjat vetëm disa sekonda dhe tregon Trump duke shtrënguar duart me presidenten e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen dhe të tjerët të pranishëm, ndërsa Zelensky mbetet në sfond, jashtë grupit.

Me anë të motorit të kërkimit pamor Google Lens, Faktoje gjeti videon e plotë të publikuar nga transmetuesi publik amerikan C-SPAN

Në pjesën e parë të videos, Trump, presidenti francez Emmanuel Macron dhe Zelensky hyjnë së bashku në dhomë. Presidenti amerikan hyn i pari, i ndjekur nga lideri francez, ndërsa Zelensky nuk e ka kaluar ende pragun sepse ndalon te dera për të përshëndetur Sekretarin amerikan të Shtetit Marco Rubio.

Në pjesën e dytë të videos duket klipi i mësipërm, ku Trump është tashmë në sallë duke përshëndetur von der Leyen dhe udhëheqësit e tjerë, ndërsa Macron tregon se ku ndodhen ata.

Në fakt, Trump nuk përshëndet as Macron. Kjo sepse ata ishin takuar para se të hynin në sallë. Zelensky ishte tashmë i pranishëm me udhëheqësin francez, pasi kishin mbërritur së bashku.

Po atë ditë, më 16 qershor, Trump, Macron dhe Zelensky zhvilluan një takimperiferi të samitit, i cili zgjati rreth tridhjetë minuta. 

Kështu, klipi i mësipërm është shkëputur nga video e plotë nga samiti dhe është prerë për të fshehur faktin se Trump dhe Zelensky kishin mbërritur me Macron në takim dhe udhëheqësi ukrainas kishte qëndruar pas për të përshëndetur Rubion. Kjo ishte arsyeja pse Trump nuk e përshëndet në klip.