Këto deformime të makinave nga dielli janë efekt i veshjes me vinil

11

Pretendimi: Kjo video tregon kapakët e disa automjeteve që janë deformuar nga temperaturat e larta në Arizona, ShBA

Verdikti: Mungon konteksti

———————————————————————————–

Këto ditë të nxehta vere në media dhe portalet shqipfolëse po qarkullon një video që duket se tregon deformimin e pjesëve metalike të një makine, e cila pretendohet se është shkaktuar nga temperaturat e larta në Arizona, në ShBA.

Me anë të motorit të kërkimit pamor Google Lens, Faktoje gjeti se pamjet e mësipërme qarkullojnë në rrjet të paktën që nga viti 2025, kështuqë nuk mund të jenë xhiruar këtë verë, në 2026.

Gjithashtu, video nuk është xhiruar në Arizona, ShBA, por në Kinë.

Kjo është e dukshme nga shkrimi në shenjat e godinave përreth makinës, dhe nga targat e saj, të dukshme në versione të tjera të videos të postuara në rrjet. Ato përmbajnë një simbol në alfabetin kinez dhe përkon me formatin e targave të Kinës, jo atyre të Arizonës, siç vërehet në imazhin e mëposhtëm.

Targat e makinës (në mes) në video përkojnë me formatin e targave të Kinës (majtas), jo Arizonës (djathtas)

Më specifikisht, targa e mësipërme nis me “苏J” që është kodi i targës së qytetit Yancheng, Provinca Jiangsu.

Fenomeni i “makinave shtatzënë” në Kinë ka argëtuar rrjetin që në vitin 2024.

Në fakt, flluskat në kofano shkaktohen nga mbështjellësit prej vinili të makinave, që përdoren në disa raste për të ndryshuar ngjyrën e makinës e në disa të tjera si mbulim me kosto më të lirë i dëmtimeve. 

Nxehtësia ekstreme dhe ekspozimi i zgjatur ndaj rrezeve të diellit mund të ndikojnë në jetëgjatësinë dhe pamjen e mbështjellësit të makinës. Me kalimin e kohës, temperaturat e larta mund të shkaktojnë që vinili të deformohet, të krijojë flluska ose edhe të zbehet. Gjithashtu, nëse ka lagështi nën të, mbështjellësja do të krijojë një flluskë kur nxehtësia ta transformojë lagështirën në avull.